Viti i ri shkollor, Manastirliu: Do të ketë masa shtesë, Delta po shton rastet

0.9manastarliu

Katër poliklinikat e specialiteteve në Tiranë u hapën sot për vaksinimin anticovid për qytetarët. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Poliklinika e Specialiteteve nr.1 në Tiranë, duke theksuar se kjo bëhet për t’u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve për të aksesuar vaksinat.

“Pasi vijuam me të gjithë qendrat shëndetësore, me pikat e vaksinimit të përqendruar, me njësitë e lëvizshme, tashmë jemi edhe në Poliklinika, ku kemi hapur njësitë e vaksinimit. Besoj se do t’i shërbejë edhe më shumë rritjes së mbulesës vaksinale, pasi janë të shumë qytetarët të cilët vijnë dhe referohen nga mjekët e familjes në Poliklinika.”
Duke folur për situatën epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë tha se është vënë re një rritje e incidencës 2-javore në grupmoshën mbi 55 vjeç, por ka rritje edhe tek të rinjtë.

“Kemi një rritje me dy herë të incidencës dy javore të rasteve të infektuara. Dhe gjithashtu kemi një rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spitalin infektiv. Gjë që tregon një rritje të transmetueshmërisë dhe qarkullimit të variantit Delta, ashtu sikurse tashmë e kemi të konfirmuar. Ajo çfarë vërehet në këto javë, është rritja e qarkullimit në grupmoshat mbi 55 vjeç, që janë ato që janë më të prekura. Por sigurisht ka edhe grupmosha të më të rinjve”, tha Manastirliu.
Duke folur për fillimin e vitit të ri shkollor, Manastirliu bëri me dije se po punohet për hartimin e udhëzimeve të reja, duke shtuar se masat e thjeshta si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës dhe higjinës, duhet të respektohen.

“Ne do të vijojmë që të përqendrojmë të gjithë forcat tona përsa i përket vaksinimit. Por nga ana tjetër pa lënë mënjanë edhe masat e thjeshta, siç janë maska, distanca, higjiena. Të tre këto masa të thjeshta, të cilat janë në mbrojtje të shëndetit publik dhe që për të cilat ne do të vijojmë që të kemi masa shtesë edhe në protokollet të cilat ne jemi duke ndërtuar. Mos harrojmë që shumë shpejt do të fillojë viti i ri shkollor. Më tej do të fillojnë edhe universitetet. Janë të gjitha çështje të cilat janë në diskutim në Komitetin e Ekspertëve, me Institutin e Shëndetit Publik, për të gjitha protokollet të cilat janë duke u rifreskuar nga ekspertët tanë. Qoftë përsa i përket protokollit të fillimit të shkollave, mënyra se si do të jenë masat e thjeshta të vendosura në dispozicion të të gjithë strukturave tona, të mënyrës së kontrollit, mënyrës së verifikimit. Masat e thjeshta ne sërish do t’i quajmë si vendimtare në luftën kundër virusit”, tha Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino, tha se është rritur vaksinimi me dozat e para, ndërkohë që vaksinimin e mësuesve dhe mjekëve e quajti ‘detyrim moral’.

“Kjo është një javë e cila ka bërë ndryshim në lidhje edhe me përdorimin e vaksinës por edhe me rritjen e dozave të para dyfish. Është e rëndësishme që të rrisim mbulesën vaksinale me të gjitha llojet e mekanizmave. Pra, qoftë për promovimin, qoftë me mekanizma të tjerë. Mësuesit kanë një detyrim moral të vaksinohen. Nuk vaksinohen vetëm për veten, por kanë edhe një detyrim moral me fillimin e shkollës. Ashtu siç e kanë edhe mjekët, personeli shëndetësor”, tha Bino.
Ministrja e Shëndetësisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen gjatë muajit të hapur të vaksinimit + 18 vjeç, duke u paraqitur me kartën e identitetit, në pikën më të afërt të vaksinimit.

Janë më shumë se 1 milion e 800 mijë doza vaksine të mbërritura në Shqipëri deri tani, ndërkohë që furnizimi me vaksina do të vijojë. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,340,339 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre, 575,342 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.