LIGJI PËR SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
LIGJ Nr.8136, datë 31.7.1996, Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 21 (Ndryshuar me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005, botuar në FZ nr. 45) (Ndryshuar me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014, botuar në FZ nr. 137) PËR SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Presidentit të Republikës.
KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I QËLLIMI DHE DETYRAT E SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS
Neni 1 Krijohet Shkolla e Magjistraturës, e cila është institucion publik buxhetor dhe gëzon cilësinë e personit juridik. Shkolla e Magjistraturës gëzon autonomi administrative, akademike dhe financiare për realizimin e qëllimeve dhe të detyrave të caktura në këtë ligj. Qendra e Shkollës së Magjistraturës është në Tiranë. Neni 2 (Ndryshuar me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Shkolla e Magjistraturës siguron formimin profesional të magjistratëve (gjyqtarë, prokurorë). Formimi profesional përfshin programin e formimit fillestar të kandidatëve për magjistratë dhe të formimit vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë. Shkolla e Magjistraturës, në përputhje me ligjin ose me kërkesë të institucioneve të interesuara, në varësi të kapaciteteve të lira, që i krijohen nga veprimtaria për formimin fillestar dhe atë vazhdues të magjistratëve, si dhe të fondeve përkatëse, që i vihen në dispozicion nga institucionet përgjegjëse apo donatorët, realizon edhe veprimtari të formimit profesional të punonjësve të administratës gjyqësore, si dhe të profesioneve të tjera juridike, që lidhen me sistemin e drejtësisë. Neni 3 (Ndryshuar me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Shkolla e Magjistraturës ka buxhetin e vet zë të veçantë në Buxhetin e Shtetit. Për ushtrimin e veprimtarive dhe në funksion të misionit të saj, Shkolla e Magjistraturës ka të drejtë të përfitojë e të përdorë të ardhura të tjera, të realizuara nga: 1 a) financime ose dhurime, të siguruara sipas ligjit, nga institucione apo persona juridikë a fizikë, vendas apo të huaj; b) shitja e botimeve dhe e publikimeve të saj; c) pagesa të të tretëve për veprimtari formimi, të organizuara nga ajo, apo shërbime të tjera profesionale, të ofruara prej saj; ç) pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme që ka në administrim; d) burime të tjera të ligjshme. Neni 4 (Zëvendësuar fjalët në shkronnjën “b” me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Fondet, të ardhurat dhe pasuria e Shkollës së Magjistraturës i shërbejnë kryerjes së veprimtarisë dhe funksionimit të saj. Këtu përfshihen: a) pagat e personelit mësimdhënës, të specialistëve, përgjegjësve të stazheve dhe të personelit administrativ; b) shpërblimet e kandidatëve për magjistratë; c) kryerja e punimeve apo shërbimeve, si dhe blerja e objekteve për qëllime të veprimtarisë së shkollës; ç) veprimtari të tjera të miratura nga Këshilli Drejtues në kuadrin e qëllimit të Shkollës.
KREU II DREJTIMI DHE ORGANIZIMI I SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS
Neni 5 (Ndryshuar shkronjat “a” dhe “d” me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Organet drejtuese janë: a) Këshilli Drejtues b) Drejtori i Shkollës c) Këshilli pedagogjik d) Komisioni disiplinor. Neni 6 (Ndryshuar pika 1 dhe 2 e paragrafi i parë i pikës 3, shfuqizuar pika 4 me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005); (Ndryshuar shkronjat “ç”, “e”, “f” në paragrafin e parë; shkronjat “b” dhe “e” në paragrafin e dytë dhe shtuar paragrafi i katërt dhe në pikën 1 të nenit shkronjat “ç”, “d”, “e”, “ë”, “f”, “g” të ligjit, qëndrojnë në detyrë deri në datën 1 shtator 2014 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) 1. Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka këtë përbërje: a) Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili kryen njëkohësisht funksionin e Kryetarit të Këshillit Drejtues; b) Prokurori i Përgjithshëm, i cili kryen njëkohësisht funksionin e Zëvendëskryetarit të Këshillit Drejtues; c) Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë; 2 ç) Një gjyqtar dhe një prokuror me përvojë, që caktohen përkatësisht nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore dhe nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve. Anëtari i zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore nuk mund të jetë njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtari i zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve nuk mund të jetë njëkohësisht anëtar i Këshillit të Prokurorisë; d) dy përfaqësues të caktuar nga Ministri i Drejtësisë; dh) Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë; e) Një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që caktohet nga radhët e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë me përvojë të spikatur në fushën juridike; ë) Drejtori i Shkollës së Magjistraturës; f) Përgjegjësit e trajnimit fillestar dhe vazhdues, si dhe dy pedagogë të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës; g) dy studentë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Asambleja e kandidatëve për magjistratë që ndjekin formimin fillestar. Anëtarët e Këshillit Drejtues, sipas shkronjave "ç" dhe "d" qëndrojnë në këtë detyrë për një afat katërvjeçar, përveç rasteve kur ata japin dorëheqjen, nuk ushtrojnë më funksionin apo detyrën, që motivon caktimin e tyre si anëtarë të Këshillit, ose lirohen nga kjo detyrë me vendim të organit që i ka caktuar. 2. Këshilli Drejtues ka këto detyra: a) ndjek zbatimin e kritereve për pranimin e kandidatëve, që do të ndjekin programin e formimit fillestar dhe shpall listën përfundimtare të tyre; b) Merr masa për zbatimin e rregullave të përzgjedhjes së trupës mësimdhënëse, si dhe bën emërimin dhe largimin e tyre nga detyra, me propozimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Drejtues ose të Drejtorit të Shkollës; c) përcakton brenda buxhetit strukturën organizative dhe kriteret e emërimit të personelit administrativ; ç) miraton dhe ndjek zbatimin e Rregullores së Brendshme të Shkollës dhe të programit vjetor të veprimtarive të saj; d) përcakton, me propozimin e Drejtorit, planin mësimor, rregullon raportet ndërmjet lëndëve për përgatitjen e përbashkët dhe të veçantë të kandidatëve, sipas profileve, gjyqtarë dhe prokurorë; dh) propozon projektbuxhetin dhe shqyrton raportet e Drejtorit për realizimin e buxhetit dhe shpenzimet e të ardhurave; e) Paraqet raporte vjetore përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Drejtësisë për rezultatet e arritura dhe drejtimet e punës për të ardhmen. 3. Këshilli Drejtues mblidhet së paku një herë në tre muaj. Koha, vendi dhe çështjet e rendit të ditës së mbledhjes caktohen nga Kryetari. Të drejtën për të kërkuar mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe përfshirjen e çështjeve në rendin e ditës e kanë edhe jo më pak se tre anëtarë të Këshillit ose Drejtori i Shkollës. Këshilli mblidhet jo më vonë se 15 ditë nga paraqitja e kërkesës me shkrim. Mbledhjet janë të vlefshme kur në to marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve. Vendimet merren me shumicë votash dhe, kur votat janë të barabarta, përcaktuese është vota e kryetarit. 4. Votimet që kanë të bëjnë me persona, drejtues, pedagogë etj. kryhen me votim të fshehtë, mbështetur në ligjin për vendimmarrjen e organeve kolegjiale. 3 Neni 7 (Ndryshuar paragrafin e parë dhe të dytë e dy paragrafët ë fundit, në paragrafin e tretë ndryshohen pika 2 e 7 me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) (Ndryshuar me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) Drejtor i Shkollës së Magjistraturës mund të emërohet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush së bashku këto kushte ligjore: a) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; b) të ketë punuar si gjyqtar ose prokuror për jo më pak se 10 vjet ose si jurist me jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale; c) të ketë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor” ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagog i brendshëm apo pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës; ç) të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; d) të mos ketë kryer gjatë 10 viteve të fundit asnjë funksion apo veprimtari me natyrë politike. Neni 7/1 (Shtuar neni 7/1 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) Drejtori i Shkollës së Magjistraturës emërohet nga Këshilli Drejtues i Shkollës, me konkurrim, mbi bazën e dokumentacionit, për një mandat 4-vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Në rastet kur Drejtori i Shkollës së Magjistraturës përzgjidhet nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve që plotësojnë kushtin e shkronjës b, të nenit 7, të këtij ligji, emërimi i tyre bëhet vetëm pasi të jetë dhënë pëlqimi, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ose Prokurori i Përgjithshëm, sipas kërkesës së Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Gjatë kohës së qëndrimit në funksion, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies. Periudha e ushtrimit të funksionit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës njihet si periudhë vjetërsie në punë, si gjyqtar a prokuror, për efekt të kërkesave të karrierës profesionale, të parashikuara në dispozitat ligjore për organizimin e pushtetit gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë. Gjyqtarët a prokurorët, që shërbejnë në funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, me kërkesë të tyre, rikthehen në vendet e punës që u ruhen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Prokuroria e Përgjithshme. Neni 8 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) (Ndryshuar neni me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) Drejtori i Shkollës së Magjistraturës ka këto detyra: a) Përfaqëson Shkollën e Magjistraturës në marrëdhënie me të tretët; 4 b) Harton dhe propozon në bashkëpunim me Këshillin Pedagogjik, projektin e Rregullores së Brendshme të Shkollës, projekt-programin vjetor të veprimtarive të saj, si dhe ndryshimin e tyre; c) Zbaton detyrat që burojnë nga ligjet dhe nga vendimet e Këshillit Drejtues dhe bashkëpunon me institucionet, të cilave iu raporton sipas këtij ligji; ç) Kërkon fonde nga shteti, donacione nga burime të tjera të ligjshme dhe administron në mënyrë të pavarur të ardhurat, sipas drejtimeve kryesore të përcaktuara nga Këshilli Drejtues, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 4; d) Merr masa për publikimin e literaturës dhe të teksteve; dh) Drejton trupin pedagogjik, bashkërendon punën me ta, kërkon dhe miraton programet mësimore të çdo lënde dhe kontrollon zbatimin e tyre dhe cilësinë e mësimdhënies, i propozon Këshillit Drejtues kandidatët për pedagogë të jashtëm, sipas kritereve të caktuar në këtë ligj; e) Në bashkëpunim me Këshillin Pedagogjik, i propozon Këshillit Drejtues, emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të personelit mësimdhënës dhe kancelarit. Lirimi nga detyra i personelit të brendshëm dhe të jashtëm mësimdhënës bëhet vetëm pasi të jenë paraqitur arsyet dhe të merret mendimi edhe i Këshillit Pedagogjik të Shkollës. Vlerësimi i kandidatëve për magjistratë për stafin mësimdhënës e shoqëron këtë proces. Nëse edhe Këshilli Pedagogjik jep mendim të favorshëm për lirimin nga detyra, atëherë drejtori i përcjell Këshillit Drejtues propozimin për vendimmarrje. ë) Emëron, liron ose shkarkon punonjësit e personelit administrativ të Shkollës, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës; f) Nën autoritetin e tij, kancelari i shkollës realizon veprimtarinë financiaroadministrative të institucionit. Neni 8/1 (Shtuar nen 8/1 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) Drejtori i Shkollës së Magjistraturës lirohet nga detyra kur: a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; b) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj; c) jep dorëheqjen; Drejtori i Shkollës së Magjistraturës mund të shkarkohet nga Këshilli Drejtues i Shkollës kur: a) deklarohet i paaftë mendor ose fizik nga organi përkatës shtetëror, b) kryen akte ose sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij dhe atë të Shkollës së Magjistraturës, c) për pamjaftueshmëri profesionale, në rast të mospërmbushjes së kritereve të caktuara nga ky ligj; ç) në rastet e moszbatimit të vendimeve të Këshillit Drejtues të Shkollës; d) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash; dh) për shkelje të dispozitave të këtij ligji. Neni 9 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) (Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) 1. Këshilli pedagogjik kryesohet nga Drejtori i Shkollës dhe ka në përbërje: 5 a) personelin mësimdhënës të brendshëm dhe titullarët e lëndëve kryesore, me karakter formues e profesional, të përcaktuar nga Këshilli Drejtues; b) një gjyqtar dhe një prokuror, të caktuar nga Këshilli Drejtues ndërmjet anëtarëve të këtij Këshilli. 