EMRAT/ I shkaktuan shtetit dëm 340 milionë lekë, kush janë 15 zyrtarët që akuzohen bashkë me Plarent Ndrecën
Prokuroria e Posaçme ka njoftuar këtë të mërkurë, se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit socialist Plarent Ndreca dhe 15 zyrtarëve të tjerë të shtetit, për një dëm prej 340 milionë lekësh.
Çështja është dërguar në gjykatë dy ditë më parë, më 25 Nëntor dhe bën fjalë për procedimin penal nr.240 të vitit 2021 në ngarkim të 16 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.
Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
SPAK mbyll hetimet dhe çon në gjykatë deputetin socialist Plarent Ndreca
Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Prokurorisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.
Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qenë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
15 zyrtarët e akuzuar nga SPAK, bashkë me Plarent Ndrecën
Anëtarë të njësisë së prokurimit si Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore të prokurimit.
Gjithashtu, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.
Një komision për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar.
Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë. Deri në këtë moment, kjo vlerë nuk është ekzekutuar ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit.
LEXO TE NGJASHME