Ministri Bushati i adresohet Keshillit te Perhershem te OSBE-se
Me rastin e 25 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në OSBE, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ishte i ftuar i Këshillit te Përhershëm të OSBE-së.
Në këtë takim ishin të pranishëm Përfaqësuesit e 57 vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe ato vendeve partnere për bashkëpunim.
Ministri Bushati theksoi se angazhimi i vendeve pjesëmarrëse në respektimin e parimeve dhe normave që udhëheqin punën e OSBE-së, si demokracia e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, liritë themelore dhe ato ekonomike, drejtësia sociale dhe siguria mbeten të njëjtat e 25 viteve me parë.
Ai u ndal ne reformat e ndërmarra në vend dhe mbi bashkëpunimin me OSBE-në në kuadrin e këtyre reformave, përkatësisht ngritja dhe forcimi i institucioneve demokratike në Shqipëri. Ministri Bushati u ndal në mënyrë të veçantë, edhe në reformën në drejtësi, si një nga reformat më madhore për vendin, ku edhe OSBE ka dhënë kontribut për realizimin e saj. “Qëllimi i reformës në drejtësi është që të sigurohet pavarësia e sistemit, llogaridhënia, profesionalizmi dhe efektiviteti, si dhe çrrënjosja e korrupsionit. Ky është një proces sfidues, i mbushur me vështirësi, por, ne kemi vullnetin politik për të kryer reforma, dhe për këtë kemi mbështetjen e jashtëzakonshme të partnerëve tanë si, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Ministri Bushati.
Ministri Bushati evidentoi se bashkëpunimi me OSBE-në jo vetëm që ka forcuar e konsoliduar ritmet e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, por ka ndikuar pozitivisht edhe në forcimin e bashkëpunimit me vendet anëtare për të realizuar objektivat e përbashkëta të sigurisë të vetë organizatës.
Në fjalën e tij përpara KP të OSBE-së, Ministri Bushati u ndal në nevojën për dialog dhe implementimin e angazhimeve në kuadër të OSBE-së. Ai evidentoi rolin konstruktiv dhe pro-aktiv që Shqipëria luan në fushën e bashkëpunimit rajonal, si një element thelbësor në integrimin evropian të rajonit. Procesi i Berlinit dhe projektet e ndërlidhjes në transport, energji dhe tregti, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë ndjeshëm në forcimin e sigurisë rajonale.
Ministri Bushati përsëriti edhe një herë kërkesën e Shqipërisë dhe të shumë shteteve të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së që Kosova të jetë pjesëmarrëse në diskutimet që zhvillohen në forumet e kësaj organizate. Besojmë fuqimisht, tha Ministri Bushati, se ka ardhur koha që Kosova, ashtu si çdo vend tjetër i rajonit, së shpejti do të ketë një vend në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.
Gjithashtu, në fjalën e tij, ai theksoi nevojën për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon, si një element kyç të forcimit të urave lidhëse mes popujve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri trajtoi edhe disa çështje të rëndësishme me të cilat përballet OSBE sot, si kriza në Ukrainë, modernizimi i Dokumentit të Vjenës, konfliktet e zgjatura, lufta kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimet në Mesdhe dhe çështja e refugjateve , për të cilat ofroi edhe një herë angazhimin e pa lëkundur të Shqipërisë, në shërbim të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinent e më gjerë.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Bushati falenderoi Kryesinë gjermane të OSBE-së për angazhimin e pakursyer të tyre në implementimin e angazhimeve në kuadrin e OSBE-së si dhe i uroi suksese Kryesive të radhës, asaj austriake dhe italiane.
LEXO TE NGJASHME