LIGJI PER AUTORITETIN E AVIACIONIT CIVIL

LIGJ Nr.10 233, datë 11.2.2010 PËR AUTORITETIN E AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Objekti i ligjit Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, që në vijim do të quhet "Autoriteti". Neni 2 Fusha e veprimtarisë së Autoritetit Fusha e veprimtarisë së Autoritetit është rregullimi dhe mbikëqyrja e të gjitha veprimtarive në fushën e transportit ajror civil në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të ligjit nr. 10 040, datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".

KREU II STATUSI, STRUKTURA DHE ADMINISTRIMI I AUTORITETIT

 Neni 3 Statusi i Autoritetit Autoriteti është person juridik publik, jobuxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit që mbulon çështjet e transportit ajror, në vijim ministri. Neni 4 Organet drejtuese të Autoritetit Organet drejtuese të Autoritetit janë këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv. Neni 5 Këshilli drejtues 1. Këshilli drejtues është organi vendimmarrës për çështjet administrative dhe financiare të Autoritetit. 2. Këshilli drejtues është organ kolegjial, i përbërë nga kryetari dhe katër anëtarë, nga të cilët dy specialistë të fushës së transportit ajror, dy specialistë të fushës së financës dhe një specialist i fushës ligjore. 3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues emërohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Neni 6 Kompetencat e këshillit drejtues Këshilli drejtues ka këto kompetenca: a)miraton programet e zhvillimit të Autoritetit, në përputhje me strategjinë e aviacionit civil; b) propozon te ministri strukturën organizative të Autoritetit dhe strukturën e pagave që do të zbatohet; c)miraton rregulloren për organizimin e brendshëm administrativ, funksionet dhe përgjegjësitë e drejtorive, të departamenteve, nëpunësve dhe punonjësve të tjerë; ç) miraton kriteret e propozuara nga drejtori ekzekutiv, që do të zbatohen për punësimin e personelit të Autoritetit; d) analizon dhe propozon për miratim te ministri programin financiar të Autoritetit, duke mbikëqyrur dhe kontrolluar periodikisht realizimin e tij; dh) propozon te ministri masën e tarifave, që do të zbatohen nga Autoriteti, sipas pikës 2 të nenit 17 të këtij ligji, për shërbimet që kryen, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit që mbulon çështjet e transportit dhe të Ministrit të Financave; e)merr vendime për çështje të tjera, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi. Neni 7 Kriteret e emërimit të anëtarëve të këshillit drejtues Për t'u emëruar anëtarë të këshillit drejtues, personat duhet të plotësojnë këto kërkesa: a)të kenë shtetësi shqiptare; b)të kenë arsim të lartë; c) të kenë përvojë, të paktën 5 vjet, në administratën publike ose në institucionet shkencore arsimore; ç) të jenë me integritet moral dhe profesional; d)të jenë të paangazhuar në funksione drejtuese partiake; dh) të mos jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale; e)të mos jenë të përjashtuar nga shërbimi civil; ë) të mos kenë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi. Neni 8 Mandati i anëtarëve të këshillit drejtues 1. Mandati i kryetarit të këshillit drejtues është 4 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje për një mandat të dytë, ndërsa ai i anëtarëve është 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat. 2. Kur mandati i kryetarit ose i anëtarit përfundon, ata qëndrojnë në detyrë deri në çastin e emërimit të kryetarit ose të anëtarit të ri. Një muaj para përfundimit të mandatit të çdo anëtari të këshillit drejtues, Autoriteti lajmëron, me shkrim, ministrin, i cili fillon praktikat për emërimin e anëtarit të ri. 3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues të Autoritetit mund të jenë të punësuar, me kohë të plotë, në detyra të tjera, por nuk mund të jenë anëtarë të më shumë se një këshilli drejtues apo të një organi vendimmarrës të ndonjë autoriteti tjetër mbikëqyrës. Neni 9 Shpërblimet e këshillit drejtues Kryetari dhe anëtari i këshillit drejtues shpërblehen në masën dhe sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 10 Lirimi nga detyra i anëtarit të këshillit drejtues 1. Lirimi nga detyra i anëtarit të këshillit drejtues përpara përfundimit të mandatit bëhet kur: a) jep dorëheqjen; b) bëhet fizikisht i paaftë për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar, për më shumë se 3 muaj; c) kur mungon pa arsye në më shumë se tri mbledhje radhazi; ç) i shkakton, për shkak të paaftësisë profesionale a të neglizhencës, dëm Autoritetit apo imazhit të këtij autoriteti; d) vepron, gjatë ushtrimit të funksioneve, në kundërshtim me interesat e Autoritetit; dh) dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale; e) humbet apo lë shtetësinë shqiptare. 