Qyteti i Dritave dhe i Serenatave me te Bukura

 korca4 0

Korça si qytet dhe rrethi i saj shquhen për objektet dhe mjediset e veçanta me vlera të larta turistike. Në Korçë ka fushë të gjerë veprimi turizmi kulturor, ekologjik, malor etj. Në Korçë ndodhen Muzeu i Artit Mesjetar Shqiptar dhe Muzeu i Arsimit Kombëtar, Shtëpitë muze të piktorit me famë Vangjush Mio dhe atdhetarit të shquar Themistokli Gërmenji. Korça i ofron turistëve një trashëgimi të pasur kulturore në arkitekturë, urbanistikë, monumente kulture etj. Të veçanta janë ushqimet që servirin në restorantet, pijet karakteristike si vera, birra “Korça”, vodka korçare etj. Ekoturizmi është një fushë me interes të veçantë për të apasionuarit e natyrës së bukur korçare. Parku kombëtar “Bredhi i Drenovës”, 10 kilometra larg qytetit shtrihet në kurrizin e Malit të Moravës në lartësi deri 1400 metra mbi nivelin e detit, me sipërfaqe 1380 hektarë. Parku është i pasur me burime ujore, të cilat i mahnisin vizitorët siç janë burimet e Shën Gjergjit, Pllakës, Pllicës etj. Flora dhe fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme. 

Dominojnë drurë si bredhi i Maqedonisë (Abies borisi Regis), që ndodhet i kufizuar në Shqipërinë Juglindore, pisha e zezë, panja dhe tisi (Taxus bacata) që është tepër i rrallë. Këtu rritet numri më i madh i gjitarëve në Shqipëri. Ka vlera të pakrahasueshme për zhvillimin e ekoturizmit, sporteve dimërore, alpinizmit dhe ekskursioneve. Zona e Prespës është shpallur me vendim qeverie si zonë turistike dhe Park Kombëtar, ku natyra ka dhuruar dhe harmonizuar pyllin dhe liqenin të cilat krijojnë mundësi zhvillimi për një turizëm rural gjithëvjetor.

Në pesë fshatrat buzë liqenit të Prespës mund të zhvillohet turizmi familjar gjithëvjetor pasi të katërt stinët e vitit ofrojnë veçori turistike të ndryshme. Në Prespë mund të zhvillohet turizmi familjar duke u kombinuar me sportin e skive, zhvillimin e hipizmit, lundrimin me varka e anije të vogla. Një tjetër pikë turistike është Pylli i fazanëve në Maliq. Është një pyll i përzier gjysëm natyral i shpallur monument natyre rreth viteve ’60. Pylli ka një sipërfaqe prej 50 hektarë, ndodhet në lartësinë 813.5 metra mbi nivelin e detit kurse lartësia e pemëve arrin në 22.7 metra. Mosha maksimale e drurëve është 45 vjet. Pylli i fazanëve përmban 8 lloje drurësh ku përmendim plepin, shelgun, blirin, bredhin, pishën etj. 

Nëse doni t’i shpëtoni rrëmujës së plazheve të zhurmshme, vapës së madhe në verë, apo dimrit monoton të qyteteve të mëdha, nëse jeni të pasionuar pas natyrës, pyjeve, maleve, liqeneve, apo pas historive të vjetra dhe atmosferave të veçanta kishtare, atëherë nuk duhet të lini pa vizituar Korçën dhe rrethinat e saj. Një zonë me një histori të lashtë dhe me klimë të begatë, me njerëz mikpritës dhe punëtorë, një zonë ku përzihen bashkë ndikimet kulturore nga krejt Ballkani, por edhe nga Perëndimi. Mos ngurroni, në Korçë do të kaloni një përvojë fantastike. 

1. Pozita gjeografike
Qyteti i Korçës shtrihet ne pjesën juglindore te Shqipërisë dhe është qëndra e banuar më e madhe e pellgut me të njëjtin emër. Pellgu i Korçës ka një lartësi mesatare prej 850m mbi nivelin e detit, me gjërësi 16 km nga perëndimi në lindje dhe me gjatësi 35 km nga jugu në veri, dhe zë një sipërfaqe prej 300km2. Korça ka një pozite te favorshme gjeografike pasi ndodhet ne rrugët tregëtare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë (47km) dhe Greqinë (35km). 

