Autoritetet spanjolle dhe marokene kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në kufirin e Ceutës, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale për një përpjekje të re masive për hyrje të parregullt në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut.

Mijëra efektivë të forcave të sigurisë nga të dyja vendet janë angazhuar për të monitoruar situatën, ndërsa autoritetet në Madrid dhe Rabat po ndjekin nga afër aktivitetin në internet dhe po bashkërendojnë masat për parandalimin e çdo tentative të paligjshme kalimi.

Situata ka ngritur shqetësim pas mbërritjes së një numri të madh emigrantësh në Ceuta gjatë muajit të kaluar. Në rrjetet sociale janë shpërndarë thirrje për një tjetër përpjekje masive për të kaluar kufirin më 15 gusht.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Marokut, Rachid El Halfi, deklaroi se autoritetet kanë marrë masat përkatëse për t'iu përgjigjur çdo tentative për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në anën spanjolle, ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska vizitoi Ceutën për të inspektuar situatën në kufi, infrastrukturën ekzistuese dhe masat e reja të sigurisë.

Mes masave të marra është edhe forcimi i barrierave detare, të projektuara për të parandaluar përpjekjet për hyrje në enklavë përmes detit.

Prania e forcave të sigurisë është shtuar ndjeshëm në Ceuta, me qindra efektivë policie dhe mijëra ushtarë të angazhuar në përforcimin e kufirit.

“Po e bëjmë këtë për të parandaluar këdo që synon të hyjë në mënyrë të parregullt në Ceuta dhe Melilla”, deklaroi ministri spanjoll i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska.

Autoritetet e Spanjës dhe Marokut vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të lartë, ndërsa po monitorojnë nëse thirrjet e publikuara në rrjetet sociale do të pasohet nga një tentativë e re masive për kalimin e kufirit.