LIGJI PËR AVOKATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I PJESA E PËRGJITHSHME
Neni 1 Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vete drejtuar .Neni 2 Avokati jep ndihmë juridike nëpërmjet: a) këshillimit ligjor për çështje të ndryshme; b) përgatitjes së kërkesëpadive ose të kërkesave gjatë procedimit penal, si dhe të kërkesave ankimore, rekurseve kundër vendimeve gjyqësore, atyre të organit të prokurorisë, arbitrazhit ose të organeve të administratës publike; c) përgatitjes së kërkesave drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjykatës Kushtetuese, gjykatave ndërkombëtare dhe çdo organizmi në të cilin aderon Republika e Shqipërisë; ç) përgatitjes së ankesave dhe kërkesave të personave fizikë ose juridikë; d) përpilimit të akteve që i nënshtrohen veprimeve noteriale; dh) hartimit të kontratave e të marrëveshjeve, si dhe të çdo dokumenti tjetër që sjell ose synon të sjellë pasoja juridike; e) pranisë si mbrojtës në kohën e shoqërimit, ndalimit, arrestimit, gjatë procesit të hetimit, shqyrtimit gjyqësor të personave në çështjet penale; ë) përfaqësimit të personave fizikë ose juridikë në çështjet civile dhe administrative, në gjykatë, në arbitrazh dhe në organe të tjera të administratës publike; f) veprimeve të tjera të ndihmës juridike që parashikohen në ligj. Neni 3 (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 9795, datë 23.7.2007) 1. Avokati ushtron profesionin e tij individualisht ose në bashkëpunim me avokatë të tjerë, pasi është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit dhe është regjistruar në organet tatimore. 1 Avokatët mund të organizohen në zyra avokatie, të cilat regjistrohen në organet tatimore. 2. Avokati nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një zyre avokatie. Neni 4 Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë, njëkohësisht, gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike. Neni 5 (Shtuar paragrafi në fund të pikës 1 me ligjin nr. 9795, datë 23.7.2007) 1. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpara çdo gjykate, prokurorie ose organi të administratës publike. Në çdo rast, avokati, në ushtrimin e profesionit, identifikohet me numrin e lejes së ushtrimit të profesionit, si dhe kodin fiskal të tij apo të zyrës së avokatisë ku bën pjesë. 2. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin e shtetit ku jepet ndihma juridike.
KREU II TË DREJTAT DHE DETYRAT E AVOKATIT
Neni 6 1. Avokati, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij, ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë lidhje me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij. 2. Institucionet e administratës publike, sipas kompetencës dhe procedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, janë të detyruara të përmbushin kërkesat e avokatit. 3. Në rast të mospërmbushjes së detyrimit të institucioneve të administratës publike ose nga entet e tjera jopublike, avokati ka të drejtë të paraqesë brenda 5 ditëve në gjykatë kërkesën për realizimin e detyrimit nëpërmjet një vendimi gjyqësor. Neni 7 1. Avokati ka të drejtë të takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në çdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në çdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre. 2. Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia e Shtetit janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin. Në të gjitha rastet, prania e avokatit duhet të sigurohet menjëherë. 3. Avokati nuk ka të drejtë t'i kërkojë dhe t'i ofrojë ndihmë juridike një personi të ndaluar ose të arrestuar, pa kërkesën e këtij të fundit. 2 Neni 8 Avokati ka të drejtë, në përputhje me procedurat hetimore, të marrë pjesë në proces, të pyesë personin e mbrojtur prej tij, dëshmitarët dhe ekspertët, të lexojë dhe të njohë në përfundim të hetimit të gjitha aktet e dokumentet, që janë të lidhura me çështjen dhe t' i nënshkruajë ato. Neni 9 (Shtuar fjalët në fund të pikës 1, pas pikës 6 dhe pikat 10 e 11 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e vet me ndershmëri dhe dinjitet, të respektojë rregullat e etikës profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe të interesave të personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij duke treguar kujdesin e një profesionisti të arsyeshëm, sipas “Kodit të etikës së avokatit ”. 