Live Newsroom

Lajmet e Fundit

Zhvillimet më të fundit nga ekonomia, politika dhe teknologjia.

Tregjet:EUR/LEK +0.2%
“JAM I SIGURT”/ Mbappe premton rikthimin e Real Madridit te trofetë dhe flet për Mourinhon
SportE Rëndësishme

“JAM I SIGURT”/ Mbappe premton rikthimin e Real Madridit te trofetë dhe flet për Mourinhon

Kylian Mbappe ka dhënë një mesazh të qartë për tifozët e Real Madridit përpara nisjes së sezonit të ri, duke shprehur bindjen se skuadra madrilene do të rikthehet te fitimi i trofeve. Në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit, sulmuesi francez foli për përgatitjet para sezonit, objektivat e ekipit dhe bashkëpunimin me trajnerin Jose Mourinho. Real Madridi e përfundoi sezonin 2025/26 pa fituar asnjë trofe, ndërsa Mbappe synon të luajë një rol të rëndësishëm në rikthimin e “Los Blancos” në majat e futbollit evropian. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer dhe që po marr përshtypjet e para me ekipin, stafin e ri të trajnerëve, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që punojnë në Valdebebas. Është gjithmonë bukur të rikthehesh këtu dhe të përgatitesh për sezonin”, deklaroi Mbappe. Francezi u ndal edhe te marrëdhënia me trajnerin Jose Mourinho, duke vlerësuar eksperiencën dhe mentalitetin fitues të teknikut portugez. “Kemi folur shumë gjatë Kupës së Botës, por edhe gjatë ditëve të fundit këtu. Është shumë pozitive të kesh një trajner me kaq shumë përvojë, që di të fitojë dhe e di rrugën që duhet të ndjekim për të arritur fitoret”, u shpreh sulmuesi. Mbappe më pas dha një premtim të fortë për tifozët e Real Madridit, duke theksuar se objektivi i skuadrës është rikthimi te titujt. “Besoj se duhet të fitojmë dhe jam i sigurt se këtë vit do të rikthehemi te fitimi i titujve. Jam i bindur për këtë.” Ylli francez theksoi se dëshira për sukses është e madhe brenda skuadrës dhe se lojtarët janë të motivuar për të zhvilluar një sezon të suksesshëm. “Kjo është ajo që duam dhe do të ndodhë, sepse e ndiej se skuadra e ka dëshirën. Do të qëndrojmë të fokusuar gjatë gjithë vitit për t’i bërë tifozët e Real Madridit të lumtur, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të fitosh tituj me këtë ekip dhe të ndjesh gëzimin e tifozëve”, përfundoi Mbappe.

Lexo lajmin e plotë
SPANJA DHE MAROKU NË GATISHMËRI/ Përforcohet kufiri i Ceutës pas thirrjeve për një valë të re emigrantësh
Bota
14 gusht 2026

SPANJA DHE MAROKU NË GATISHMËRI/ Përforcohet kufiri i Ceutës pas thirrjeve për një valë të re emigrantësh

Autoritetet spanjolle dhe marokene kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në kufirin e Ceutës, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale për një përpjekje të re masive për hyrje të parregullt në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut. Mijëra efektivë të forcave të sigurisë nga të dyja vendet janë angazhuar për të monitoruar situatën, ndërsa autoritetet në Madrid dhe Rabat po ndjekin nga afër aktivitetin në internet dhe po bashkërendojnë masat për parandalimin e çdo tentative të paligjshme kalimi. Situata ka ngritur shqetësim pas mbërritjes së një numri të madh emigrantësh në Ceuta gjatë muajit të kaluar. Në rrjetet sociale janë shpërndarë thirrje për një tjetër përpjekje masive për të kaluar kufirin më 15 gusht. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Marokut, Rachid El Halfi, deklaroi se autoritetet kanë marrë masat përkatëse për t'iu përgjigjur çdo tentative për kalim të paligjshëm të kufirit. Në anën spanjolle, ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska vizitoi Ceutën për të inspektuar situatën në kufi, infrastrukturën ekzistuese dhe masat e reja të sigurisë. Mes masave të marra është edhe forcimi i barrierave detare, të projektuara për të parandaluar përpjekjet për hyrje në enklavë përmes detit. Prania e forcave të sigurisë është shtuar ndjeshëm në Ceuta, me qindra efektivë policie dhe mijëra ushtarë të angazhuar në përforcimin e kufirit. “Po e bëjmë këtë për të parandaluar këdo që synon të hyjë në mënyrë të parregullt në Ceuta dhe Melilla”, deklaroi ministri spanjoll i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska. Autoritetet e Spanjës dhe Marokut vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të lartë, ndërsa po monitorojnë nëse thirrjet e publikuara në rrjetet sociale do të pasohet nga një tentativë e re masive për kalimin e kufirit.