2. Detyrat dhe rregullat për funksionimin e Këshillit Pedagogjik janë: a) merr pjesë në përgatitjen e planit mësimor të Formimit Fillestar dhe të Programit të Formimit Vazhdues; b) jep mendim për hartimin e listës së trajnerëve të jashtëm dhe të brendshëm të shkollës, duke analizuar çdo propozim që drejtori do t’ia përcjellë Këshillit Drejtues; c) analizon raportet e vlerësimit të punës së trajnerëve dhe pedagogëve ekzistues nga kandidatët për magjistratë dhe stafi mësimdhënës dhe i përcjell Këshillit Drejtues mendimin e tij për vijimësinë e ushtrimit të detyrës prej tyre; ç) merr pjesë, në përputhje me këtë ligj, në shqyrtimin e procesit disiplinor të iniciuar ndaj stafit mësimdhënës; d) miraton, për t’ia përcjellë Këshillit Drejtues si propozim, emrat e lektorëve, pedagogëve dhe trajnerëve të rinj që i shtohen stafit akademik të Shkollës së Magjistraturës; dh) shqyrton dhe miraton rekomandimet e asamblesë së kandidatëve për cikle speciale leksionesh në fusha specifike të së drejtës, etikës, sociologjisë dhe psikologjisë juridike, si dhe përpunon orientime për veprimtarinë praktike të kandidatëve gjatë stazhit paraprofesional dhe profesional; e) bën vlerësimin përfundimtar të kandidatëve të Formimit Fillestar, mbi bazën e rezultateve të arritura gjatë periudhës dyvjeçare të vitit teorik dhe stazhit paraprofesional dhe në përfundim të stazhit profesional. ë) ndjek në vazhdimësi zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues në veprimtarinë akademike të shkollës. Neni 10 Këshilli pedagogjik mblidhet me kërkesën e drejtorit të Shkollës. Mbledhjet e këshillit pedagogjik zhvillohen kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve dhe vendimet merren me shumicë votash. Kur votat janë të barabarta, përcaktuese është vota e kryetarit.
KREU III DISIPLINA
Neni 11 (Ndryshuar paragrafi i parë dhe riformuluar paragrafi i fundit i pikës 2 me ligjin nr.9414, datë 20.5.2005) 1. Komisioni disiplinor kryesohet nga Drejtori i Shkollës dhe ka në përbërje: a) një gjyqtar dhe një prokuror, të caktuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës, që nuk janë anëtarë të këshillit pedagogjik; b) dy pedagogë efektivë të shkollës, të caktuar nga këshilli pedagogjik; c) dy prej kandidatëve për magjistratë, të zgjedhur çdo vit, me votim të fshehtë, nga Asambleja e kandidatëve për magjistratë. 2. Komisioni disiplinor ka kompetencë të ushtrojë funksionet e një organi disiplinor, duke marrë masa disiplinore me shkrim ndaj kandidatëve për magjistratë, që shkelin rregullat e disiplinës të përcaktuar në këtë ligj dhe në rregulloren përkatëse. 6 Komisioni disiplinor mblidhet me kërkesën e drejtorit të shkollës ose me paraqitjen e një kërkese me shkrim nga personat e interesuar. Mbledhjet e komisionit disiplinor zhvillohen kur në to marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve. Neni 12 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) (Ndryshuar pika 7 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) 1. Shkeljet disiplinore, që mund të kryhen nga kandidatët për magjistratë, përcaktohen në rregulloren e shkollës. Masat disiplinore, që jepen për këto shkelje, janë: a) vërejtje; b) vërejtje me shkrim; c) vërejtje me paralajmërim; ç) transferim nga vendi i stazhit; d) ulje në pagë deri në masën 30 për qind, për një periudhë nga 3 deri në 6 muaj; dh) përjashtim nga shkolla. 2. Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat "a", "b" dhe "c" jepen nga Drejtori i Shkollës, kurse ato të parashikuara në shkronjat "ç", "d" dhe "dh" jepen nga komisioni disiplinor, me propozimin e Drejtorit të Shkollës ose të jo më pak se 3 prej anëtarëve të komisionit disiplinor. 3. Asnjë masë disiplinore nuk mund të jepet pa u dëgjuar më parë personi që procedohet. 4. Masat disiplinore, të dhëna nga Drejtori i Shkollës, mund të ankimohen në komisionin disiplinor, kurse ato të dhëna nga ky i fundit mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Tiranës brenda 10 ditëve nga data e komunikimit. Ankimi i bërë nuk e pezullon zbatimin e masës disiplinore për vitin e parë dhe të dytë. 5. Masa disiplinore nuk mund të jepet kur ka kaluar 1 vit nga kryerja e shkeljes. 6. Masat disiplinore, të dhëna sipas shkronjave "a" dhe "b" të pikës 1 të këtij neni, shlyhen pas një viti nga data e dhënies së tyre. 7. Rregullat e hollësishme për procedimin disiplinor të kandidatëve për magjistratë caktohen nga Këshilli Drejtues i shkollës. 8. Procedurat dhe vendimet e marra për procedimin disiplinor të kandidatëve për magjistratë pasqyrohen në dosjen e tyre personale.
