Vendimi skandaloz/ Celibashi përjashton Ivi Kason nga KQZ-ja
Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka marrë një vendim skandaloz sot, duke legjitimuar si përfaqësues të PD, Indrit Sefën dhe Marash Logun, duke ia hequr këtë përfaqësim Ivi Kasos.
Lidhur me këto ndryshime, Kaso u shpreh se përfaqësimi vijon automatikisht, për sa kohë jemi në periudhë ligjore, duke theksuar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha.
“Ju uroj suksese në procesin e dekretuar nga presidenti. I bëj me dije KQZ se jemi në një periudhë zgjedhore, përfaqësimi vijon automatikisht, nuk kemi ende subjekt zgjedhor në garë. I bëj me dije KQZ për një fakt të bërë publik, lidhur me faktin që prej dhjetorit 2021, jo vetëm nënshkruesi i letrës nuk është më kryetar i PD, sigla dhe vula e PD, kanë ndryshuar në raport me ato të depozituara në procesin e 25 prillit”, u shpreh Kaso.
Por Celibashi u shpreh se kjo ishte fjala e fundit e Kasos.
“Në pikëpamje të ligjit, raporti i një partie politike me KQZ është një raport i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore dhe jo zgjedhore. Ekziston një marrëdhënie për aq sa ligji e përcakton. Secili prej institucioneve ka mënyrën e vet dhe e demostron në mënyrë të ligjshme. Me gjithë keqardhjen me këtë situatë, jemi në një marrëdhënie institucionale mes KQZ dhe PD ku ai që është përfaqësuesi ligjor i saj ka konsideruar cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në KQZ. Për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë cështje dhe vijimin e mëtejshëm të mbledhjes së KQZ. Opinionet e PD, janë ato që do të prezantohen nga Indrit Sefa dhe Marash Logu,” u shpreh Celibashi.
LEXO TE NGJASHME