2. Avokati duhet të sigurojë që asnjë konflikt interesash nuk ekziston ndërmjet tij dhe personit që mbron ose përfaqëson. 3. Avokatit i ndalohet të bëjë publike të dhënat, që i ka mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij ose nga dokumentet që ky i fundit i ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar, me përjashtim të rastit kur ai ka dhënë miratimin e tij me shkrim. 4. Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për personin, të cilit i ka kryer shërbime dhe ndihmë juridike, si dhe për rrethana që ai i ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit. 5. Avokatit i ndalohet të marrë pjesë në një çështje, kur ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore ose si dëshmitar. 6. Avokati nuk lejohet të japë ndihmë ligjore ose të përfaqësojë një person, kur ka këshilluar ose ka përfaqësuar më parë palën kundërshtare në të njëjtën çështje, ose kur avokati ka lidhje gjaku apo ka interes të njëjtë me palën kundërshtare si dhe kur ka këshilluar, përfaqësuar ose ka pasur të bëjë në mënyrë tjetër profesionale me një palë tjetër në të njëjtën çështje. 7. Avokatët, që shërbejnë në të njëjtën zyrë avokatie, nuk lejohen të përfaqësojnë palët kundërshtare në të njëjtën çështje. 8. Avokatët, që ushtrojnë profesionin e tyre pranë së njëjtës zyrë avokatie, prezumohet se janë në dijeni dhe zotërojnë dokumentet për këdo që është mbrojtur apo përfaqësuar nga zyra e tyre. 9. Përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, avokati është i detyruar të sigurohet se nuk vepron në konflikt me interesat e personit që mbrohet ose përfaqësohet prej tij. Kur avokati dyshon se është duke vepruar në konflikt interesash, ai duhet të marrë miratimin me shkrim nga palët, të cilat mendohet se preken nga ky konflikt interesash. 10. Avokati, në rastin e pengesës dhe për aq kohë sa zgjat ajo, me pëlqimin e personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij, mund të caktojë një zëvendësues, i cili ushtron të drejtat dhe merr përsipër detyrimet e avokatit. Pëlqimi i palës për caktimin e një zëvendësuesi mund të jepet në aktin e përfaqësimit. 11. Avokati duhet të lidhë kontratë sigurimi për të garantuar përgjegjësinë e tij ndaj palëve të treta, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tij. 3 Neni 9/1 (Shtuar neni 9/1 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) Rregullat e hollësishme për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me këtë ligj, caktohen në statutin dhe në “Kodin e etikës së avokatit”, të miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Neni 10 Avokatët, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duhet të mbajnë një libër shënimesh ku shënohen të gjitha shërbimet ligjore të dhëna, kontratat, me shkrim, duke përdorur sistemin numerik, emrin e tij, si dhe emrin e zyrës së avokatisë. Neni 11 (Shtuar pika 3 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Shpërblimi i avokatit për punën e kryer caktohet në një nga mënyrat e mëposhtme: a) me marrëveshje ndërmjet tij dhe palës së mbrojtjur ose të përfaqësuar prej tij; b) nga gjykata ose prokuroria, kur ai është caktuar kryesisht ose kur personi i mbrojtur ose i përfaqësuar nuk ka mundësi financiare dhe ndihma ligjore për të është falas. Masa e shpërblimit për këto raste përcaktohet me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë; c) me ligj. 2. Në të gjitha rastet, avokatit nuk i lejohet të marrë shpërblim tjetër. 3. Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi marrin mendimin e Ministrisë së Financave, caktojnë tarifat e shpërblimit të avokatëve për dhënien e ndihmës juridike, të cilat zbatohen kur nuk ka marrëveshje të ndryshme me shkrim mes avokatit dhe personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij dhe kur ndihma juridike nuk është dhënë sipas dispozitave për ndihmën juridike. Neni 12 1. Avokati nuk mund të kërkojë nga personi që mbron ose përfaqëson, që të shpërblehet prej tij me përqindje gjatë procesit të gjykimit. 2. Shpërblimi me përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshjen ndërmjet avokatit dhe personit që ai mbron ose përfaqëson, për rastin mbrojtjes apo përfaqësimit të suksesshëm të çështjes. 