2. Propozimi për lirimin nga detyra të anëtarit të këshillit drejtues i paraqitet ministrit nga vetë këshilli apo nga institucione të tjera publike, funksioni i të cilave është i lidhur me atë të Autoritetit, shoqëruar edhe me arsyet e provat, për të cilat kërkohet ky lirim. 3. Ministri, në zbatim të pikës 2 të këtij neni, mund të vendosë pezullimin e anëtarit nga funksioni deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe të marrjes së vendimit. 4. Kur ndonjëri prej anëtarëve të këshillit drejtues lirohet nga detyra përpara përfundimit të mandatit, anëtari tjetër emërohet sipas së njëjtës procedurë të ndjekur për emërimin e anëtarëve të këtij këshilli. Neni 11 Mbledhjet e këshillit drejtues 1. Mbledhjet e këshillit thirren me nismën e kryetarit, me kërkesën e secilit prej anëtarëve ose me kërkesë të drejtorit ekzekutiv të Autoritetit. Këshilli drejtues mblidhet të paktën një herë në dy muaj për të diskutuar e vendosur për rendin e ditës. 2. Mbledhjet e këshillit drejtohen nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga njëri prej anëtarëve, i autorizuar prej tij. 3. Këshilli në mbledhjen e parë miraton rregulloren për organizimin e punës. 4. Mbledhja e këshillit drejtues zhvillohet kur janë të pranishëm të paktën 3 anëtarë dhe vendimet e tij janë të vlefshme, kur votojnë pro të paktën 3 anëtarë. Në votim nuk lejohet abstenimi. 5. Për çdo mbledhje mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e pranishëm, ndërsa vendimet e këshillit nënshkruhen nga kryetari. Neni 12 Drejtori ekzekutiv 1. Drejtori ekzekutiv është titullari i Autoritetit, i cili emërohet nga ministri. 2. Drejtori ekzekutiv nuk mund të jetë anëtar i këshillit drejtues. 3. Drejtori ekzekutiv merr pjesë në mbledhjet e këshillit pa të drejtë vote. Neni 13 Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv Drejtori ekzekutiv ka këto përgjegjësi e detyra: a)është përgjegjës për drejtimin dhe administrimin e veprimtarisë së Autoritetit; b) paraqet për miratim në këshillin drejtues rregulloren e brendshme të funksionimit të Autoritetit; c) paraqet për miratim në këshillin drejtues buxhetin dhe programin përkatës të punës përpara fillimit të çdo veprimtarie; ç) harton dhe paraqet për miratim në këshillin drejtues programin ekonomiko-financiar të Autoritetit, si dhe vlerat e tarifave që do të zbatohen për të gjitha autorizimet, certifikimet dhe licencat që lëshon ky Autoritet; d) përcakton dhe paraqet për miratim në këshillin drejtues kërkesat për çdo pozicion pune, kriteret e punësimit të personelit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me përparësitë e Autoritetit dhe me rregulloren e tij të brendshme; dh) emëron personelin e nevojshëm, sipas kritereve të përcaktuara, si dhe administron burimet njerëzore e kualifikimet tyre; e) përfaqëson Autoritetin në marrëdhëniet me të tretët; ë) ushtron të gjitha detyrat e Autoritetit, në zbatim të Kodit Ajror dhe nënshkruan të gjitha autorizimet, lejet, licencat e kategorizimet. Neni 14 Kriteret për emërimin e drejtorit ekzekutiv Kriteret për emërimin e drejtorit ekzekutiv janë: a) të jetë shtetas shqiptar; b) të ketë arsim të lartë; c) të ketë përvojë, të paktën 5 vjet, në administratën publike në fushën e menaxhimit, administrimit dhe të jurisprudencës; ç) të ketë integritet moral dhe profesional; d) të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake; dh) të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale; e) të mos jetë përjashtuar nga shërbimi civil; ë) të mos ketë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi. Neni 15 Lirimi nga detyra i drejtorit ekzekutiv Ministri vendos lirimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv në rastet kur: a)jep dorëheqjen; b) bëhet fizikisht i paaftë për më shumë se 3 muaj për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar; c) për shkak të paaftësisë profesionale apo neglizhencës, i shkakton dëm Autoritetit ose imazhit të institucionit; ç) vepron, gjatë ushtrimit të funksioneve, në kundërshtim me interesat e Autoritetit; d)dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale; dh) humbet apo lë shtetësinë shqiptare.