2. Klima
Qyteti i Korçës bën pjesë në zonën mesdhetare paramalore, e cila ka një klimë të karakterit kontinental, me dimër të ftohtë dhe me një rritje të theksuar të temperaturës  gjatë verës. Muaji më i ftohtë është janari me temperaturë mesatare 0,4oC, ndërsa më i ngrohti është gushti me 20,6oC. Gjatë dimrit temperatura është më e ulët se 0oC. 
Përgjithësisht Korça ka mot të thatë: lagështia relative mesatare vjetore është 68%. Muaji me më shumë rreshje është nëntori (rreth 104,9mm) pastaj dhjetori, tetori, janari e shkurti. Vera zakonisht është e thatë, gjatë të cilës bien rreth 14% e reshjeve vjetore. Ndër reshjet vjetore një pjesë bien në formë bore, të cilat janë të përvitshme. Gjatë periudhës dhjetor-janar arrihet numri më i madh i ditëve me dëborë. 

Korça (rrethi) shtrihet në pjesën Juglindore të Shqipërisë, në Krahinën Malore Qëndrore. Përfshin tre qytete: Korça, qendër e rrethit, Bilishti e Maliqi dhe 27 komuna. Qyteti i Korçës është një nga qytetet kryesore të Shqipërisë, qendër rrethi. Shtrihet në pjesën Juglindore të vendit, në rrëzë të malit të Moravës, në lartësinë 869 metra mbi nivelin e detit. Relievi është kryesisht malor e kodrinor. 

Lartësia mesatare është 1145 metra. Korça, si rajon, është e rrethuar nga një numër i konsiderueshëm kodrash e malesh, në lindje qyteti kufizohet me malin e Moravës dhe në perëndim me zonën e Gorës, Voskopojës dhe Vithkuqit, të cilat janë zonat më malore. Në jug ndodhet Mali i Qarrit dhe në pjesën veriore është Mali i Thatë. Zona e ulët përfshin fushën e Korçës, një ndër më të mëdhatë e Shqipërisë dhe fusha e Devollit të sipërm. Zona e Korçës është e pasur me burime nënujore, lumenj, ku më i rëndësishmi është lumi i Devollit me degën Dunavec dhe Osumi i sipërm. Në këtë zonë gjenden burimet e tre lumenjve të Shqipërisë (Devoll, Shkumbin dhe Osum). Liqenet janë Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël. 
Korça kufizohet në veri me qytetin e Pogradecit i cili ndodhet 41 kilometra, në jug me qytetin e Ersekës, 45 kilometra, në lindje me Bilishtin, 27 kilometra, dhe në perëndim me Skraparin. Qyteti i Korçës ndodhet 181 kilometra nga kryeqyteti i vendit, Tirana. 

3. Koha më e përshtatshme për të ardhur
Të katërta stinët kanë bukurinë e vet për një udhëtim në Korçë, por stina më e bukur do të ishte dimri ku Korça të ofron një panoramë të mrekullueshme të qytetit nën petkun e bardhë. 

Interesante do të ishte Korça edhe në stinën e vjeshtës ku përveç se do të shijoni bukuritë e qytetit do të keni mundësinë të provoni frutat e mrekullueshme të zonës. Për të gjithë ata që preferojnë klimën malore, në verën e nxehtë, Korça dhe rrethinat e saj do t’ju ofrojnë freskinë, ajrin e pastër dhe një natyrë të mrekullueshme. Momenti tjetër shumë interesant janë ditët e festave si Pashkët, Krishtlindjet apo Karnavalet ku do të gjeni një atmosferë festive mbresëlënëse korçare. 

4. Moti dhe veshja
Korça karakterizohet nga një klimë pjesërisht mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura  mesatare vjetore arrin deri në 10.6ºC. 
Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 104 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 720 milimetra. Karakterizohet nga disa erëra lokale si Voskopojarja, erë jug-perëndimore, Morava, Devollka etj. 
Në stinën e dimrit përgatituni të visheni trashë pasi dimri në Korçë është i ftohtë me erë dhe me rreshje bore që e bën qytetin ideal për sporte dimërore. Ndërsa në verë vishuni hollë pasi vera është e ngrohtë dhe e thatë.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.