Rama vazhdon sulmet ndaj Brukselit dhe Bullgarisë: BE si Putini i sëmurë

rama.sulme.bullgari

Pasi Bashkimi Europian dështoi sërish të hapte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Edi Rama thotë se i vjen keq për BE-në, por nuk është i zhgënjyer.

Në një intervistë telefonike për median italiane Corriere, Rama tha se Bashkimi Europian nuk i ka mbajtur premtimet.

“Nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që janë pengje të një vendi të vetëm të BE-së, Bullgarisë, e cila është dhe anëtare e NATO-s njësoj si ne. E gjithë kjo situatë përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme”, është shprehur Rama.

-Pse jeni peng i Bullgarisë?

Edi Rama: Thjesht për çështjet e tyre të brendshme politike, asgjë më shumë.

-A prisnit një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Edi Rama: BE nuk i ka mbajtur premtimet. Të njëjtët drejtues të komunitetit evropian pranojnë që ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë.

-A diskutuat me Presidentin francez Macron, atë të Këshillit Europian Michel dhe të Komisionit, Von der Leyen? Çfarë i thatë njëri-tjetrit?

Edi Rama: Diskutuam si mund të dalim nga kjo situatë dhe u thashë se mbështesim idenë e një komuniteti të ri evropian.

-A duhet hequr unanimiteti nga vendimet e BE?

Edi Rama: Mendoj realisht kështu, 100%. Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme për vendet anëtare, e cila ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por ka ardhur koha për ta hequr atë.

-Keni folur me Kryeministrin italian Mario Draghi?

Edi Rama: Sigurisht. Diskutuam për këtë situatë, nevojën urgjente të gjetjes së një zgjidhje. Diskutuam edhe për ndikimin rus në Ballkan.

-A rrezikohet Ballkani nga influenca e Rusisë dhe Kinës me këtë ngërç?

Edi Rama: Padyshim që ky rajon përfaqëson një nga pikat më të dobëta të kontinentit përsa i përket rrezikut nga të tjerët. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë që ajo ka mënyrat e veta të cilat e bëjnë Ballkanin të pambrojtur. Kjo është dhe arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të rajonit po punojmë për Ballkanin e Hapur që pret të anëtarësohet në BE.

-Putin duhet të jetë i lumtur me këtë ngërç?

Edi Rama: Putin mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Europian nuk është më mirë.

-A e lë në hije fatin tuaj statusi ndaj Ukrainës?

Edi Rama: Aspak. Janë dy raste të veçanta. Ukraina meriton të jetë kandidate për vend anëtar në BE.

-A duan ende shqiptarët të anëtarësohen në BE?

Edi Rama: Nuk mund të jap një përqindje, por qëndrimi i shqiptarëve ndaj Europës nuk ka ndryshuar. Duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së.

-Kur mendoni realisht se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian?

Edi Rama: Sinqerisht? E pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është njësoj si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore. /tvklan.al

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.