Eurovisioni nuk do të zhvillohet më domosdoshmërisht në shtetin që shpallet fitues i konkursit. Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka miratuar ndryshime në rregulloren e garës, duke parashikuar se vendi fitues mund të mos ketë të drejtën për të organizuar edicionin pasardhës nëse ndodhet në një konflikt të armatosur apo përballet me një situatë të ndjeshme gjeopolitike që mund të cenojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.
Ndryshimet janë përfshirë në rregulloren e re pas rishikimit vjetor të konkursit dhe prekin një prej traditave më të njohura të Eurovisionit, sipas së cilës shteti fitues merr përsipër organizimin e edicionit të ardhshëm.
Sipas dispozitave të reja, transmetuesi i vendit fitues mund të konsiderohet i papërshtatshëm për organizimin e konkursit nëse një konflikt i armatosur, tensionet gjeopolitike apo rrethana të tjera krijojnë kërcënim për sigurinë, stabilitetin ose zhvillimin normal të eventit, qoftë në vendin pritës apo në zonat përreth.
Në një situatë të tillë, EBU ka të drejtë t'ia besojë organizimin një transmetuesi tjetër. Ky transmetues do të marrë përsipër përgjegjësinë dhe detyrimet për zhvillimin e konkursit.
Nga Ukraina te rregullorja e re
Vendimi i EBU-së vjen pas rasteve kur Eurovisioni është organizuar në një shtet tjetër nga ai që kishte fituar konkursin. Në vitin 2023, eventi u zhvillua në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse Ukraina ishte shpallur fituese një vit më parë.
Për shkak të luftës me Rusinë, Ukraina nuk ishte në gjendje të organizonte konkursin dhe përgjegjësia për përgatitjen dhe zhvillimin e eventit iu kalua transmetuesit britanik.
Edicioni i këtij viti u shoqërua gjithashtu me polemika rreth pjesëmarrjes së Izraelit. Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia vendosën të tërhiqeshin nga gara pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit, në një kohë kur lufta në Gaza vijonte të shkaktonte debate ndërkombëtare.
Izraeli përfundoi në vendin e dytë në finalen e këtij viti, duke përsëritur të njëjtin pozicion të arritur edhe në vitin 2025.
EBU argumenton se ndryshimi i rregullores synon të garantojë më shumë qartësi dhe siguri për artistët, delegacionet dhe ekipet që angazhohen në organizimin e konkursit. Në rastet kur nuk ekziston një luftë e drejtpërdrejtë, por ka rrethana që mund të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit, parashikohet edhe kryerja e një vlerësimi të pavarur të situatës së sigurisë.
Me rregullat e reja, fitorja në Eurovision nuk lidhet më automatikisht me të drejtën për të organizuar edicionin e ardhshëm. Siguria dhe kushtet në shtetin fitues do të jenë tashmë faktorë të rëndësishëm në përcaktimin e vendit ku do të zhvillohet konkursi.