Kuvend, Blushi: Ministrat u hoqen si takse mbi koalicionin
Nga salla e Kuvendit, peshën e opozitës e mbajti sërish Ben Blushi, i cili u ndal gjatë tek ndryshimet në qeveri, të cilën sërish e quajti të dështuar. Por, më shumë se për kryeministrin Edi Rama, ish-socialisti akuzat për largimin e 4 ministrave i adresoi për Ilir Metën, për të cilin tha se është ai që vendos kush rri dhe kush ikën nga qeveria.
“Për çfarë qëndron në këmbë ky koalicion? Për kinkaleri ministrash, më jep një buzëkuq të jap një rimel. Ndryshuat statutin e Rilindjes si një vit më parë. U vu një nen i famshëm, kryetari i PS bëhet automatikisht ai që Meta pranon si kryeministër. E bëtë fakt. Atë që Meta s’e do ministër, ai nuk është. Kjo është taksa e koalicionit. Kë pranon Meta ministër apo kryeministër, ai bëhet”, tha Blushi.
Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, përgjigjen Blushit, me gjuhën e kreut të qeverisë, ia dha vetë Ilir Meta.
“Meqenëse në këtë fjalim historik unë u përmenda më shumë se nga politikanët e vjetër, nga një politikan i ri i sapoardhur nga një planet tjetër, dua t’i them të gjithë ministrave, kandidatëve për ministra, sot, nesër e përgjithmonë, që e vetmja ndërhyrje që kam tentuar të bëj pranë zotit Rama kur është bërë qeveria, është që parafolësi të bëhej ministër”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit shkon më tej kur thumbon Blushin për zgjedhjet e radhës, ku, sipas tij, kryetari i LIBRA-s do të provojë veten në elektorat: “Ndoshta mirë është bërë që nuk është bërë ministër sepse Shqipëria ka një alternativë të re, një shpresë të madhe, një njeri të pa provuar asnjëherë. Ka të drejtë të kërkojë të votohet dhe të besohet”.
LEXO TE NGJASHME