Kush janë 6 kandidatët me të cilët PD synon fitoren më 6 mars?

zgjedhjet.pd

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka zhvilluar këtë diel primaret, për zgjedhjet e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit më 6 mars, një proces i ngjashëm me primaret në Amerikë.

Procesi i votimit nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 17:00, në 5 bashki të vendit, ndërsa në Shkodër, ky proces u mbyll rreth orës 19:00 pasi numri i personave që kërkonin të votonin pas orës 17:00 ishte shumë i madh.

Pjesëmarrja ishte shumë e lartë dhe procesi ishte një model jo vetëm pë PD-në, por edhe për politikën në tërësi.

Në bashkinë më të madhe në veri të vendit, PD do të garojë me Bardh Spahinë, i cili në primare ishte më i votuar ndaj rivalëve të tij Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shestani Shala dhe Irma Alushi. Befasi në këtë garë brenda kësaj force politike, ishte mospërfshirja e Voltana Ademit, kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër. Bardh Spahia është ish-deputet i Partisë Demokratike, me profesion mjek.

Në bashkinë e Durrësit, PD do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka. Ai arriti të merrte më shumë vota në primare se rivalja e tij Silvja Gjepali. Pas zyrtarizmit, Muka u shpreh se tashmë ka ardhur koha që Durrësi të bëjë ndryshimin e madh. “Këtë mbështetje e shoh te njerëzit e thjeshtë që u ka ardhur në majë të hundës në këto 22 vite dhe unë mendoj se ka ardhur momenti që Durrësi të bëjë ndryshimin e madh”, tha ai pasi u zyrtarizua si kandidat këtë të diel.

Me një diferencë të madhesh votash nga rivalët në primaret e Lushnjes, fitoi Elton Bano, i cili do të synojë të drejtojë pas 6 marsit këtë bashki. Në profesion, ai është avokat.

Ndërkohë, në Rrogozhinë fitues është shpallur Hekuran Xhani, mjek veteriner, i cili arriti të merrte 211 vota nga 316 në total.

Në Vorë do të jetë ekonomisti Lulzim Vrana, ai do të jetë kandidat i Komisionit të Rithemelimit. Pas zyrtarizimit të rezultatit të primareve, ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen në këto zgjedhje për ta pasur të sigurt fitoren.

Në Bashkinë e Dibrës, arsimtari Premtim Kryemadhi do të jetë kandidat i “Rithemelimit” më 6 mars. “Ju premtoj demokratëve që nuk do të zhgënjehen me kandidaturën time. Ne do të bëjmë një punë të shkëlqyer që nga zgjedhja e stafit, i cili sot është për të ardhur keq. Të gjithë demokratët duhet të bëhen bashkë kundër këtij regjimi”, tha Kryemadhi.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.