Skandali/ Gjyqtarja u vra nga bashkëshorti, KPK i bën vetingun
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vite nga ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka hezituar ta shqyrtojë dosjen e së ndjerës. Të dhënat e një vetingu për magjistraten e ekzekutuar nga bashkëshorti i saj në mes të Tiranës janë bërë publike nga vetë Komisioni, ndërkohë që në shqyrtim kanë marrë pjesë edhe ndërkombëtarët.
Vendimi prej 3 faqesh është shpallur me 13 janar të këtij viti, ndërkohë që Komisioni nuk harron të kujtojë edhe faktin e ankimimit në Komisionin e Pavarur të Apelimit brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh, shkruan Panorama.
Vetingu për gjyqtaren e vrarë në gushtin e vitit 2017 mësohet se ka zgjatur deri më 22 tetor 2021!
Komisioni i Vetingut ka pranuar se me gjithë marrjen e dijenisë përmes medias për vrasjen e gjyqtares ka vendosur që t‘i dërgojë në këtë datë Drejtorisë së Gjendjes Civile një shkresë me kërkesën për certifikatën e vdekjes, e cila sipas seancës së mbajtur me anëtarët dhe një vëzhgues ndërkombëtar iu dorëzua këtij Komisioni në datën 3 nëntor.
Duke iu referuar vendimit të publikuar në faqen zyrtare të KPK-së bëhet me dije se në datën 13 janar të këtij viti trupa e komisionerëve me anëtarë Firdes Shulin, Alma Faskaj dhe Suela Zhegun, pranoi që e ndjera gjatë kësaj kohe ka qenë subjekt i vetingut, ndonëse kishte ndërruar jetë.
Në vendimin e bërë publik nga ky Komision përmendet se, Fildez Hafizi ushtronte detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Shkodrës dhe se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit në 2016, pra një vit përpara se gjyqtarja të vritej, ajo i plotësoi dokumentet dhe i dorëzoi për kontrollin e trefishtë. Gjyqtarja Hafizi, sipas KPK-së, kishte dorëzuar deklaratën e pasurisë pranë ILDKPI-së, për kontrollin e figurës pranë DSIK-së si dhe formularin për aftësitë profesionale.
Komisioni ka çmuar se në kushtet kur gjyqtarja ka ndërruar jetë deklarohet përfundimi i rivlerësimit pa një vendim përfundimtar. Ky vendim, sipas KPK-së, i dorëzohet më tej komisionerit publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe mund të ankimohet pranë KPA-së nga komisioneri brenda 15 ditëve.
EKZEKUTIMI I GJYQTARES
Mesditën e 31 gushtit të vitit 2017, Tirana do të tronditej nga atentati ndaj një gjyqtareje. Gruaja ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që shumë shpejt Policia do të zbulonte si autor të krimit të rëndë ish-bashkëshortin e saj.
Fadil Kasemi u vu në pranga dhe doli para drejtësisë për krimin, duke tentuar të shfajësohet për shkaqet që e kishin çuar t‘i marrë jetën nënës së dy fëmijëve të tij, ndërkohë që gjyqtarja e njohur Fildez Hafizi kishte më shumë se dy vite që jetonte nën dhunën dhe kërcënimet e përditshme.
Gjyqtarja në atë betejë mes saj dhe bashkëshortit të dhunshëm ishte përpjekur disa herë të kërkonte ndihmën e njerëzve për të zgjidhur situatën me të shoqin por pa mundur, derisa ai vendosi t‘i zinte pritën dhe ta ekzekutonte në zonën e “Xhamllikut”.
LEXO TE NGJASHME