Vettingu në politikë/ Basha: Pastrimi i politikës nga krimi e korrupsioni në interes të shqiptarëve
Vetting-u në politikë është një nga propozimet e partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese.
Sipas kryedemokratit Basha, ky proces është i rëndësishëm për të larguar nga politika njerëzit e korruptuar dhe të përfshirë në botën e krimit.
“Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar.
Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm”, shprehet Basha, në një video të publikuar në rrjetin social “Twitter”.
Në një konferencë për mediet një ditë më parë, kreu demokrat u shpreh i gatshëm të shkojë vetë i pari për t’iu nënshtruar vetting-ut.
Kështu, demokratët rikthejnë propozimin që Venecia iu rrëzoi në 2018 për vetting-un e Politikanëve. Këtë herë janë të bindur se kërkesa e tyre do marrë dritën jeshile pasi janë reflektuar vërejtjen e Komisionit.
“Në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme , pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre, familjarët e tyre dhe ortaket e tyre”, u shpreh Basha kur bërë propozimin.
LEXO TE NGJASHME