Ilir Meta rikthehet me Partinë e Lirisë: Ja si do e rrëzojmë Edi Ramën

auto meta1658818325partia.lirise

Lëvizja Socialiste për Integrim tani do të quhet Partia e Lirisë. Ndryshimi i emrit u bë mbrëmë në Konventën Kombëtare të partisë, e cila miratoi me herët disa ndryshime të tjera të rëndësishme në statut.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, dha dorëheqjen nga drejtimi i LSI-së dhe Partia e Lirisë do të drejtohet për një periudhë “tranzitore” prej dy muajsh nga një Komitet Organizator. Sipas vendimit të marrë me votë të hapur në punimet e Konventës Kombëtare të LSI-së, ajo ngarkoi Komitetin Organizator për drejtimin e partisë dhe përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet, pasi të gjitha strukturat drejtuese ishin me mandat të përfunduar.

Anëtarët e pranishëm në Konventën Kombëtare votuan unanimisht që Ilir Meta të jetë drejtuesi i Komitetit Organizator dhe Agim Nesho, zëvendëskryetar i këtij komiteti.

Përpara ndryshimit të emrit, delegatët votuan për disa ndryshime në Statutin e LSI-së, të cilat i hapën rrugë jo vetëm ndryshimit të emrit, por edhe mënyrës se si do drejtohet partia e re deri në zgjidhjen e strukturave të reja në mbledhjen e radhës të Konventës Kombëtare, që me forcën e kartonit u vendos që të mbahet brenda dy muajsh.

Partia e Lirisë do të drejtohet nga 77 anëtarët e Komitetit Organizativ në të gjitha nivelet e saj.

“Konventa Kombëtare ka të drejtën e ndryshimit të emrit, simbolit dhe vulës së partisë, si dhe Konventa Kombëtare ka të drejtën e ngritjes së strukturave drejtuese të përkohshme dhe delegim të kompetencave të tyre”, ishin ndryshimet në Statutin e LSI-së.

Drejtuesi i Komiteti Organizativ, që do të drejtojë Partinë e Lirisë deri në zgjedhjet e ardhshme për kryetar, Ilir Meta, u shpreh:

“Mos shisni votën, mos tradhtoni më Ilir Metën dhe Kushtetutën. Sot me besa besë, me gjithë shqiptarët e ndershëm të shpallim ‘non grata’ kleptokracinë. Kemi parë si shiten dhe blihen politikanët. Dhe mos harroni atdheun. Ju ftoj nga partia e LSI-së në Partinë e Lirisë, Sovranitetit dhe Referendumit”.

Drejtuesi i përkohshëm i Partisë së Lirisë, theksoi se LSI ka merita të rëndësishme në arritjet kryesore të vendit, ndërsa shtoi se: “Djegia e mandateve ishte e planifikuar nga mafia. Duhej të braktisej edhe pushteti lokal që të bëhej Tirana ashtu siç është bërë. Kjo bandë kërkon të zhbëjë çdo gjë. Ndaj në 5 vite ndodhi një grusht shteti pa tanke, por me procedura. Edhe me ekspertizë madje edhe të huajt na mësuan si Parlamenti monist mund të marrë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që i propozon Presidenti që të betohen te Lana”.

Monika Kryemadhi, pas Konventës Kombëtare të LSI-së, ku u ndryshua emri në Partia e Lirisë, në të cilën dha dorëheqjen, u shpreh se si kryetare e kësaj force politike, e ndjente veten si në kafaz, ndërsa vendimin për të djegur mandatet, ia faturoi dëshirës për të marrë vendime e vetme si grua.

“Siç ka emrin, ndihemi të lirë, sot shqiptarëve iu mungon liria, liria e votës, e të shprehurit, liria e qytetarëve për t’u informuar, për të pasur demokraci. Mendoj se data e sotme është shumë e rëndësishme. Unë e kam thënë gjithmonë që përveçse është shtetari më i mirë që ka Shqipëria, por edhe një nga politikanët më të përgjegjshëm, që nuk bën asnjëherë lëvizje të gabuara. Sot nuk është rikthyer bashkëshorti i Monika Kryemadhit, rikthimi i Metës është një shans për opozitarizmin, për të përfshirë dhe për ta hapur Partinë e Lirisë, fjala që kanë më shumë nevojë sot është liria, kërkojnë më shumë ajër për të qenë liri. Ndihem jashtëzakonisht mirë, më rikthen për të punuar me të rinjtë. Si kryetare, isha në një kafaz, që ishte shumë i bukur nga jashtë, por i vështirë. Pengu im i vetëm ka qenë që nuk e dëgjova Ilir Metën për djegien e mandateve, ishte emocioni që unë doja të merrja vendim e vetme edhe si një grua. Mendoj se sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare është e etur për liri”, tha Kryemadhi.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.