48 ORË PAS ZJARRIT/ Kodrat e Tiranës ende nxjerrin tym, digjen ullinj, banesë dhe automjet
Aktualitet
14 gusht 2026

48 ORË PAS ZJARRIT/ Kodrat e Tiranës ende nxjerrin tym, digjen ullinj, banesë dhe automjet

Dy ditë pas përhapjes së zjarrit në kodrat mes Priskës, Farkës dhe Lundrës, situata është vënë nën kontroll, por operacioni për shuarjen dhe monitorimin e vatrave vijon ende. Në zonat e prekura nga flakët shfaqen herë pas here shtëllunga tymi, ndërsa ekipet zjarrfikëse po punojnë nga toka për të neutralizuar çdo vatër të mbetur dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit. Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore, i cili vazhdon hedhjet e ujit, kryesisht në sektorin e Priskës në drejtim të Dajtit. Në këtë zonë një tjetër vatër zjarri raportohet aktive prej rreth një jave. Zjarri që përfshiu territorin pranë fshatrave Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël dhe Daias u përhap kryesisht në zona me parcela të mbjella. Pamjet e marra nga ajri tregojnë dy parcela me ullinj të dëmtuara rëndë nga flakët. Pranë zonave të banuara, situata paraqiti rrezik edhe për disa banesa. Një prej tyre, e cila raportohet se nuk përdorej për banim, u përfshi nga zjarri dhe u dëmtua. Në afërsi të saj, flakët shkrumbuan edhe një automjet, nga i cili në terren ka mbetur vetëm skeleti. Përveç tokave bujqësore, zjarri përfshiu edhe sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe zona pyjore në luginën që shtrihet poshtë kodrave. Zjarri nisi pasditen e së mërkurës dhe rrezikoi disa fshatra të zonës. Në përpjekje për të ndalur përhapjen e flakëve u angazhuan dhjetëra efektivë zjarrfikës dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Situata u përmirësua gjatë mesditës së së enjtes, ndërsa reshjet e shiut që ranë për një periudhë të shkurtër ndihmuan në frenimin e flakëve. Aktualisht, ekipet vijojnë kontrollin dhe monitorimin e terrenit për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit. Ndërkohë, vlerësimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga zjarri ende nuk ka përfunduar.

JET SKI HYRI NË ZONËN E PUSHUESVE/ Policia e bllokon në Ksamil, pronari gjobitet me 500 mijë lekë
Aktualitet
13 gusht 2026

JET SKI HYRI NË ZONËN E PUSHUESVE/ Policia e bllokon në Ksamil, pronari gjobitet me 500 mijë lekë

Një Jet Ski është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në Ksamil, pasi mjeti lundrues kishte hyrë në zonën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve, ku qytetarët po laheshin. Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj për shkeljen e rregullave dhe rrezikimin e sigurisë së qytetarëve. Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror. Gjatë një patrullimi në zonën detare të Ksamilit, konkretisht në vendin e njohur si “Tre Ishujt”, efektivët konstatuan një mjet lundrues të tipit Jet Ski që kishte kaluar brenda perimetrit të sigurisë. Mjeti ndodhej në hapësirën ku pushuesit po laheshin, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre. Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski u bllokua nga autoritetet. Pronari i tij, shtetasi me inicialet A. P., u gjobit me 500 000 lekë të rinj për shkeljen e rregullave të sigurisë në zonën bregdetare. Autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e kontrolleve përgjatë bregdetit për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.