3. Avokatit i lejohet të paguhet me komision në rastet kur siguron kthimin e huasë për personin që mbrohet ose përfaqësohet prej tij jogjyqësisht. Neni 13 1. Nëse avokati vendos të heqë dorë nga përfaqësimi ose mbrojtja e mëtejshme e një personi, është i detyruar ta njoftojë atë 15 ditë përpara mbarimit të shërbimit nga ana e tij. 2. Avokati është i detyruar t'i shërbejë klientit të tij gjatë periudhës 15-ditore para mbarimit të shërbimit dhe t'ï njoftojë atij çdo të dhënë për çdo shumë parash, prona apo kompensim që avokati mban për klientin. 4 3. Brenda 15 ditëve nga dhënia e njoftimit, avokati duhet t'i kthejë klientit të gjitha dokumentet e lidhura me çështjen ose t'i dërgojë ato në adresën e treguar nga avokati i ngarkuar rishtas. Gjithashtu, avokati është i detyruar t'i kthejë klientit parapagimin që ka marrë prej tij, përveç kur, bashkërisht, merren vesh ndryshe. Neni 14 Nëse personi, që përfiton ndihmën juridike nga avokati, vendos të zgjidhë kontratën përpara përfundimit të çështjes ose shërbimit, avokati ka të drejtën të kërkojë shpërblimin për punën e kryer. Neni 15 Avokati ka të drejtë të transferohet nga një dhomë në një dhomë tjetër avokatie, për sa kohë që paguan kontributet përkatëse të anëtarësisë. Në këtë rast ai duhet të marrë një miratim, si nga dhoma që largohet, ashtu edhe nga dhoma ku ai dëshiron të bëhet anëtar. Neni 16 1. Avokati, kryesisht apo për shkak të ligjit, duhet të heqë dorë përkohësisht nga ushtrimi i profesionit të tij, për aq kohë sa është në marrëdhënie pune me administratën publike. 2. Për të gjitha rastet e treguara në pikën 1 të këtij neni, avokati duhet të njoftojë me shkrim dhomën e avokatëve ku bën pjesë. 3. Në rast të ndërprerjes së ushtrimit të profesionit të avokatit për arsye të moshës ose shëndetit, nëse nuk ushtron një veprimtari tjetër, avokati ka të drejtë të jetë anëtar i dhomës së avokatisë, si dhe të marrë pjesë në veprimtaritë që organizohen prej saj. Neni 16/1 (Shtuar neni 16/1 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Avokati ndjek programin e trajnimit vazhdues, të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhe pajiset prej saj me vërtetimin përkatës për ndjekjen e këtij programi. 2. Programi i trajnimit vazhdues synon përditësimin e avokatëve me njohuri specifike profesionale, teorike dhe praktike. 3. Në rast të mospërmbushjes së detyrimit për ndjekjen e programit të trajnimit vazhdues nga avokati, zbatohet neni 46 i këtij ligji. 4. Rregullat e hollësishme për pjesëmarrjen në trajnim, organizimin, kohëzgjatjen dhe mënyrën e zhvillimit të tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe rregulloren e programit të trajnimit, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
5 KREU III ORGANET DREJTUESE DHE KOMPETENCAT E DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË DHE TË DHOMAVE TË AVOKATISË
Neni 17 1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti. 2. Dhoma Kombëtare e Avokatisë përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë. 3. Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohen në statutin e saj. 4. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është përgjegjëse për themelimin e dhomave të avokatisë. Numri minimal i avokatëve, që mund të formojnë një dhomë avokatie, caktohet në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 5. Çdo avokat mund të jetë anëtar vetëm i një dhome avokatie. Çdo dhomë është e përbërë nga avokatë, të cilët janë anëtarë të saj dhe që praktikojnë ose kanë praktikuar për herë të fundit profesionin e avokatit në juridiksionin e saj. 6. Çdo dhomë avokatie ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Neni 18 Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të dhomave të avokatisë janë, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues. Neni 19 (Ndryshuar shkronja “ç” e pikës 3 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë është Këshilli i Përgjithshëm. 2. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përbëhet nga jo më pak se një përfaqësues i zgjedhur për këtë qëllim nga çdo dhomë avokatie, sipas statutit. 3. