France, Rama dekorohet Komandant i Legjionit te Nderit
Për një emigrant shqiptar të dikurshëm në Francë, e mërkura ishte një ditë historike në Paris. Edi Rama, i rikthyer si kryeministër në qytetin ku kaloi vite të rinisë, mori në duar nderimin më të madh zyrtar të republikës franceze, urdhrin “Komandanti i Legjionit të Nderit” nga president francez.
Dekorata e lartë iu dorëzua nga homologu i tij francez Bernard Cazeneuve.
“Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Ju jeni i pari shef i qeverisë shqiptare që e keni angazhuar, me kurajë, vendin tuaj në rrugën e pajtimit me Serbinë dhe sidomos ia keni dalë, në marrëveshje me homologun tuaj serb, të ngrini një Zyrë Rajonale të Rinisë që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor. Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë nismë të bukur, themeluar mbi modelin e Zyrës franko-gjermane të Rinisë që kishin krijuar në kohën e tyre Gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer”, tha Bernard Cazaneuve, kryeministri i Francës.
Dekorimi i erdhi surprizë kryeministrit Edi Rama, i cili i emocionuar foli për nderimin që iu bë nga Presidenti francez: “Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht, është mëse e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist, i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha parë”.
Ky urdhër është nderimi më i lartë në Francë që prej vitit 1802, kur u krijua nga Napoleon Bonaparti. Ai i është akorduar më herët edhe shkrimtarit Ismail Kadare.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku më parë nënshkroi me homologun francez Deklaratën e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve.
LEXO TE NGJASHME