ZYRTARE/ Dushan Vlahoviç i jep fund aventurës te Juventusi, firmos me Beshiktashin për 7.5 milionë euro në sezon
Sport
13 gusht 2026

ZYRTARE/ Dushan Vlahoviç i jep fund aventurës te Juventusi, firmos me Beshiktashin për 7.5 milionë euro në sezon

Dushan Vlahoviç nuk është më pjesë e Juventusit dhe ka vendosur të vazhdojë karrierën në Turqi, ku do të veshë fanellën e Beshiktashit. Klubi turk ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit serb, i cili ka nënshkruar një kontratë trevjeçare. Marrëveshja e re e mban Vlahoviçin te Beshiktashi nga sezoni 2026-2027 deri në përfundim të sezonit 2028-2029. Sulmuesi do të përfitojë një pagë prej 7.5 milionë eurosh neto për çdo sezon. Largimi nga Juventusi vjen pas një periudhe të gjatë pasigurie rreth të ardhmes së tij në Torino. Rinovimi i kontratës me klubin italian nuk arriti të plotësonte kërkesat e futbollistit, ndërsa për shërbimet e tij interes ishin shfaqur edhe disa klube nga Premier League. Beshiktashi ka bërë zyrtarizimin përmes një komunikate në kanalet e klubit, ku ka konfirmuar transferimin dhe kushtet e marrëveshjes me futbollistin serb. “Mirë se vjen te Beshiktash, Dushan Vlahoviç!”, ishte mesazhi i klubit turk për afrimin e sulmuesit. Me transferimin në Stamboll, Vlahoviç hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e kampionatit turk. Në krahun tjetër, Beshiktashi siguron shërbimet e një prej sulmuesve më të spikatur të merkatos së verës.

Zelensky i drejtohet Trumpit për raketat Patriot/ “Na shisni 5% të arsenalit dhe do ta përballojmë dimrin”
Bota
13 gusht 2026

Zelensky i drejtohet Trumpit për raketat Patriot/ “Na shisni 5% të arsenalit dhe do ta përballojmë dimrin”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që t’i shesë Ukrainës më shumë raketa interceptuese Patriot, duke e lidhur forcimin e mbrojtjes ajrore me mundësinë e vendit për të përballuar sulmet ruse gjatë muajve të dimrit. Në një intervistë për CNN, Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund t’i ofrojnë Ukrainës një pjesë të rezervave të tyre të raketave Patriot. Sipas presidentit ukrainas, një sasi që përfaqëson 5% të arsenalit amerikan do të ishte e mjaftueshme për të kaluar dimrin dhe për të mbrojtur jetë njerëzish, ndërsa 10% do t’i jepte Ukrainës mundësinë për të përballuar raketat balistike ruse. “Na shisni 5% dhe do ta kalojmë dimrin duke shpëtuar jetë. Nëse mund të na shisni 10%, do të shkatërrojmë të gjitha raketat balistike të rusëve”, deklaroi Zelensky. Kreu i shtetit ukrainas tha se gjatë këtij viti vendi i tij ka pasur rreth dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese në krahasim me vitin 2025. Në të njëjtën kohë, sipas tij, Rusia ka shtuar përdorimin e raketave balistike në sulmet ndaj Ukrainës. Zelensky theksoi se Ukraina përballet me sulme ajrore pothuajse çdo natë, ndërsa disa herë brenda muajit sulmet marrin përmasa më të mëdha dhe përfshijnë një numër të konsiderueshëm raketash dhe dronësh. Kievi ka zhvilluar prej muajsh negociata me aleatët për të siguruar raketa dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore Patriot. Megjithatë, sipas Zelenskyt, Ukraina ende nuk ka marrë përgjigjen që pret nga partnerët e saj. Ai shtoi se disa përpjekje për sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore janë duke u zhvilluar në mënyrë konfidenciale. Gjatë intervistës, presidenti ukrainas foli edhe për përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës. Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se nuk ka vullnet për t'i dhënë fund konfliktit dhe përsëriti qëndrimin e Kievit se Ukraina nuk do të pranojë të heqë dorë nga territoret që ende kontrollon në Donbas. Zelensky kërkoi gjithashtu që çdo marrëveshje e ardhshme për përfundimin e luftës të shoqërohet me garanci të fuqishme sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Ukrainës.

Ferran Torres pranë PSG-së/ Pakënaqësi në dhomat e zhveshjes së Barcelonës pas heshtjes së sulmuesit
Sport
12 gusht 2026

Ferran Torres pranë PSG-së/ Pakënaqësi në dhomat e zhveshjes së Barcelonës pas heshtjes së sulmuesit

