DASH gati një tjetër “listë të zezë non gratash” në Shqipëri, “tërmet” në radhët e pushtetarëve të lartë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura dhe premtojnë se nuk do ndalen deri sa politika shqiptare të pastrohet nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit përmes mekanizmit të shpalljes “non grata”, por jo vetëm kaq pasi SHBA po përgatit goditje të reja.
Gazeta e ka paralajmëruar se Uashingtoni pritet që t’i japë një tjetër hov luftës ndaj personave të korruptuar në Shqipëri dhe në Ballkan, ndërkohë që kjo gjë u pa dy ditë më parë kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” të tjerë zyrtarë të lartë në rajon.
Por 2023, pritet të sjellë “tërmet”, pasi do të shtohet “lista e zezë e non gratave”. Paralajmërimi ka ardhur këtë fundjavë nga koordinatori i DASH kundër korrupsionit Richard Nepheë. “Në vitin e fundit ne shpallëm në total 75 persona non grata si të përfshirë në afera korruptive. Ne premtojmë se do ta shtojmë këtë vit këtë numër peronash të ndëshkuar”, tha zyrtari i lartë i DASH.
DASH vlerëson punën e SPAK
Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka vlerësuar performancën e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion të Shqipërisë (SPAK). Ky vlerësim performance është rezultat i Strategjisë Globale të ShBA-së në "Luftën kundër Korrupsionit dhe Samitit për Demokraci Viti i Veprimit", lançuar nga Presidenti Biden para një viti.
DASH nënvizon veçanërisht performancën pozitive të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion të Shqipërisë (SPAK) në këtë aspekt duke konkluduar: "Me ndihmën e SHBA-së, Shqipëria krijoi një Organ të Posaçëm Kundër Korrupsionit si një ent i ri elitar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në muajt e fundit, organi ka arrestuar ish-ministra, deputetë në detyrë, gjyqtarë, policë, prokurorë, kryebashkiakë dhe krerë nga krimi i organizuar". Pas takimit personal që Ndihmës Sekretari i DASH, autori i kësaj DipNote, pati edhe me Drejtuesin e SPAK, z. Arben Kraja, siguroi në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit se, SHBA do të vazhdojë ta mbështesë edhe më fuqimisht SPAK në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e rezultateve në luftë kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Ja se si do të bllokohen asetet
Nga ana tjetër, qeveria amerikane nuk do të ndalet vetëm tek “non gratat”. Mësohet se janë nisur procedurat për të identifikuar qartë burimet ekonomike dhe mediatike që kanë mbështetur këta politikanë të korruptuar.
Pra, SHBA dhe Britania do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit, duke mos u ndalur vetëm tek vendosja e një “damke”. Në platformën kundër korrupsionit thuhet se Departamenti i Thesarit ka krijuar një ekip që do të zhvillojë dhe mbështesë më tej nismat aktuale kundër korrupsionit dhe do të adresojë ndikimin e tij.
Sipas dokumentit,ky ekip do të punojë në të gjithë elementët e Departamentit të Thesarit duke përfshirë krimet financiare, sanksionet ekonomike, transparencën financiare dhe financat ndërkombëtare.
"Departamentet dhe agjencitë do të mbështesin ekipet ndërsektoriale të krijuara për të luftuar korrupsionin dhe do të nisin nisma të reja. Departamenti i Thesarit ka krijuar një ekip kundër korrupsionit për të zhvilluar dhe mbështetur zbatimin e nismave aktuale dhe të reja për të luftuar korrupsionin dhe ndikimin e tij.
Ekipi punon me të gjithë elementët e Departamentit të Thesarit, duke përfshirë krimet financiare dhe inteligjencën financiare, sanksionet ekonomike, politikën e transparencës financiare, hetimet tatimore penale, politikën tatimore dhe financat ndërkombëtare”, thuhet në platformë.
Lëvizjet e fundit do ta fundosin përfundimisht Sali Berishën dhe të gjithë emrat e tjerë që janë “non grata”, por edhe listat e reja që pritet të publikojë SHBA gjatë vitit 2023.
LEXO TE NGJASHME