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca: a) miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë; b) miraton "Kodin e etikës së avokatit"; c) përcakton, duke u bazuar në kriterin e vjetërsisë në profesionin e avokatit, të aftësive profesionale të treguara dhe në edukimin profesional e akademik të posaçëm dhe pas konsultimeve me Ministrin e Drejtësisë, listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kriteret më të hollësishme për këtë përzgjedhje përcaktohen në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë; ç) zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Përcaktimi i numrit të anëtarëve të këshillit drejtues rregullohet në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.; 6 d) cakton kontributin që derdhin dhomat e avokatisë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë; dh) shqyrton dhe miraton llogaritë vjetore dhe buxhetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë; e) analizon veprimtarinë e dhomave të avokatisë, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj dhe me Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë; ë) ndihmon e bashkërendon veprimtaritë e dhomave të avokatisë, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të avokatëve, si dhe të dhomave të avokatisë; f) miraton rregullat e përgjithshme për zhvillimin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit; g) miraton rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushen nga asistentët në periudhën e stazhit për avokat, si dhe për trajnimin profesional të tyre. 4. Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për miratimin e akteve të parashikuara në shkronjat "a", "b" dhe "c" të pikës 3 të këtij neni, quhen të miratuara kur për to kanë votuar jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Neni 20 (Ndryshuar pika 1 dhe shfuqizuar shkronja “e” e pikës 3 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë në takimin e tij të parë, me propozim të Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, zgjedh sekretarin e përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Sekretari i përgjithshëm shkarkohet nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me propozim të Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Procedurat e propozimit dhe të emërimit të sekretarit të përgjithshëm rregullohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 2. Rregulla më të hollësishme për organizmin dhe funksionimin e administratës mbështetëse të Këshillit Drejtues, caktohen në statut. 3. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca: a) thërret Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë; b) përgatit Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë; c) përgatit "Kodin e etikës së avokatit"; ç) përfaqëson Dhomën Kombëtare të Avokatisë në marrëdhënie më të tretët, sipas rregullave të caktuara në statut; d) përgatit llogaritë vjetore për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë; dh) shqyrton dhe miraton kërkesat për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë; e) shfuqizohet; ë) merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Neni 21 Këshilli i përgjithshëm i çdo dhome avokatie ka këto kompetenca: a) zgjedh përfaqësues të saj në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përputhje me numrin maksimal të pjesëmarrjes, të vendosur nga kjo e fundit; 7 b) zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarin dhe sekretarin e dhomës; c) shqyrton dhe analizon ecurinë në punë dhe trajnimin profesional të avokatëve dhe të asistentëve, që bëjnë pjesë në dhomën e avokatisë; ç) promovon tek anëtarët e saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të ligjit, statutit dhe "Kodit të etikës së avokatit"; d) përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve të saj; dh) shqyrton dhe nëse çmon, miraton vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë; e) mban regjistrin e anëtarëve, që ushtrojnë apo kanë ushtruar profesionin e avokatit në atë juridiksion, si dhe njofton Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për çdo ndryshim në përbërjen e saj. Neni 22 Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë ushtron këto kompetenca: a) thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatisë; b) përgatit çdo vit llogaritë vjetore, për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm; c) trajton çdo kërkesë për anëtarësi dhe, nëse çmon, i