Kylian Mbappe ka dhënë një mesazh të qartë për tifozët e Real Madridit përpara nisjes së sezonit të ri, duke shprehur bindjen se skuadra madrilene do të rikthehet te fitimi i trofeve.
Në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit, sulmuesi francez foli për përgatitjet para sezonit, objektivat e ekipit dhe bashkëpunimin me trajnerin Jose Mourinho.
Real Madridi e përfundoi sezonin 2025/26 pa fituar asnjë trofe, ndërsa Mbappe synon të luajë një rol të rëndësishëm në rikthimin e “Los Blancos” në majat e futbollit evropian.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer dhe që po marr përshtypjet e para me ekipin, stafin e ri të trajnerëve, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që punojnë në Valdebebas. Është gjithmonë bukur të rikthehesh këtu dhe të përgatitesh për sezonin”, deklaroi Mbappe.
Francezi u ndal edhe te marrëdhënia me trajnerin Jose Mourinho, duke vlerësuar eksperiencën dhe mentalitetin fitues të teknikut portugez.
“Kemi folur shumë gjatë Kupës së Botës, por edhe gjatë ditëve të fundit këtu. Është shumë pozitive të kesh një trajner me kaq shumë përvojë, që di të fitojë dhe e di rrugën që duhet të ndjekim për të arritur fitoret”, u shpreh sulmuesi.
Mbappe më pas dha një premtim të fortë për tifozët e Real Madridit, duke theksuar se objektivi i skuadrës është rikthimi te titujt.
“Besoj se duhet të fitojmë dhe jam i sigurt se këtë vit do të rikthehemi te fitimi i titujve. Jam i bindur për këtë.”
Ylli francez theksoi se dëshira për sukses është e madhe brenda skuadrës dhe se lojtarët janë të motivuar për të zhvilluar një sezon të suksesshëm.
“Kjo është ajo që duam dhe do të ndodhë, sepse e ndiej se skuadra e ka dëshirën. Do të qëndrojmë të fokusuar gjatë gjithë vitit për t’i bërë tifozët e Real Madridit të lumtur, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të fitosh tituj me këtë ekip dhe të ndjesh gëzimin e tifozëve”, përfundoi Mbappe.