Përfundon mbledhja e kryesisë, PS zgjedh kandidatët për zgjedhjet e 6 marsit (Emrat)
Mbledhja e kryesisë së PS ka përfunduar dhe janë zgjedhur kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 6 marsit për kryetar bashkie.
Partia Socialiste në zgjedhjet e 6 marsit në Shkodër do të kandidojë për kryetare bashkie prefekten Majlinda Angoni.
Emrat e kandidatëve për Vorën dhe Rrogozhinën u dhanë nga Erion Veliaj.
“Janë bashki të vogla por jo të parëndësishme, në Rrogozhinë do të vazhdojmë me Edison Memollën, që ka bërë një punë shumë të mirë deri tani. Për Vorën kemi pasur një diskutim pak më të gjatë, me tipologji të ndryshme, duam të jetë një faktor unifikues, i kemi besuar një psikolog, Blerim Shera, mësues në shkollën 9 vjeçare”, tha Veliaj.
Ndërsa Emirjana Sako do të garojë për bashkinë e Durrësit dhe Rahim Spahiu për bashkinë e Dibrës.
“Për Bashkinë Dibër kemi propozuar emrin e Rrahim Spahiu, 55 vjeç, me karrierë të gjatë në administratën publike dhe atë bankare. Është një person jashtë PS, është qytetar i Dibrës dhe i kemi ofruar një kandidat me aftësi menaxheriale”, tha Ulsi Manja.
Sa i përket kandidatit për bashkinë e Lushnjes, Taulant Balla tha se emri do të përcaktohet ditën e martë duke thënë: “Kryetari i ri i bashkisë Lushnje do të ketë përgatitjen e duhur për të çuar para një sërë projektesh”.
Bashkia Shkodër – Majlinda Angoni
Bashkia Vorë – Blerim Shera
Bashkia Rrogozhinë – Edison Memolla
Bashkia Dibër – Rrahim Spahiu
Bashkia Durrës – Emirjana Sako
Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.
Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.
Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.
Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.
Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.
Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.
Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.
LEXO TE NGJASHME