KREU III ADMINIS TRATA E AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

Neni 16 Organizimi dhe detyrimet 1. Struktura organizative dhe struktura e pagave të administratës së Autoritetit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. 2. Marrëdhëniet e punës për nëpunësit e Autoritetit rregullohen sipas Kodit të Punës. 3. Rekrutimi i nëpunësve të Autoritetit bëhet në bazë të kërkesave dhe përshkrimeve të punës, të përcaktuara në rregulloren e brendshme. Procedurat e rekrutimit duhet të jenë transparente dhe jodiskriminuese, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet ligjore në fuqi për funksionimin e administratës. 4. Nuk mund të punësohen në strukturat e Autoritetit personat: a) e dënuar me vendim gjykate të formës së prerë; b) ortakë apo aksionarë të subjekteve të mbikëqyrura; c) që kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën "b" të kësaj pike me anëtarët e këshillit drejtues apo me punonjës të tjerë të administratës, me të cilët kanë lidhje varësie; ç) që nuk gëzojnë integritet moral dhe profesional; d) për të cilët është marrë masa disiplinore e largimit nga puna. Neni 17 Të ardhurat e Autoritetit 1.Të ardhurat realizohen nga tarifat e vendosura për veprimtaritë që kryen Autoriteti në bazë të kostos. 2. Të ardhurat e Autoritetit përfshijnë: a)të ardhurat nga tarifat e rrugës (en-route), të cilat mblidhen dhe faturohen nga Eurokontrolli, në zbatim të marrëveshjes së përbashkët të lidhur për tarifat e rrugës (enroute); b)të ardhurat nga tarifa e sigurisë së aviacionit, e cila merret nëpërmjet aeroportit; c)të ardhurat nga tarifa e sigurisë në fluturim, e cila merret nga operatorët ajrorë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë; ç) të ardhurat nga autorizimet, licencimet dhe certifikimet e parashikuara në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë; d)të ardhurat nga sanksionet në zbatim të legjislacionit në fuqi; dh) të ardhura të tjera të lejuara nga legjislacioni në fuqi. 3. Pasqyrat financiare të të ardhurave dhe të shpenzimeve hartohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. 4.Të ardhurat përdoren për paga, sigurime dhe shpërblime, shpenzime operative dhe investime kapitale, të nevojshme për funksionimin normal të Autoritetit, si dhe për pagesat e kontributeve, që rrjedhin nga anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë të aviacionit civil. 5. Autoriteti, për përdorimin e fondeve të veta, zbaton dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi për prokurimet publike. 6. Autoriteti, me autorizimin e ministrit, ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje kredie me institucione bankare, për të realizuar veprimtarinë. 7. Autoriteti është i përjashtuar nga të gjitha taksat dhe tatimet e drejtpërdrejta. Neni 18 Buxheti 1.Viti financiar fillon më 1 janar dhe mbyllet më 31 dhjetor. 2. Autoriteti, nëpërmjet këshillit drejtues, i paraqet për miratim ministrit një program të hollësishëm financiar për vitin pasardhës, jo më vonë se data 30 nëntor e vitit. 3. Veprimtaria e Autoritetit financohet tërësisht nga të ardhurat e realizuara nga vetë ai. Të ardhurat e realizuara, por të pashpërndara në fund të vitit të parë buxhetor të veprimtarisë, mbarten për vitin pasardhës dhe reflektohen në nivelin e tarifave. Në vitet në vazhdim fondet e papërdorura derdhen tërësisht në Buxhetin e Shtetit. Neni 19 Kontabiliteti 1. Autoriteti mban regjistrat kontabël, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet kontabël të zbatueshme. 2. Regjistrat kontabël duhet të pasqyrojnë me saktësi, në çdo kohë, gjendjen financiare të Autoritetit. 3. Autoriteti përgatit pasqyrat financiare vjetore të veprimtarisë së vet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe, pas certifikimit nga ekspertët auditues, i raporton ministrit rezultatin financiar. Neni 20 Raportimi nga Autoriteti 1. Në muajin prill të vitit pasardhës Autoriteti i paraqet ministrit: a) një raport vjetor për veprimtarinë e tij, përfshirë të gjitha vendimet e marra nga këshilli drejtues; b) pasqyrën financiare vjetore; c) një raport për realizimin e planit të të ardhurave e të shpenzimeve; ç) një raport për licencat e dhëna, për miratimet dhe aktet e tjera individuale administrative, të nxjerra në përputhje me këtë ligj, për rastet e refuzimit të licencave apo për kërkesat e tjera, që i janë paraqitur Autoritetit, si dhe për të dhënat e regjistrave. 2. Autoriteti i paraqet ministrit, në çdo kohë, me kërkesë të tij, çdo të dhënë tjetër, që vlerësohet e nevojshme për realizimin e objektivave të politikës së zhvillimit të transportit ajror.

