Muaji i Ramazanit, KMSH: Në këto kohë të trazuara, solidaritet mes njëri-tjetrit dhe popujve!

muaji.ramazanit.keshilla

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarëve dhe veçanërisht besimtarëve myslimanë me rastin e Muajit të Ramazanit që fillon nesër, më 2 prill 2022. 

Në fjalën e tij, z. Spahiu ka theksuar rëndësinë e paqes mes njeri-tjetrit dhe kombeve "në këto kohë të trazuara", siç i cilëson: "Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve", thekson kreu i KMSH-së.

Në vijim, mesazhi i plotë i tij:

Të dashur besimtarë myslimanë dhe gjithë ju bashkëkombas brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Nesër, myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor.

Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd.

Ramazani është muaji i zbritjes së librit, Kuranit të Shenjtë.

Libër i cili është fjala e Zotit që erdhi te ne nëpërmjet Profetit Muhamed (a.s.), është udhëzuesi ynë shpirtëror dhe social.

Të dashur besimtarë!

Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve nga një sërë kënaqësish të kësaj bote, siç janë ushqimet, pijet etj, por Ramazani është edhe vetëpërmbajtje e lartë dhe largim nga çdo ves apo vepër e papërshtatshme.

Ky muaj është afrim i njeriut me Krijuesin dhe përjetim shpirtëror i pa krahasueshëm për këdo. Ky muaj është paqe, solidaritet, mirësjellje.

Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve.

Lutemi për më shumë kujdes e vëmendje ndaj nevojtarëve, jetimëve, të moshuarve e fëmijëve.

Rrugëtimi ynë i përbashkët kërkon motivacion të lartë, për t’i tejkaluar sfidat, për një të ardhme më të mirë të vendit.

Së fundi, doja të uroja e inkurajoja përzemërsisht agjëruesit për herë të parë.

Niseni agjërimin, është një adhurim që do t’ju ndryshojë jetën dhe këndvështrimin për të!

I lutem Zotit të gjithësisë të na pranojë lutjet, adhurimet dhe çdo vepër të mirë në këtë muaj të bekuar.

Gëzuar muajin e Ramazanit!

H. Bujar Spahiu,
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.