Nis konsultimi i ligjit për përmbarimin gjyqësor
Kuvendi ka nisur dje konsultimin e ligjit për përmbarimin gjyqësor. Gjatë një aktiviteti të zhvilluar me grupet e interesit, deputetja Vasilika Hysi prezantoi pikat kryesore të ligjit. Ndërsa kreu i Dhomës së Përmbaruesve Privatë, Tedi Malaveci, tha se përmbaruesi nuk duhet parë vetëm si një biznes, por në kuadër të zbatimit të ligjit që dalin nga gjykatat. “Përmbarimi nuk shihet thjesht si biznes dhe shërbimi përmbarimor privat edhe sot nuk duhet parë më sikur të jetë objekt tregtimi sipas rregullave të tregut, por është koha që ky shërbim t’i referohet vetëm rregullave të ligjit.Përmbarimi është i panegociueshëm në treg”, tha ai.
Malaveci propozoi që numri i përmbaruesve të racionalizohet në bazë të numrit të popullsisë. “Neni 13 i këtij drafti e racionalizon numrin e përmbaruesve sipas faktorëve objektivë, që lidhen me kërkesën dhe nevojat publike për shërbimin privat, numrin e popullsisë, numrin e titujve ekzekutivë të dalë nga gjykata e rrethit gjyqësor apo numrin e akteve noteriale të ekzekutueshëm”, tha ai.
Sipas relacionit të ligjit, është propozuar shtimi i nenit 12/a, sipas të cilit:
1. Pagesa e shërbimit ndaj subjektit përmbarimor përbëhet nga:
a) një tarifë bazë, që përfshin: i. kostot dhe shpenzimet e nevojshme për fillimin e procedurave të ekzekutimit, si dhe ii. kostot dhe shpenzimet për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale deri në ekzekutim përfundimtar.
b) një tarifë suksesi, e përcaktuar si e tillë në kontratën përkatëse, e cila mund të jetë në formën e një shume të caktuar, një përqindje të caktuar mbi vlerën e padisë, ose nëpërmjet kombinimit të të dyjave, dhe që paguhet pas përfundimit me sukses nga ana e përmbarimit të të gjitha veprimeve ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e urdhrit të ekzekutimit, apo edhe çdo procedure tjetër ligjore të suksesshme.
2. Vlera e tarifës së suksesit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë në përputhje me nenin 10, të këtij ligji.
3. Të ardhurat e mbledhura nga pagesa e tarifës së suksesit derdhen në buxhetin e shtetit.
LEXO TE NGJASHME