Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ukrainës të kufizojë sulmet me dronë ndaj cisternave të naftës në Detin e Zi, pranë një terminali të lidhur me Konsorciumin e Gazsjellësit Kaspik (CPC), ku kanë investime edhe kompani amerikane.
Sipas raportimit të Financial Times, çështja është diskutuar nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një telefonate më 31 korrik.
CPC transporton naftë bruto nga Kazakistani, përmes territorit rus, drejt një terminali detar pranë Novorossiysk, prej nga ngarkesat eksportohen më tej drejt tregjeve evropiane dhe aziatike.
Konsorciumi ka aksionarë nga Rusia, Kazakistani dhe vendet perëndimore. Në mesin e kompanive amerikane që kanë interesa në këtë projekt janë gjigantët e energjisë Chevron dhe ExxonMobil.
Burime të cituara nga Financial Times bëjnë me dije se administrata amerikane është shqetësuar se sulmet ukrainase mund të dëmtojnë interesat e kompanive amerikane dhe të krijojnë pasoja në tregjet ndërkombëtare të naftës. Për këtë arsye, Vance i ka kërkuar Zelenskyt që sulmet ndaj cisternave pranë terminalit të ndalen.
Pas kërkesës së Uashingtonit, autoritetet ukrainase raportohet se kanë vendosur procedura të reja për përcaktimin e objektivave. Një zyrtar i lartë ukrainas deklaroi për gazetën se Kievi i merr seriozisht shqetësimet e partnerëve amerikanë.
Sipas raportimit, çështja e sulmeve mund të jetë përdorur edhe nga Ukraina në kuadër të negociatave me administratën amerikane. Një burim i Financial Times tha se Kievi pranoi kërkesën e Uashingtonit në një periudhë kur po kërkonte një licencë për prodhimin e raketave interceptuese Patriot.
Administrata amerikane kishte shprehur më herët angazhimin për të mbështetur Ukrainën, por dërgesat shtesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore janë vënë në pikëpyetje për shkak të nevojave të krijuara nga konflikti me Iranin.
Nga ana tjetër, Rusia i ka cilësuar sulmet ndaj cisternave si “akte terroriste” dhe ka akuzuar Ukrainën për goditje ndaj infrastrukturës civile. Edhe Kazakistani ka kundërshtuar sulmet, duke i konsideruar të papranueshme për interesat e tij ekonomike dhe duke paralajmëruar për ndikim të mundshëm në tregtinë e energjisë dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Ukraina nuk ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmet. Ndërkohë, Kievi u ka bërë thirrje Kazakistanit dhe vendeve të tjera të prekura që të shmangin akuzat që autoritetet ukrainase i konsiderojnë të nxituara dhe të pambështetura në prova.