KREU IV KODI ETIK, PROFESIONALIZMI DHE KONFIDENCIALITETI

 Neni 21 Kodi etik dhe profesionalizmi 1. Anëtarët e këshillit drejtues, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të Autoritetit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, zbatojnë kodin e etikës dhe standardet profesionale, të miratuara nga këshilli. 2. Kur vërehen shkelje të kodit të etikës ose mungesë profesionalizmi, merren masa disiplinore deri në lirimin ose largimin nga detyra. Neni 22 Konfidencialiteti 1. Të dhënat për veprimtarinë e subjekteve, që operojnë në fushën e aviacionit civil, të cilat i vihen në dispozicion Autoritetit, klasifikohen "konfidenciale", nëse përhapja e tyre cenon interesat tregtarë ose reputacionin e subjektit. 2. Nuk janë "konfidenciale" të dhënat tregtare, të siguruara nga subjektet, detyrimi për botimin e të cilave është parashikuar nga ky ligj apo nga ligje të tjera. 3. Anëtarët e këshillit drejtues, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të Autoritetit janë të detyruar t'i ruajnë dhe të mos i shpërndajnë të dhënat "konfidenciale". 4. Për rastet kur vërtetohen shkelje të detyrimeve të parashikuara në këtë nen, merren masa administrative, deri në lirimin nga detyra të anëtarit të këshillit ose largimin nga detyra të nëpunësit të Autoritetit.