KREU IV FUNKSIONIMI I SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS
Neni 13 (Zëvendësuar fjalët në paragrafin e parë me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Viti shkollor hapet të hënën e parë të muajit tetor dhe mbaron me 30 qershor të vitit pasardhës. Procedurat e konkursit zhvillohen gjatë muajit shtator. Neni 14 (Ndryshuar shkronja “b” me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Formimi fillestar i kandidatëve përfshin një periudhë tre vjeçare që përbëhet nga: 7 a) Një vit programi teorik me lëndë të ndryshme të së drejtës; b) një vit praktikë nën kujdesin e një pedagogu të shkollës dhe nën drejtimin e një gjyqtari apo prokurori me kualifikim të lartë; c) një vit praktik aktiv me ndjekjen e çështjeve më pak të komplikuara nën drejtimin e një gjyqtari ose prokurori (periudha e stazhit profesional). Programi teorik sipas gërmës a) të nenit 14 është i përbashkët për të gjithë kandidatët, ndërsa viti praktik dhe viti i stazhit profesional zhvillohen sipas profileve që ka zgjedhur kandidati si gjyqtar ose prokuror. Drejtori i shkollës afishon listën e gjykatave dhe prokurorive, ku do të zhvillohet stazhi, magjistratët përgjegjës dhe emrat e kandidatëve për secilën gjykatë dhe prokurori. Neni 15 (Zëvendësuar fjalët në paragrafin e parë dhe shfuqizuar paragrafin e dytë me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005); (Ndryshuar neni me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) 1. Pedagogët e brendshëm dhe të jashtëm emërohen nga Këshilli Drejtues me propozim të drejtorit ose çdo anëtari të Këshillit Drejtues. 2. Pedagogët e brendshëm zgjidhen nga radhët e juristëve më të shquar me eksperiencë mbi 15-vjeçare si juristë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe me eksperiencë mësimdhënëse universitare apo në Shkollën e Magjistraturës mbi 10 vjet. 3. Për lëndët kryesore mund të aktivizohen edhe pedagogë të jashtëm, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, për pedagogët e brendshëm. Nëse kandidati për pedagog i jashtëm vjen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve në detyrë, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duhet të plotësojnë kriteret e të qenit 10 vjet gjyqtar ose prokuror dhe me eksperiencë mësimdhënie universitare apo në Shkollën e Magjistraturës mbi 5 vjet. Për lëndët specifike aktivizohen specialistë të atyre fushave. 4. Pedagogët, për lëndët që zhvillojnë vetë, duhet të ndjekin edhe kurset dhe seminaret për trajnimin e trajnerëve që zhvillohen periodikisht nga shkolla apo institucione të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. 5. Përgjegjësit e trajnimit fillestar dhe vazhdues zgjidhen nga Këshilli Drejtues nga radhët e pedagogëve të brendshëm të shkollës. Neni 15/1 (Shtuar neni 15/1 me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) 1. Pranimi dhe emërimi i gjyqtarëve a prokurorëve si pedagogë të brendshëm kryhet duke konkurruar sipas kritereve të këtij ligji, si dhe pasi të jetë dhënë pëlqimi, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ose Prokurori i Përgjithshëm, sipas kërkesës dhe propozimeve të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. 2. Pedagogët e brendshëm gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Tiranë; kancelari barazohet me Kancelarin e Gjykatës së Apelit, Tiranë. 3. Periudha e ushtrimit të funksioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni njihet si periudhë vjetërsie në punë, si gjyqtar a prokuror, për efekt të kërkesave të karrierës profesionale, të parashikuara në dispozitat ligjore për organizimin e pushtetit gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë. 4. Gjyqtari ose prokurori qëndron në detyrë si pedagog i brendshëm për një periudhë 4- vjeçare, përveç rasteve kur jep dorëheqjen, ose shkarkohet nga organi përkatës. 