Investimet ne turizem,se shpejti 6 porte te reja per jahte ne Shqiperi
Zhvillimet infrastrukturore në disa sektorë me rëndësi për zhvillimin e turizmit pritet të nxisin financimet e huaja, sikurse vlerësohen aeroportet e rinj dhe ndërtimi i 6 porteve të reja për jahte në vendin tonë.
Nisur nga mungesa e porteve për jahte, si një mundësi e mirë për thithjen e turistëve të huaj, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po shikon mundësinë e ngritjes së shpejti të 6 porteve të tillë në bregdetin shqiptar.Pak ditë më parë ministri Arben Ahmetaj tha se, “një nga nismat e qeverisë është që shumë shpejt të afrojë 6 port-marina jahtesh, në funksion të zhvillimit të turizmit elitar gjithashtu, por edhe për ndërtim infrastrukture”.
MZHETTS po diskuton me aeroportin e Rinasit për heqjen e ekskluzivitetit, çka krijon mundësi për të tjerë aeroporte të rinj, një në veri me aeroportin e Kukësit dhe dy në jug, në Vlorë, si aeroport i konsoliduar i kategorisë së parë si dhe në Sarandë në funksion të drejtpërdrejtë të turizmit.Burime të ministrisë thonë se ka shumë për të investuar në infrastrukturën e turizmit, për të kaluar nga një turizëm sezonal, në gjithëvjetor, nga turizmi masiv sasior në turizëm cilësor dhe elitar ndërsa ka ndryshuar tipologjia e turistëve, që vijnë kryesisht nga rajoni, por dhe Polonia, Çekia, Sllovenia, nga vendet nordike, Italia, etj.
Sivjet Shqipëria është shpallur numri 4 në 50 destinacionet më interesante të botës dhe “Lonely Planet” ka piketuar dhe destinacionet fantastike brenda Shqipërisë, ndërsa të gjitha gazetat e vendeve nordike në 10 ditët e fundit e kanë përshkruar Shqipërinë si një ndër destinacionet më të mira të turizmit.
LEXO TE NGJASHME