SHBA thërret në takim ambasadorët e vet nga Ballkani Perëndimor
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka publikuar një fotografi në twitter. Përveç tij, aty shihen ambasadorët amerikanë që shërbejnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, e ku janë takuar në Konferencën e shefave të misioneve të këtij viti në Washington.
Hovenier shkroi se në këtë takim kanë pasur diskutime mbi prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal me udhëheqësinë e Zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, njofton RTK.
Në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor, duket se është tashmë në vëmendjen më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kështu, të gjithë ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor, të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, do të takohen me liderët e Departamentit të Shtetit këtë javë, për të diskutuar prioritetet e SHBA në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe integrimi, që është më i rëndësishëm se kurrë. Këtë e deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter. Në fotografinë që ka shpërndarë, Kim shfaqet e buzëqeshur pranë homologëve të saj, ndërsa pranë tyre, në mes, është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përveç ambasadores anerikane Kim që shërben në Shqipëri e ambasadorit Hovenier që shërben në Kosovë, të rreshtuar janë edhe ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ambasadori amerikan në Bosnje-Hercegovinë, Michael Murphy, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
LEXO TE NGJASHME