8 5. Gjyqtarët a prokurorët, që shërbejnë në funksionin e pedagogut të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës, me kërkesë të tyre, rikthehen në vendet e punës që u ruhen nga KLD-ja apo Prokuroria e Përgjithshme. Neni 16 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Për pranimin e kandidatëve veprohet në këtë mënyrë: Drejtori i Shkollës, në përputhje me numrin e vendeve vakante, të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kandidatët për gjyqtarë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për kandidatët për prokurorë, shpall njoftimin për paraqitjen e kërkesave të kandidatëve, duke bërë të njohur dokumentet që duhet të shoqërojnë këtë kërkesë, datën e mbarimit të afatit për paraqitjen e tyre dhe listën e lëndëve, që do të shërbejnë si bazë për testimin e kandidatëve. Neni 17 (Hiqen fjalët "me gojë" nëparagrafin i parë me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) (Ndryshuar neni me ligjin nr. 97/2014, datë 24.7.2014) Kandidatët i nënshtrohen konkursit, i cili zhvillohet me shkrim dhe nën monitorim, i organizuar me dy faza, nga të cilat e para me natyre kualifikuese dhe me vlerësim elektronik, aspektet teknike të të cilit përcaktohen në rregulloren e shkollës. Kandidatët që kualifikohen në fazën e parë duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik, të kryer nga një komision i ngritur nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Ky komision, aspektet teknike të të cilit përcaktohen në rregulloren e shkollës, përbëhet nga dy mjekë psikiatër, dy psikologë dhe një pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës. Pas kalimit të këtij testimi, kandidatët pajisen me një leje aftësie për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit apo prokurorit dhe futen në fazën e dytë të konkurrimit, që zhvillohet me shkrim para një komisioni të përbërë prej 5-7 vetash, të caktuar nga Këshilli Drejtues, nga të cilët 2-3 pedagogë të brendshëm dhe 3-4 pedagogë të jashtëm me eksperiencë mësimdhënieje në Shkollën e Magjistraturës mbi pesë vjet. Këta të fundit nuk mund të jenë dy herë në mënyrë të njëpasnjëshme anëtarë komisioni. Në përfundim të konkurrimit nxirret lista e fituesve, e cila miratohet nga Këshilli Drejtues. Kandidatët e pranuar janë të detyruar të frekuentojnë rregullisht programin dhe të respektojnë rregulloren e shkollës. Neni 18 Kandidatët gjatë periudhës së ndjekjes së programit marrin një shpërblim të barabartë me 50% të pagës së gjyqtarit të gjykatës së rrethit për dy vitet e para të programit. Kandidati që përjashtohet ose largohet nga Shkolla në mënyrë të pajustifikuar detyrohet të kthejë shpërblimin e marrë gjatë periudhës së ndjekjes së programit teorik dhe të stazhit paraprofesional. 9 Neni 19 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Në përfundim të periudhës së parashikuar në shkronjën "b" të nenit 14 të këtij ligji, sipas vlerësimit të bërë nga këshilli pedagogjik i shkollës, kandidatët për magjistratë, sipas profileve të caktuara, caktohen përkohësisht për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë dhe prokurorë nga Presidenti i Republikës, me propozimin, përkatësisht, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Neni 19/ 1 (Shtuar neni 19/1 me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Vlerësimi i këshillit pedagogjik bëhet me 5 shkallë: a) shkëlqyeshëm; b) shumë mirë; c) mirë; ç) mjaftueshëm; d) pamjaftueshëm. Rregullat dhe procedurat e vlerësimit përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës. Neni 20 (Ndryshuar neni me ligjin nr. 9414, datë 20.5.2005) Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve bëhet nga këshilli pedagogjik, në bazë të rezultateve teorike dhe praktike të stazhit. Me kërkesë të Drejtorit të Shkollës, kryetari i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, ku zhvillohet stazhi, caktojnë gjyqtarë ose prokurorë, të cilët, pasi kontrollojnë punën e stazhierit, paraqesin raporte vlerësimi për të.