Dushan Vlahoviç nuk është më pjesë e Juventusit dhe ka vendosur të vazhdojë karrierën në Turqi, ku do të veshë fanellën e Beshiktashit. Klubi turk ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit serb, i cili ka nënshkruar një kontratë trevjeçare.
Marrëveshja e re e mban Vlahoviçin te Beshiktashi nga sezoni 2026-2027 deri në përfundim të sezonit 2028-2029. Sulmuesi do të përfitojë një pagë prej 7.5 milionë eurosh neto për çdo sezon.
Largimi nga Juventusi vjen pas një periudhe të gjatë pasigurie rreth të ardhmes së tij në Torino. Rinovimi i kontratës me klubin italian nuk arriti të plotësonte kërkesat e futbollistit, ndërsa për shërbimet e tij interes ishin shfaqur edhe disa klube nga Premier League.
Beshiktashi ka bërë zyrtarizimin përmes një komunikate në kanalet e klubit, ku ka konfirmuar transferimin dhe kushtet e marrëveshjes me futbollistin serb.
“Mirë se vjen te Beshiktash, Dushan Vlahoviç!”, ishte mesazhi i klubit turk për afrimin e sulmuesit.
Me transferimin në Stamboll, Vlahoviç hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e kampionatit turk. Në krahun tjetër, Beshiktashi siguron shërbimet e një prej sulmuesve më të spikatur të merkatos së verës.