Një Jet Ski është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në Ksamil, pasi mjeti lundrues kishte hyrë në zonën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve, ku qytetarët po laheshin.
Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj për shkeljen e rregullave dhe rrezikimin e sigurisë së qytetarëve.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.
Gjatë një patrullimi në zonën detare të Ksamilit, konkretisht në vendin e njohur si “Tre Ishujt”, efektivët konstatuan një mjet lundrues të tipit Jet Ski që kishte kaluar brenda perimetrit të sigurisë.
Mjeti ndodhej në hapësirën ku pushuesit po laheshin, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.
Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski u bllokua nga autoritetet. Pronari i tij, shtetasi me inicialet A. P., u gjobit me 500 000 lekë të rinj për shkeljen e rregullave të sigurisë në zonën bregdetare.
Autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e kontrolleve përgjatë bregdetit për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.