Dy ditë pas përhapjes së zjarrit në kodrat mes Priskës, Farkës dhe Lundrës, situata është vënë nën kontroll, por operacioni për shuarjen dhe monitorimin e vatrave vijon ende.
Në zonat e prekura nga flakët shfaqen herë pas here shtëllunga tymi, ndërsa ekipet zjarrfikëse po punojnë nga toka për të neutralizuar çdo vatër të mbetur dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore, i cili vazhdon hedhjet e ujit, kryesisht në sektorin e Priskës në drejtim të Dajtit. Në këtë zonë një tjetër vatër zjarri raportohet aktive prej rreth një jave.
Zjarri që përfshiu territorin pranë fshatrave Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël dhe Daias u përhap kryesisht në zona me parcela të mbjella. Pamjet e marra nga ajri tregojnë dy parcela me ullinj të dëmtuara rëndë nga flakët.
Pranë zonave të banuara, situata paraqiti rrezik edhe për disa banesa. Një prej tyre, e cila raportohet se nuk përdorej për banim, u përfshi nga zjarri dhe u dëmtua.
Në afërsi të saj, flakët shkrumbuan edhe një automjet, nga i cili në terren ka mbetur vetëm skeleti.
Përveç tokave bujqësore, zjarri përfshiu edhe sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe zona pyjore në luginën që shtrihet poshtë kodrave.
Zjarri nisi pasditen e së mërkurës dhe rrezikoi disa fshatra të zonës. Në përpjekje për të ndalur përhapjen e flakëve u angazhuan dhjetëra efektivë zjarrfikës dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Situata u përmirësua gjatë mesditës së së enjtes, ndërsa reshjet e shiut që ranë për një periudhë të shkurtër ndihmuan në frenimin e flakëve.
Aktualisht, ekipet vijojnë kontrollin dhe monitorimin e terrenit për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit. Ndërkohë, vlerësimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga zjarri ende nuk ka përfunduar.