rekomandon Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit; ç) shqyrton dhe miraton statutin e zyrave të avokatisë, që vendosen në juridiksionin e saj, kur çmon përputhshmërinë e tij me ligjin dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë; d) cakton, me pëlqimin e tyre, avokatin apo zyrën e avokatisë, ku stazhieri do të përmbushë detyrimet e tij; dh) cakton avokat për të ndjekur çështjet gjyqësore, kur i kërkohet nga gjykata; e) cakton një avokat, që të marrë përsipër çështje, të cilat janë braktisur nga një avokat i mëparshëm dhe klienti nuk ka mundur të gjejë një tjetër; ë) shqyrton ankesat kundër asistentëve të avokatëve, që ushtrojnë profesionin në juridiksionin e vet, si dhe merr masa disiplinore që i çmon të përshtatshme, në përputhje me ligjin, "Kodin e etikës së avokatit" dhe të statutit të vetë dhomës së avokatisë; f) përmbush detyra të tjera të parashikuara në statutin e dhomës së avokatisë apo i që i caktohen nga Këshilli i Përgjithshëm i saj. Neni 23 1. Dhoma mund të hapë llogari bankare në një bankë, që është e licencuar të ushtrojë biznes bankar në Republikën e Shqipërisë, për të mbajtur paratë e klientëve të ndryshëm të avokatëve anëtarë të dhomës, si garanci bankare për çështje që parashikojnë pagesa të mëdha. 2. Tërheqja e shumave nga ajo llogari duhet të kryhet me dy firma, njëra nga të cilat duhet të jetë nga kryetari, zëvendëskryetari ose sekretari i përgjithshëm i dhomës dhe firma tjetër duhet të jetë nga klienti përkatës. Interesi bankar i përfituar nga ky operacion duhet t'i kalojë dhomës.
8 KREU IV ZYRA E AVOKATISË
Neni 24 (Shtuar pika 2/1 me ligjin nr. 9795, datë 23.7.2007) (Ndryshuar fjala “dy” me Fjalën “një” në pikën 1 dhe shfuqizuar pika 3 me ligjin nr. 10047, datë 24.12.2008) 1. Kur një ose më shumë avokatë dëshirojnë të themelojnë një zyrë avokatie, ata, fillimisht, duhet të dërgojnë aktin e themelimit dhe statutin e saj për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 2. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë duhet të miratojë statutin e zyrës së avokatisë brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Nëse ai nuk është dakord me statutin e paraqitur, ajo duhet t'ia kthejë të interesuarit modelin e paraqitur së bashku me kërkesën e saj për ndryshimet, që dhoma mendon se i duhen bërë statutit. Aplikanti duhet të kthejë projektin e ndryshuar brenda 15 ditëve. 2/1 Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë miraton hapjen e zyrës së avokatisë, pas regjistrimit të saj në organet e regjistrimit të biznesit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. 3. Shfuqizuar.
KREU V KUSHTET PËR USHTRIMIN E PROFESIONIT TË AVOKATIT
Neni 25 (Shtuar shkronja “ë” me ligjin nr. 9795, datë 23.7.2007) (Shtuar shkronja “a/1” me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë mund ta ushtrojë çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme: a) të ketë kryer arsimin e lartë juridik brenda vendit ose jashtë vendit, por të njësuar me të; a/1) të ketë përfunduar me sukses programin e trajnimit për kandidatët për avokatë, në përputhje me rregullat e përcaktuara në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe rregulloren përkatëse të trajnimit, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. b) të jetë regjistruar në një dhomë avokatie dhe në Ministrinë e Drejtësisë si asistent pranë një avokati, të ketë përfunduar periudhën njëvjeçare të stazhit dhe të ketë marrë mendimin pozitiv të avokatit; c) të ketë marrë më shumë se 50 për qind të pikëve në provimin e kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatisë; ç) të gëzojë integritet moral dhe qytetar, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe të plotësojë kërkesat e etikës për ushtrimin e profesionit të avokatit; d) të mos jetë dënuar për vepra penale të kryera me dashje, sipas parashikimeve të "Kodit të etikës së avokatit"; dh) të mos jetë pjesëmarrës në marrëdhënie apo veprimtari publike ose private, të cilat, sipas ligjit, Statutit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe "Kodit të etikës së avokatit", janë të papajtueshme ose të papërshtatshme me figurën dhe ushtrimin e profesionit të avokatit; 9 e) të jetë anëtar i dhomës së avokatisë në juridiksionin e së cilës ndodhet zyra e tij e punës. ë) të jetë pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të jetë regjistruar në organet tatimore. Neni 25/1 (Shtuar 25/1 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Kandidati për avokat ndjek programin e trajnimit, të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhe, pasi vlerësohet, pajiset prej saj me vërtetimin përkatës për ndjekjen e këtij programi. 