Pse u tërhoq Rama nga kërkesa për të vënë Ilir Metën para drejtësisë
Nëse opozitës së Sali Berishës ka vendosur t’ia presë hovin duke i përmendur SPAK-un dhe drejtësinë e re, me Ilir Metën llogaritë i dalin ndryshe.
U duk sikur kryeministri Rama tentoi t’i sulmojë të dy, në të njëjtën formë si kreun e shtetit ashtu edhe Berishën gjatë asamblesë së Partisë Socialiste. “E gjithë Shqipëria po pret ta shohë para drejtësisë Ilir Metën” u shpreh Rama, ndërsa i kërkonte llogari SPAK-ut për hetimet ndaj Ardian Dvoranit.
U duk se kërkesa për hetimin e Metës ishte e njëjtë me atë që bëhet për Sali Berishën. Dyshja pritet të bashkohet pas 24 Korrikut, kur Meta lë presidencën për t’u hedhur në krahët e opozitës. Pas kësaj, LSI i bashkohet sërish Partisë Demokratike kundër Ramës.
Por në konferencë, ku doli bashkë me Ulsi Manjën e dosjes 184, Rama bëri një hap pas nga akuzat për Metën. Në vend të sulmit, pati një sqarim.
“Unë nuk kam kërkuar të dalë para drejtësisë askush. Kam kërkuar të hetohen personat që një Shqipëri e tërë kërkon të hetohen për të mësuar të vërtetën. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar mendon dhe që duhet të dënohen e këtë mund ta konstatoni lehtësisht. Kurse unë nuk e them këtë. Kjo nuk është puna ime. Nuk jam as prokuror as gjykatës. Por unë dua, unë, këto që kam thënë në keto dy apo tre dalje, nuk janë as për ju, nuk janë as për kundërshtarët, nuk janë as për anglo-amerikanët. Këto janë për popullin shqiptar, që ta dijë ku qëndroj unë” u shpreh kryeministri duke mos e përsëritur më deklaratën e fortë në Asamble.
Tërheqja për përgjegjësinë penale vjen e papritur. Në vitet e fundit, Rama nuk është kursyer ndonjëherë ndaj presidentit, madje tentoi shkarkimin e tij. Atëherë përse nuk kërkon hetimin e tij njësoj siç bën për Berishën?
Shpjegimi vjen nga një konstatim i thjeshtë, që Ramës i erdhi bashkë me pyetjen. Kur e kuptoi Rama se Ilir Meta duhet hetuar, gjatë kohës që bashkëpunonin në koalicion apo pasi e zgjodhi president?
Nëse këtë e kuptoi gjatë kohës që e zgjodhi president, deri tani nuk ka pasur asnjë akuzë penale. Nëse e kuptoi kur qeverisnin bashkë, akuza i kthehet si bumerang dhe e bën bashkëpuntor. Pikërisht këtë teori të dytë, kryeministri e përmendi vetë.
“Erdhi një moment që realisht po e ndieja e konstatoja nga gjithë komunikimet me njerëzit e adresimet ne rrjetet e mia sociale që po konturohesha si kolaboracionist. Unë nuk jam kolaboracionist i askujt e me askënd” tha Rama, duke pranuar se akuzat për Metën ishin më shumë një deklaratë mediatike se sa një qëndrim politik që mund t’i kthehet si bumerang./Lapsi.al
LEXO TE NGJASHME