Transferimi i mundshëm i Ferran Torres te PSG ka krijuar një situatë të tensionuar në ambientin e Barcelonës. Sipas gazetarit Gerard Romero, disa nga futbollistët kryesorë të skuadrës katalanase janë befasuar dhe kanë mbetur të zhgënjyer nga fakti që sulmuesi spanjoll nuk u ka komunikuar planet e tij për të ardhmen. Edhe pse Torres ka vijuar të mbajë kontakte të rregullta me shokët e skuadrës gjatë kësaj periudhe, ai nuk i ka informuar ata për vendimin e tij për t'u larguar nga Barcelona. Ky qëndrim raportohet se ka prekur veçanërisht disa lojtarë me të cilët spanjolli ka krijuar marrëdhënie të afërta gjatë viteve të tij në klub. Në aspektin sportiv, largimi i Torres do të përbënte një humbje të rëndësishme për Barcelonën, ndërsa PSG duket se ka bërë një investim të konsiderueshëm për të siguruar shërbimet e sulmuesit. Sipas raportimeve, marrëveshja mes Barcelonës dhe klubit francez parashikon një pagesë fikse prej 50 milionë eurosh. Përveç kësaj shume, kontrata përfshin edhe 5 milionë euro të tjera në formën e bonuseve, të cilat lidhen me paraqitjet dhe objektivat e vendosura për futbollistin. Transferimi pritet të sjellë ndryshime jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në marrëdhëniet brenda grupit të Barcelonës, teksa lojtarët kanë mbetur të befasuar nga mënyra se si është menaxhuar situata nga Torres.

Eurovision ndryshon rregullat/ Vendi fitues mund të mos e organizojë edicionin e ardhshëm
Kultura
12 gusht 2026

Eurovision ndryshon rregullat/ Vendi fitues mund të mos e organizojë edicionin e ardhshëm

Eurovisioni nuk do të zhvillohet më domosdoshmërisht në shtetin që shpallet fitues i konkursit. Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka miratuar ndryshime në rregulloren e garës, duke parashikuar se vendi fitues mund të mos ketë të drejtën për të organizuar edicionin pasardhës nëse ndodhet në një konflikt të armatosur apo përballet me një situatë të ndjeshme gjeopolitike që mund të cenojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Ndryshimet janë përfshirë në rregulloren e re pas rishikimit vjetor të konkursit dhe prekin një prej traditave më të njohura të Eurovisionit, sipas së cilës shteti fitues merr përsipër organizimin e edicionit të ardhshëm. Sipas dispozitave të reja, transmetuesi i vendit fitues mund të konsiderohet i papërshtatshëm për organizimin e konkursit nëse një konflikt i armatosur, tensionet gjeopolitike apo rrethana të tjera krijojnë kërcënim për sigurinë, stabilitetin ose zhvillimin normal të eventit, qoftë në vendin pritës apo në zonat përreth. Në një situatë të tillë, EBU ka të drejtë t'ia besojë organizimin një transmetuesi tjetër. Ky transmetues do të marrë përsipër përgjegjësinë dhe detyrimet për zhvillimin e konkursit. Nga Ukraina te rregullorja e re Vendimi i EBU-së vjen pas rasteve kur Eurovisioni është organizuar në një shtet tjetër nga ai që kishte fituar konkursin. Në vitin 2023, eventi u zhvillua në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse Ukraina ishte shpallur fituese një vit më parë. Për shkak të luftës me Rusinë, Ukraina nuk ishte në gjendje të organizonte konkursin dhe përgjegjësia për përgatitjen dhe zhvillimin e eventit iu kalua transmetuesit britanik. Edicioni i këtij viti u shoqërua gjithashtu me polemika rreth pjesëmarrjes së Izraelit. Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia vendosën të tërhiqeshin nga gara pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit, në një kohë kur lufta në Gaza vijonte të shkaktonte debate ndërkombëtare. Izraeli përfundoi në vendin e dytë në finalen e këtij viti, duke përsëritur të njëjtin pozicion të arritur edhe në vitin 2025. EBU argumenton se ndryshimi i rregullores synon të garantojë më shumë qartësi dhe siguri për artistët, delegacionet dhe ekipet që angazhohen në organizimin e konkursit. Në rastet kur nuk ekziston një luftë e drejtpërdrejtë, por ka rrethana që mund të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit, parashikohet edhe kryerja e një vlerësimi të pavarur të situatës së sigurisë. Me rregullat e reja, fitorja në Eurovision nuk lidhet më automatikisht me të drejtën për të organizuar edicionin e ardhshëm. Siguria dhe kushtet në shtetin fitues do të jenë tashmë faktorë të rëndësishëm në përcaktimin e vendit ku do të zhvillohet konkursi.