2. Programi i trajnimit synon përgatitjen e kandidatëve për avokat me njohuri specifike profesionale, teorike dhe praktike. 3. Rregullat e hollësishme për pjesëmarrjen në trajnim, kohëzgjatjen dhe mënyrën e zhvillimit të tij përcaktohen në rregulloren e trajnimit të kandidatëve për avokat, që miratohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 4. Shkolla Kombëtare e Avokatisë është organi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që merret me përgatitjen e programeve të trajnimit, organizimin dhe administrimin e trajnimit fillestar të kandidatëve për avokat dhe trajnimin e vazhduar të avokatëve. Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të krijojë këtë shkollë brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni 26 1. Provimi i kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit zhvillohet përpara një komisioni me këtë përbërje: a) tre anëtarë të caktuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë; b) një anëtar i caktuar nga Ministri i Drejtësisë; c) një anëtar i caktuar ndërmjet punonjësve akademikë të Shkollës së Magjistraturës. 2. Rregullat e funksionimit, numri i kandidatëve për avokat, si dhe mënyra se si do të zhvillohet provimi, vendosen rast pas rasti nga Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatisë. Neni 27 (Shtuar fjalët në pikat 1, 2, 3 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose mbi kërkesën e personit që kërkon të ushtrojë profesionin e avokatit, ka të drejtë që ta përjashtojë nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit ose në programin e trajnimit, nëse për këtë vendoset me shumicën e votave të fshehta të të gjithë anëtarëve të saj. 2. Përjashtimi nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit ose në programin e trajnimit për ushtrimin e profesionit të avokatit mbështetet në kohëzgjatjen e tyre në ushtrimin e profesionit të juristit, aftësitë profesionale të treguara dhe edukimin e posaçëm profesional e akademik. Rregulla të hollësishme për kushtet dhe kriteret e përjashtimit nga provimi i kualifikimit caktohen nga Statuti i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 3. Vendimi për përjashtimin nga detyrimi, për dhënien e provimit të kualifikimit ose në programin e trajnimit për ushtrimin e profesionit të avokatit, miratohet nga Ministri i Drejtësisë. 10 Neni 28 (Zëvendësuar fjalët me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) Personat që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si gjyqtarë, prokurorë, noterë, si dhe jo më pak se 3 vjet në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo specialistit të strukturave juridiko-profesionale të Presidencës, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, aparatit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, avokatët e strukturave të Avokaturës së Shtetit, si dhe në atë të punonjësit akademik të brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta, përjashtohen nga përmbushja e detyrimit të parashikuar në shkronjat “a/1” dhe “b” të nenit 25 të këtij ligji. Neni 29 1. Avokati ka të drejtë të ketë një ose më shumë asistentë. 2. Asistentët zgjidhen nga vetë avokati ndërmjet personave të diplomuar juristë, që nuk kanë marrë lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit. 3. Avokati ka për detyrë që, brenda 15 ditëve nga ajo e lidhjes së marrëdhënieve të punës me asistentin, të depozitojë dokumentacionin e tij për regjistrim në dhomën e avokatisë ku është anëtar, në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, si dhe në Ministrinë e Drejtësisë. 4. Me autorizimin me shkrim të avokatit dhe, kurdoherë, me pëlqimin me shkrim të klientit, asistenti përfaqëson ose mbron të interesuarit në periudhën hetimore, në gjykimin e kundërvajtjeve penale dhe në seancat përgatitore për çështjet civile. Neni 30 1. Kërkesa për ushtrimin e profesionit të avokatit i drejtohet, si rregull, dhomës së avokatisë ku kërkuesi ka vendbanimin e tij. 2. Dhoma e avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për ushtrimin e profesionit të avokatit, duhet të marrë në shqyrtim kërkesën dhe, së bashku me mendimin e saj, e përcjell për shqyrtim në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 3. