14 vite pas pavarësisë, Kosovës i mungon mbështetja e plotë e BE-së

14 vite pas pavarësise

Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD

Rruga kryesore në kryeqytetin kosovar, Prishtinë është e mbushur me flamuj. 14 vite pas deklaratës së pavarësisë, shteti më i ri në Europë nuk është njohur akoma nga të gjithë anëtarët e BE-së. I dërguari special i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, nuk ka qenë në gjendje që të tregojë ndonjë sukses gjithashtu. Qeveria e Serbisë nuk e ka njohur akoma Kosovën, e cila në kohërat e Jugosllavisë ishte një provincë autonome, dhe në shumë drejtime ishte e barabartë me republikat. Për shkak të këtyre rrethanave, ka gjithmonë probleme të mëdha mes dy vendeve fqinje.

Lajçak ishte dërguar fillimisht për të kundërshtuar ish-të dërguarin amerikan, Richard Grenell, që ishte caktuar nga Donald Trump. Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës ka ngecur prej vitesh.

Bëjeni një çështje për shefen

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl shpreson se pjesa e dytë e mandatit të Lajçak do të jetë më e suksesshme. Por duhet bërë e qartë për Serbinë se nuk do ketë anëtarësim në BE nëse nuk njohin Kosovën. “Do të krijojë një situatë skizofrenike nëse nuk flasim me një gjuhë të qartë,” tha Mandl për STANDARD.

Ballkani Perëndimor si i tërë duhet të jetë një prioritet për BE-në, shton ligjvënësi, që është pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Kosovën. “Shmangia e çështjeve më të rëndësishme të rajonit nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, kryediplomati Josep Barell e deri te Lajçak, duhet të marrë fund. Von der Leyen duhet të marrë situatën në dorë dhe ta bëjë çështje të shefes, përndryshe politika e BE do të mbetet inkonsistente”. Mandl thotë se do e mirëpriste faktin që BE dhe SHBA të punojnë së bashku me të dërguarin britanik, Sir Stuart Peach. “Madje do bëj thirrje për këtë në parlament”.

Kosova, getoja e vizave

Brenda Kosovës, BE ka humbur shumë besueshmëri gjatë viteve të fudit për shkak se edhe pse janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, liberalizimi nuk është implementuar kurrë. Kosovarët janë të vetmit europianë të juglindjes që kanë mbetur në geton e vizave. Qeveria e ish-kancelarit Sebastian Kurz pati vendosur po ashtu disa herë frenat për këtë çështje- edhe pse Austria është konsideruar në të shkuarën mbështetëse e zgjerimit.

Një nga arsyet për këtë zhgënjim të madh ndaj BE-së janë veprimet e disa prej përfaqësuesve të saj. Prioriteti i qeverisë së nacionalistit të krahut të majtë, Albin Kurti është vendosja e sundimit të ligjit në Kosovë. Muajt e fundit, policia kosovare ka kryer disa operacione intensive. Por në vend që të marrë vlerësime nga Brukseli, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell postoi një mesazh në tetor, ku theksonte se policia e Kosovës duhet të koordinojë aksionet e saj në veri të Kosovës me dialogun me Serbinë- një prej shkarjeve të Borrell. Sfondi: Kosova e veriut sundohet nga bandat kriminale të lidhura me partinë më të fortë, Lista Srpska, e cila nga ana e saj kontrollohet nga Beogradi. Aksionet sigurisht ishin një gjemb në këmbë për kriminelët.

Mosnjohja nga Serbia

Ka pasur edhe mosmarrëveshje me Beogradin në lidhje me një referendum mbi çështjet kushtetuese në Serbi. Kurti e ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë në territorin e Kosovës.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me BE-në, qeveria Kurti u befasua edhe nga shqetësimet e shprehura në Bruksel kur Prishtina njoftoi se dëshiron të kryejë një procedurë vetingu për prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Rishikime të tilla dhe shkarkimet pasuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë të korruptuar kanë bërë që gjykatat në Shqipërinë fqinje ndonjëherë të mos funksionojnë fare vitet e fundit. Qeveria Kurti ndërkohë e ka bërë të qartë se synon të krijojë kërkesat e nevojshme ligjore për procesin e rishikimit, pavarësisht shqetësimeve nga BE.

Frikë nga rishikimi

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu e pranon nivelin alarmues të lartë të shkarkimeve nga puna në gjyqësorin e Shqipërisë, por tha se janë nxjerrë mësime nga vendi fqinj. Në Kosovë ka edhe rezistencë masive nga vetë sistemi gjyqësor ndaj një procesi të tillë rishikimi, pasi shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë frikë se do të ekspozohen si të korruptuar.

Qeveria e Kurtit nga ana tjetër duhet të dëshmojë se po i përmbush premtimet e saj dhe se po merr masa kundër korrupsionit. Ajo tashmë ka humbur shumë mbështetje- kjo ishte e dukshme, për shembull, në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Partia Vetëvendosje e Kurtit humbi shumë poste kryebashkiakësh. Në Prishtinë, kryetar i ri u zgjodh arkitekti Përparim Rama, i cili aktualisht jeton në Londër.

