Dorëzimi i mandatit i hap rrugën arrestimit të Bllakos pa autorizim
Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako ka hequr dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit. Ndonëse, Bllako nuk është zëvendësuar ende, sipas nenit 70 të Kushtetutës me dorëzimin e mandatit, ai nuk është më zyrtarisht i zgjedhur.
Kjo do t’i hapë rrugën arrestimit të tij siç ka kërkuar SPAK, pa qenë nevoja që Kuvendi të japë miratim. Për ekzekutimin e arrestimit nga policia, do të pritet që Kuvendi të protokollojë kërkesën për lënien e mandatit nga ana e Bllakos.
Kushtetuta parashikon se ‘deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit’.
‘Një deputet mund të arrestohet pa autorizim vetëm nëse ‘kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë’, parashikon Kushtetuta.
Vendi bosh i krijuar nga dorëzimi i mandatit të Bllakos, pritet të njoftohet gjatë seancës së ardhshme parlamentare. Me njoftim të Kuvendit, KQZ mis procedurat e zëvendësimit. Në këtë rast, do të jetë ish-kryeministri Pandeli Majko që do të ketë të drejtën për të marrë mandatin.
Një ditë më parë, SPAK kërkoi miratim nga Kuvendit për arrestimin e deputetit Bllako pasi akuzohet i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Deputeti i PS akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Gjatë procedurave të shpronësimit të tokës ku do të ndërtohej inceneratori, Bllako në bashkëpunim me ish-ministrin Koka dhe Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi kanë falsifikuar dokumentet duke e cilësuar tokën arë si tokë truall për të rritur vlerën e dëmshpërblimit.
Po ashtu, nga hetimet e SPAK kanë rezultuar të dhëna se deputeti Bllako, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësit, ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të shumës prej 14,964,900 lekë./EURONEWS
LEXO TE NGJASHME