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet të njoftojë kërkuesin, nëse ai i plotëson kushtet për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit, si dhe për ditën e caktuar për zhvillimin e tij. Neni 31 1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shpall datat e zhvillimit të provimeve të kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit, për atë vit kalendarik. 2. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda muajit janar të çdo viti, miraton edhe përfaqësuesit e tij në komisionin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit. Neni 32 Në qoftë se kandidati për avokat nuk arrin të grumbullojë minimumin e pikëve të nevojshme kualifikuese për ushtrimin e profesionit të avokatit, ai mund të marrë pjesë përsëri në provimin kualifikues, me kusht që të kryejë edhe gjashtë muaj të tjerë periudhë stazhi si asistent pranë një avokati. 11 Neni 33 (Shfuqizuar pika 5 dhe 8 me ligjin nr. 10047, datë 24.12.2008) (Shfuqizuar me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) Shfuqizuar. KREU VI REGJISTRAT E DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË Neni 34 (Shtuar shkronja “f” në pikën 2 me ligjin nr. 10047, datë 24.12.2008) (Shtuar shkronja “g” në pikën 2 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë mbajnë pranë tyre regjistrin e të gjithë avokatëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës, që lidhet me të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit. 2. Regjistri i avokatëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme: a) identitetin; b) datëlindjen; c) shkollën e lartë ku avokati është diplomuar si jurist; ç) titujt dhe gradat shkencore; d) nivelin e njohurive në gjuhë të huaja; dh) dhomën e avokatisë ku është anëtar, në juridiksionin e së cilës, si rregull, avokati ushtron profesionin e tij; e) adresën e zyrës së tij ose adresën dhe emrin e zyrës së avokatisë, nëse avokati është anëtar i saj; ë) të dhëna mbi thyerjen e disiplinës. f) kopje të vulës së avokatit ose zyrës së avokatisë. Vula duhet të jetë unike dhe duhet të përmbaje titullin “Avokat” dhe identitetin e avokatit ose të zyrës së avokatisë. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcakton formën, përmbajtjen, procedurën e përgatitjes dhe të shpërndarjes së tyre. g) të dhëna për ndjekjen e programit të trajnimit vazhdues. 3. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përveç të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e avokatëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera. 4. Dhoma e avokatisë, për juridiksionin e saj, mban regjistrin e avokatëve dhe dokumentacionin përkatës, sipas listës së të dhënave të treguara në këtë nen. Neni 35 (Shtuar shkronja “g” në pikën 2 me ligjin nr. 91/2012, datë 27.9.2012) 1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhomat e avokatisë për juridiksionin e saj, si dhe Ministria e Drejtësisë, mbajnë regjistrin e asistentëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. 2. Regjistri i asistentëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme: a) adresën e zyrës së tij ose adresën dhe emrin e zyrës së avokatisë, nëse avokati është anëtar i saj; 12 b) identitetin; c) datëlindjen; ç) shkollën e lartë ku asistenti është diplomuar si jurist; d) titujt dhe gradat shkencore, nëse ka të tilla; dh) nivelin e njohurive në gjuhë të huaja; e) datën e fillimit dhe të përfundimit të periudhës së stazhit, të nevojshme për pranimin e pjesëmarrjes së tij në provimin e kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit; ë) datat e provimit të kualifikimit, në rast se nuk është kualifikuar; f) emrin dhe adresën e avokatit, pranë të cilit ushtron veprimtarinë e tij si asistent. g) të dhëna për ndjekjen e programit të trajnimit për kandidatët për avokatë. 2. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përveç të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e asistentëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera.