PS dhe opozita bashkojnë votat në Komision: Rriten rrogat e deputetëve dhe ministrave. Ja sa do të jenë pagat e reja

Capture 153

Komisioni i Ekonomisë ka votuar sot të rrisë edhe rrogat e deputetëve dhe ministrave. E vetmja votë kundër ishte ajo e deputetit Agron Shehaj.

Vendimi është miratuar teksa po diskutohej pr.ligji për rritjen e pagave të të gjithë administratës.

Me vendimin e miratuar, paga e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë bruto nga 181 mijë që e ka sot, ndërsa e një deputeti 330 mijë lekë bruto nga 158 mijë lekë që është aktualisht.

Deputetët përplasen me Ibrahimajn: Si të vjen ty që drejtori që ke në krah ka rrogë më të madhe se ti? Ministrja: Do rishikohet më vonë

Komisioni i Ekonomisë ka nisur diskutimin për rritjen e pagave në administratë, ndërkohë që nuk është përfshirë ndryshimi i rrogave për deputetët dhe ministrat.

Diskutimi që nisi para zgjedhjeve u bllokua në këtë komision për shkak se deputetët kërkuan që të përfshiheshin edhe ata në skemën e rritjes së pagave.

Nga ana tjetër ministrja e Financave, u shpreh se rritja e pagave për deputetët dhe ministrat do të bëhet në një moment të dytë.

Debati

Ibrahimaj: Paga në administratën publike do të shkojë në 900 euro në dy hapa. Hapi i parë sapo ka filluar dhe hapi i dytë do të jetë gjatë vitit të ardhshëm. Me përcaktimin e pagës së Presidentit si paga më e lartë, janë të lidhura edhe disa funksione të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi. Praktikisht përfitojnë. Përsa i përket koeficentëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë  me institucionet e Kuvendit dhe Ekzekutivit janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave për ta rikonsideruar në një moment të dytë kjo për shkak se kemi pasur për qëllim të përqendrohemi fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish sikundër janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore.

Shehaj: Nga propozimi i qeverisë për rritjen e pagave, ju keni përjashtuar ministrat dhe deputetët. Me këtë që keni bërë, nëse nuk gaboj, drejtorja e Përgjithshme, zonja Dhëmbi, do të ketë një rrogë më të lartë se tuajën. Është e vërtetë?

Ibrahimaj: Në fakt po. Propozimi që kemi sjellë në Kuvend, nuk parashikon rritje të pagave për ministrat dhe deputetët. Ne donim që të gjithë kategoritë e tjera të përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të kësaj, do të sillnim një nisëm për rishikimin e koeficentëve për anëtarët e kabinetit dhe deputetët. Do ta sjellim më pas si propozim.

Shehaj: Ju po thoni që rrogat e deputetëve dhe ministrave janë më pak të rëndësishme sesa rrogat e punonjësve të tjerë të administratës. Ju duket normale që drejtorët dhe këshilltarët që u shoqërojnë sot e kanë rrogën më të lartë se tuajën, apo më të lartë se e deputetëve?

Ibrahimaj: Qëllimi ka qenë që reforma të përfundonte dhe më pak të përcaktohej paga e ministrit dhe deputetit.

Shehaj: Tani ju po thoni që të rriten rrogat njëherë për të gjithë, më pas do merremi me deputetët dhe ministrat. Ju po thoni që rritja e rrogave duke mos e ndryshuar koefiçientin për pak a shumë 1 mijë euro në muaj për 140 deputetë dhe ministrat, rrezikon të bëjë të parealizueshme rritjen e pagave për të tjerët?! këtë po thoni?

Ibrahimaj: Nuk po them këtë. propozimi që kemi sjellë është i mirëmenduar. Kostoja e pagave të deputetëve dhe ministrave nuk është një kosto që ndikon në rritjen e pagave. Ajo që po them është që për ne ka prioritet zbatimi I repormës tërësore për rritjen e pagave. Pra nuk është çështje buxhetore.