Marrëveshje jashtë sallës së gjyqit

Qeveria dëshiron që të prezantojë pesë organe rishikimi për reformën në drejtësi, tre për gjyqtarët dhe dy për prokurorët. Vetë komitetet duhet të vëzhgohen nga ekspertë ndërkombëtarë për të parandaluar abuzimet.

Korrupsioni në gjyqësor është shumë i përhapur në Europën Juglindore. Së fundmi, një gyqtar i quajtur Riza Livoreka në Kosovë u shkarkua pasi portali i lajmeve Kallxo publikoi një video që e tregonte atë duke negociuar një marrëveshje mes dy palëve jashtë gjykatës dhe duke kërcënuar se në të kundërt, prona e tyre do të konfiskohej. Por jo vetëm qëndrimi i paqartë ndaj reformës, por edhe politikat rajonale të BE-së janë kritikuar nga Kurti dhe kompani.

Asnjë përparim

Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin se do të insistojë në reciprocitet në marrëdhëniet me Serbinë. Deri më tani, Serbia shpesh ka pranuar bashkëpunimin me vendin fqinj vetëm nëpërmjet institucionit ndërlidhës të OKB-së, UNMIK-ut. Dokumentet mund të nënshkruhen vetëm nëse theksohet se Serbia nuk e njeh Kosovën, por vetëm ish-administratën e OKB-së. Kurti kërkon që kjo të ndyshojë dhe Serbia duhet ta pranojë Kosovën si një partner të barabartë. Serbia refuzon. Prandaj bashkëpunimi rajonal është i bllokuar, për shembull kur bëhet fjalë për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fakt ranë dakord për një treg të përbashkët rajonal në vitin 2020. Por mungon vullneti politik për të ecur përpara. Në vend të kësaj, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri Edi Rama, të cilët jo vetëm kanë një stil politik të ngjashëm autoritar, por gjithashtu duan të bashkëpunojnë, kanë nisur një nismë paralele të quajtur Ballkani i Hapur.

Projekti konkurrent Ballkani i Hapur

Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duan të lehtësojnë lëvizjen e lirë të mallrave me këtë iniciativë. Megjithatë nisma nuk shihet vetëm si një projekt për të konkurruar me strukturat e krijuara të Marërveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe tregun rajonal, por edhe si një përpjekje e Serbisë për të rikthyer pretendimet hegjemoniste në rajon. Prandaj Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova nuk marrin pjesë në Ballkanin e Hapur. Është gjithashtu e paqartë se cilat standarde respektohen në bazë të inciativës në kufij për lëvizjen e mallrave, si dhe ekziston shqetësimi se projektet e financuara nga BE për të lehtësuar lëvizjen e mallrave tani thjesht do rrëmbehen nga Ballkani i Hapur, pa përmendur se paratë vijnë nga BE.

Në çdo rast, projekti i Ballkanit të Hapur- i njohur më parë edhe si Mini Shengeni- u riemërua me ndihmën e Alexander Soros, djalit të filantropit George Soros dhe të dërguarit të SHBA, James O’Brien, dhe u prezantua vitin e kaluar. Është interesante se nisma përfshin ato forca që u përpoqën vite më parë që të shtynin përpara një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Me shkëmbimin e territoreve, shumë kosovarë u ndjenë të tradhtuar nga Rama dhe Vuçiç. Ballkani i Hapur po shkakton sërish ndarje dhe mosbesim në rajon.

‘Mbytja e Kosovës’

Në dhjetor, demonstruesit në Shqipëri protestuan kundër një takimi mes Vuçiç, Ramës dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Sipas tyre, Ballkani i Hapur ishte një ‘mbulesë për mbytjen e mëtejshme të Kosovës’. Në Kosovë ekziston shqetësimi se Shqipëria dhe Serbia duan të ndajnë Kosovën mes tyre.

Por ka zëra kritikë edhe në BE për nismën e Ballkanit të Hapur, sepse ata duan që gjashtë shtetet t’i kthehen bashkëpunimit. Komisioneri hungarez i BE-së për negociatat e zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili njësoj si kryeministri hungarez, Viktor Orban, është i afërt me regjimin serb, mbështet nismën. Përmes një lidhje video në dhjetor, Varhelyi i bëri thirrje tre vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Kontrollet e ushqimeve

Pesë marrëveshje janë nënshkruar nga Vuçiç, Rama dhe Zaev në dhjetor. Në të ardhmen, qytetarët e tre vendeve duhet të kenë akses të ndërsjellë në tregun e punës, të shkëmbejne të dhënat personale, duhet të njihen reciprokisht kontrollet e ushqimeve dhe rregullat doganore të zbatohen për të gjithë. Në mars do ketë një takim tjetër.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.