SHBA i kërkon Ukrainës të ndalë sulmet ndaj cisternave në Detin e Zi/ Vance i drejtohet Zelenskyt
Bota
12 gusht 2026

SHBA i kërkon Ukrainës të ndalë sulmet ndaj cisternave në Detin e Zi/ Vance i drejtohet Zelenskyt

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ukrainës të kufizojë sulmet me dronë ndaj cisternave të naftës në Detin e Zi, pranë një terminali të lidhur me Konsorciumin e Gazsjellësit Kaspik (CPC), ku kanë investime edhe kompani amerikane. Sipas raportimit të Financial Times, çështja është diskutuar nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një telefonate më 31 korrik. CPC transporton naftë bruto nga Kazakistani, përmes territorit rus, drejt një terminali detar pranë Novorossiysk, prej nga ngarkesat eksportohen më tej drejt tregjeve evropiane dhe aziatike. Konsorciumi ka aksionarë nga Rusia, Kazakistani dhe vendet perëndimore. Në mesin e kompanive amerikane që kanë interesa në këtë projekt janë gjigantët e energjisë Chevron dhe ExxonMobil. Burime të cituara nga Financial Times bëjnë me dije se administrata amerikane është shqetësuar se sulmet ukrainase mund të dëmtojnë interesat e kompanive amerikane dhe të krijojnë pasoja në tregjet ndërkombëtare të naftës. Për këtë arsye, Vance i ka kërkuar Zelenskyt që sulmet ndaj cisternave pranë terminalit të ndalen. Pas kërkesës së Uashingtonit, autoritetet ukrainase raportohet se kanë vendosur procedura të reja për përcaktimin e objektivave. Një zyrtar i lartë ukrainas deklaroi për gazetën se Kievi i merr seriozisht shqetësimet e partnerëve amerikanë. Sipas raportimit, çështja e sulmeve mund të jetë përdorur edhe nga Ukraina në kuadër të negociatave me administratën amerikane. Një burim i Financial Times tha se Kievi pranoi kërkesën e Uashingtonit në një periudhë kur po kërkonte një licencë për prodhimin e raketave interceptuese Patriot. Administrata amerikane kishte shprehur më herët angazhimin për të mbështetur Ukrainën, por dërgesat shtesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore janë vënë në pikëpyetje për shkak të nevojave të krijuara nga konflikti me Iranin. Nga ana tjetër, Rusia i ka cilësuar sulmet ndaj cisternave si “akte terroriste” dhe ka akuzuar Ukrainën për goditje ndaj infrastrukturës civile. Edhe Kazakistani ka kundërshtuar sulmet, duke i konsideruar të papranueshme për interesat e tij ekonomike dhe duke paralajmëruar për ndikim të mundshëm në tregtinë e energjisë dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Ukraina nuk ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmet. Ndërkohë, Kievi u ka bërë thirrje Kazakistanit dhe vendeve të tjera të prekura që të shmangin akuzat që autoritetet ukrainase i konsiderojnë të nxituara dhe të pambështetura në prova.

Eklipsi diellor në qiellin e Tiranës/ Hëna mbulon Diellin dhe krijon një pamje spektakolare
Kuriozitete
12 gusht 2026

Eklipsi diellor në qiellin e Tiranës/ Hëna mbulon Diellin dhe krijon një pamje spektakolare

Një fenomen i rrallë astronomik është shfaqur edhe mbi qiellin e Shqipërisë këtë të mërkurë, ku Hëna ka kaluar përpara Diellit duke e mbuluar atë për disa minuta. Eklipsi ka krijuar një pamje të veçantë në qiell, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit. Pamjet e këtij momenti janë shpërndarë gjerësisht, duke dokumentuar një nga ngjarjet më të veçanta astronomike të vitit. Eklipsi total i Diellit u bë i dukshëm edhe nga Shqipëria, duke sjellë një ndryshim të përkohshëm në pamjen e qiellit. Për disa minuta, Hëna u pozicionua përpara Diellit dhe mbuloi plotësisht diskun e tij. Interesi për këtë fenomen ka qenë i madh edhe në vende të tjera të botës. Mijëra persona kanë udhëtuar drejt destinacioneve si Spanja, Islanda dhe Grenlanda, me qëllim për ta ndjekur eklipsin nga zona ku kushtet për vëzhgim ishin më të favorshme. Eklipset totale të Diellit konsiderohen ndër fenomenet më mbresëlënëse astronomike. Ato ndodhin kur Hëna kalon mes Tokës dhe Diellit dhe për një periudhë të shkurtër bllokon dritën e Diellit, duke krijuar një pamje të pazakontë në qiell.

Lajmet e Fundit — Faqja 5 nga 11 | Albest