Shehaj: Nuk po e kuptoj atëherë se si e pengon zbatimin e kësaj reforme të rritjes së pagave, përfshirjen e ministrave dhe deputetëve në rritjen e pagave. Çështja është këtu se ju vinin në komision dhe u kërkoni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të rrisin rrogën për të gjithë përveçse për veten e tyre. Ju po thoni rrogat tona se rrogat e deputetëve janë të parëndësishme dhe mund të marrin më pak se një drejtor në ministrinë tuaj. Ju po vini këtu dhe po na ofendoni të gjithë.

Gjylameti: Po bëni të njëjtën pyetje 3 herë.

Shehaj: Mos është një tallje, një farsë e kryeministrit? Thjeshtë për të treguar se ju jeni aq të ndjeshëm për popullin dhe administratën ndërsa përbuznin punën e deputetëve apo ministrave? Ju po thoni që këta janë të korruptuar dhe rrogën as që e shohin fare. Ndaj dhe i përjashtojmë. Po ju zonja minister a keni nevojë që rroga juaj të jetë sa u takon? Sepse me 1 milionë e 750 mijë lekë nuk mjaftojnë. Nëse e meriton këshilltari juaj, pse nuk e meritoni ju zonja minister? Sepse qytetari I thjeshtë mendon tani se ju nuk meritoni rritje rroge zonja minister, apo jeni të gatshëm ta sakrifikoni atë për të mirën e popullit dhe shqiptarëve.

Agalliu: Kuvendi që miraton pagën e Inspektorit, ka rrogë sa gjysma e inspektorit. Kjo nuk bën sens. Nëse duam të ruajmë dinjitetin e çdo individi, të nisë rritja me Presidentin, të shkojë te Kryeministri, të shkojë më pas te ministri e deputeti.

Spaho: Paga e deputetit nuk është indeksuar prej vitesh. Unë mban mend që me këtë pagë e kam filluar që në vitin 2005. Madje deputetit i thuhet edhe që të blejë makinën me lekët e tij dhe të bëjë punën e qeverisë.

Ibrahimaj: Unë nuk kam thënë që nuk e vlerësojmë punën e deputetit apo ministrave. Thashë që pasi të zbatohet rritja për administratën, do të sjellim një propozim për rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat.

Shehaj: Nuk jam dakord me këto propozime që u thanë këtu. Kjo është një shfaqje e shëmtuar. Është ofenduese ndaj kuvendit të Shqipërisë. Të vish këtu dhe të thuash se do u rritet rroga të gjithëve me përjashtim të deputtëve, është një shfaqe populist tipike e kësaj qeverie. Unë propozoj që ky projekligj të mos kalojë dhe ju të sillni një projekligj normal sin ë të gjitha vendet e botës. Për rritjen e të gjitha rrogave. Qendrimi juaj se do merremi në një moment të dytë me deputetët është tallje.  Ju thoni se deputetët tani duhet të rrisin vetë rrogat e tyre. I ftoj kolegët të mos bëhen pjesë e kësaj farse, nuk mund të tallet kryeministri dhe qeveria në këtë farë mënyrë. Nuk mund të thotë që unë po e rris për popullin por ju po deshët rriteni vetë. Merreni ju përsipër këtë tupr thotë kryeministri.

Braçe: Në Kuvend ka deputetë që kanë interesa biznesi, sikundër në kuvend ka deputetë që i bëjnë nder kuvendit, i bëjnë nder institucioneve, i bëjnë nder demokracisë. Të jesh deputet nuk është qokë që e bën filan parti për filanin, thjesht dhe vetëm në kuptimin për shërbimin që bën kundrejt partisë. Të jesh deputet është nderi i jetës sa kohë materializon atë që është qëllim themelor: ti shërbesh interesit publik. Në rast se duhet të kthehemi te një administratë ku duhet të sundojë merita dhe të kuptojnë që vendi i punës nuk është qokë, duhet të ketë një ridimensionim të administratës. Të paaftët duhet të dalin jashtë, të talentuarit të marrin atë që u takon. Reforma e pagave nuk duhet të degradojë në shpërndarje parash për gjithkënd. Për fat të keq jemi në pikën që do shpërndahen para edhe te njerëz që e meritojnë, por edhe te njerëz që nuk e meritojnë fare. reformës së pagave duhet ti shkojë pas një reformim i administratës publike.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.