 KREU V KOMPETENCA E AUTORITETIT PËR ZBATIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE

 Neni 23 Marrja e masave administrative ndaj subjekteve të treta 1. Drejtori ekzekutiv merr vendime për: a) parandalimin apo ndërprerjen e veprimeve, që përbëjnë shkelje të Kodit Ajror dhe të akteve ligjore të dala në zbatim të tij; b) parandalimin apo ndërprerjen e pasojave të rënda të shkeljeve të ligjit; c) shmangien e pengesave për ushtrimin e veprimtarisë së Autoritetit. 2. Në vendimet e përmendura në pikën 1 të këtij neni përcaktohen: a) veprimet që duhet të kryejnë subjektet, për të parandaluar dëmin apo për të korrigjuar gjendjen; b) afatet për kryerjen e ndryshimeve apo për korrigjimin e veprimeve; c) detyrimin për ndryshimin e administratorëve ose të drejtuesve, në rastet kur veprimet bien në kundërshtim me ligjin. 3. Autoriteti, në përputhje me parashikimet e neneve 142 e 143 të ligjit nr. 10 040, datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë", mund të zbatojë masë administrative vënien e gjobave.

 KREU VI DISPOZITA KALIMTARE

Neni 24 Përfundimi dhe transferimi i kompetencave 1.Në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji përfundojnë kompetencat vendimmarrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DPAC). 2.Të gjitha mjetet, burimet e të ardhurave, arkivat, detyrimet dhe kompetencat e tjera të DPAC- së , me shkrirjen e këtij institucioni, i kalojnë Autoritetit. 3. Tarifat e zbatuara deri tani nga DPAC-ja mbeten në fuqi dhe zbatohen nga Autoriteti deri në miratimin e tarifave të reja, sipas shkronjës "dh" të nenit 6 të këtij ligji. 4.Me fillimin e vitit të parë financiar, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ardhurat e parashikuara në nenin 17 të këtij ligji të derdhen në llogarinë e Autoritetit. Neni 25 Emërimi i organeve të para drejtuese Brenda 15 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ministri emëron drejtorin ekzekutiv dhe propozon anëtarët dhe kryetarin e këshillit drejtues të Autoritetit. Neni 26 Mbarimi i funksioneve dhe shkrirja e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil 1.Brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji: a)administrata e DPAC-së shkrihet; b) drejtori ekzekutiv, sipas procedurave të miratuara nga këshilli drejtues, fillon punën për rekrutimin e nëpunësve dhe të punonjësve të Autoritetit, duke trajtuar me përparësi të punësuarit në DPAC; c)personat, që ushtrojnë funksione ekzekutive në administratën e DPAC-së, nuk kanë më asnjë kompetencë vendimmarrëse për lëshimin e licencave apo për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së tyre; ç) personat që ushtrojnë funksione ekzekutive janë përgjegjës për dorëzimin e detyrës, të mjeteve, arkivave dhe të detyrimeve të tjera drejtorit ekzekutiv të Autoritetit. 2. Licencat dhe vendimet e tjera individuale administrative, të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga organet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, mbeten në fuqi. 3. Punonjësve të DPAC-së që nuk rekrutohen nga AAC-ja për shkak të papërshtatshmërisë me pozicionin e punës, apo nuk pranojnë pozicionin e ri të punës, sipas strukturës së AAC-së, do t'u zgjidhet kontrata e punës në përputhje me Kodin e Punës. KREU VII DISPOZITA TË FUNDIT Neni 27 Hartimi i rregulloreve të Autoritetit 1.Ngarkohet këshilli drejtues që, brenda dy muajve nga emërimi i tij, të hartojë dhe të miratojë rregulloren e funksionimit të Autoritetit të Aviacionit Civil. 2. Ngarkohet këshilli drejtues që, brenda tre muajve nga emërimi i tij, të miratojë rregulloret e tjera për funksionimin e përditshëm të institucionit, të propozuara nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit. Neni 28 Shfuqizime 1. Vendimi nr. 96, datë 21.2.1995, i Këshillit të Ministrave "Për krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil", i ndryshuar, si dhe urdhri nr. 25, datë 7.3.2008, i Kryeministrit "Për miratimin e strukturës dhe organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil", i ndryshuar, shfuqizohen. 

LEXO TE NGJASHME

0.658 vende pune

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.