“‘Diella’ së shpejti do të ketë fëmijë, do t’i lindë në ‘maternitetin’ e…”, robot edhe për sigurinë ushqimore, Rama: Kompania gati

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari, është shprehur se ministrja robot “Diella” së shpejti do të ketë fëmijë.
Ai u shpreh se ministrja e Inteligjencës Artificiale do t’i lindi fëmijët në “maternitetin” e Inteligjencës Artificiale.
“Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile. Është plotësisht e mundur që njerëzit mos të harxhojnë lek, mos harxhojnë kohë, mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendtë e kokës në procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procese të ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti dhe plot të tjera gjëra që duhet t’i shohim dhe duhet t’i bëjmë”, tha kryeministri Rama.
Duke shtuar se “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”.
Rama iu përgjigj edhe kritikëve se Diella është ngritur për të vjedhur, duke u shprehur se “kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej”.
“Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej. Si i shkon një njeriu normal mendja, mund të ketë 1000 pyetje për Diellen por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur ose vjedhin ose do vidhnin në rast se i caktonte njeri ne vend të Diellës”, tha Kryeministri.
Rama theksoi se siguria ushqimore do të kontrollohet përmes Inteligjencës Artificiale. Kryeministri njoftoi se është ngritur kompania që do të gjurmojë produktet ushqimore të importit përmes Inteligjencës Artificiale.
“Për sigurinë ushqimore dhe për sigurinë e të gjitha mallrave që vijnë nga importi dhe për sigurinë e cilësisë, ne përsëri me Inteligjencë Artificiale do të ndryshojmë komplet mënyrën se si do të kontrollojmë.
Kemi krijuar një kompani “AlbTrace” me partnerë, një ndër pesë kompanitë më të mira në botë të gjurmimit, pikërisht të mallrave, të produkteve dhe tani po ndërtojmë sistemin. E njëjta gjë për naftën, e kështu me radhë”, deklaroi ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ndërkohë që ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë, shumë, shumë e thjeshtë. Çfarë ndodh me tenderat dhe ku hyn korrupsioni në një proces tenderimi. Në dy faza, procesi ka dobësi; dobësi që i shfrytëzon korrupsioni.
Pra, tek termat e referencës dhe e dyta, tek gjykimi mbi dokumentacionin. “Jo, nuk ma ke sjellë me vulë të freskët”, “Jo, s’më ke sjellë letrën në kohë se sa punonjës ke”, “Jo, ke sjellë me vonesë këtë, atë”.
Atëherë tek terma e referencës, Diella e bën të pamundur trajtimin me preferencial, të dikujt përmes referencave dhe për këtë, ne jemi duke, ne, domethënë ata që po merren me këtë, po punojnë.
E dyta, të gjitha dokumentet pafund që bëjnë kompanitë dhe mbledhin lart e poshtë për shkruar ndonjë tender janë fakte publike. Pra ekzistojnë në sistemin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sa punonjës ke? E kanë në Sigurimet Shoqërore, e kanë Taksat. Sa xhiro ke? Sa kështu ke? Sa ashtu ke? Sa makineri ke? Të gjitha këto janë dhe Diella do i mbledhin vetë. Nuk ka nevojë fare të shkojnë njerëzit lart e poshtë, edhe t’i mbledhin, bëjnë dosjet, pastaj del një anëtar komisioni edhe thotë: “Jo, nuk e ke me vulë të freskët”. Do ti mbledhi të gjitha vetë.
Pra, termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta. Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale, bazuar te të gjitha këto dhëna që thashë, kaq e thjeshtë është, në të thënë, është shumë e komplikuar në të bërë.
Gjithe arkitektura e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”. Kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë shkencë të madhe.
Më falni se u zgjata me këtë pjesë, po thjesht për t’iu thënë që duket sikur flasim për fantazira dhe për filma fantastiko-shkencor, po kjo është reale dhe është po kaq reale, siç jemi real ne që jemi këtu dhe mjafton pak interesim, pak vëmendje, pak lexim për ta kuptuar se çfarë thesari është ky dhe çfarë kemi në dispozicion për të përmirësuar në mënyrë eksponenciale jetën e njerëzve, për të rritur në mënyrë eksponenciale parametrat e sigurisë; për shembull për sigurinë ushqimore dhe për sigurinë e të gjitha mallrave që vijnë nga importi dhe për sigurinë e cilësisë, ne përsëri me Inteligjencë Artificiale do të ndryshojmë komplet mënyrën se si do të kontrollojmë.
LEXO TE NGJASHME



















