SHBA dhe BE, koordinim për largimin e Ballkanit Perëndimor nga energjia e qymyrit
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë konfirmuar rëndësinë e tranzicionit drejt energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor.
Në takimin e nëntë të Këshillit për Energji SHBA-BE u tha se është e rëndësishme ndërtimi i një sistemi konkurrues, transparent dhe të integruar energjetik në rajon, por edhe të bëhen reforma në përputhje me politikat e zgjerimit dhe obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, njofton REL.
“Këshilli do të vazhdojë koordinimin për tregun e energjisë dhe reformat e rregullatorëve, si dhe do të vazhdojë mbështetjen për dekarbonizimin në Ballkanin Perëndimor, në veçanti nga heqja dorë në mënyrë graduale e prodhimit të energjisë nga qymyri dhe subvencionimet joefikase të lëndëve djegëse fosile”, u tha në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas mbledhjes së këtij këshilli, që u mbajt më 7 shkurt në Uashington.
Këshilli SHBA-BE tha se është e rëndësishme që të ketë siguri për furnizim me energji në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht përmes qasjes në burime alternative.
Gjatë mbledhjes së këtij këshilli, Uashingtoni dhe BE-ja theksuan se tranzicioni drejt energjisë së pastër me zero për qind emetime do të ndihmojë që në të ardhmen të ketë qasje në energji të përballueshme dhe të sigurt.
“Këshilli diskutoi mbi urgjencën e adresimit të situatës me furnizim me gaz në Evropë dhe të sigurohet që Ukraina të furnizohet me gaz”, u tha në deklaratë.
Shtetet evropiane po përballen me furnizime të pakta me gaz natyror. Këshilli për Energji tha se është e papranueshme që “furnizimet me energji të përdoren si armë apo si levë gjeopolitike”.
Ky këshill tha se Ukraina është shtet strategjik për transitin e gazit për në BE dhe duhet të punohet që ky shtet të integrohet në tregun energjetik evropian.
Kjo deklaratë vjen pasi gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2”, që sjellë gazin natyror nga Rusia në Gjermani, anashkalon transportimin e gazit përmes Ukrainës. Ky projekt në të kaluarën është kundërshtuar nga SHBA-ja, pasi Uashingtoni ka argumentuar se do të rrisë varësinë nga gazi rus.
Në deklaratë përmenden edhe tensionet aktuale midis Rusisë dhe Perëndimit sa i përket Ukrainës dhe Këshilli për Energji tha se “SHBA-ja dhe BE-ja kanë diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit, në mënyrë që të sigurohemi që të ketë furnizime të mjaftueshme të energjisë për BE-në dhe fqinjësinë e saj".
LEXO TE NGJASHME