Drejtuesit e rinj të selisë blu/ Brenda gushtit mblidhet Këshilli i ri Kombëtar i PD, Bardhi pritet të rikonfirmohet
Gushti është afati i fundit i Lulzim Bashës para vendimmarrjeve të rëndësishme politike.
Së pari, zgjedhja e kupolës së re drejtuese para nisjes së sezonit të ri parlamentar ku demokratët do rikthehen pas më shumë se dy vite bojkot. Këshill i ri Kombëtar pritet të mblidhet në fund të muajit për të vendosur për pasuesin e Bujar Nishanit, në një garë ku do të ketë dy kandidatura të propozuara nga Lulzim Basha.
Kush ikën e kush vjen duhet edhe pak ditë për ta mësuar, por Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi duket më favoriti për një mandat të dytë.
Siguri nuk ka për emrat e nënkryetarëve të ri, nëse do të ketë një rikonfirmim për Edi Palokën dhe Edmond Spahon apo vetëm për njërin prej tyre. Këshilli i ri pritet të zgjedhë sekretarin e ri organizativ, atë zgjedhjeve dhe burimeve njerëzore si dhe disa drejtues komisionesh.
Pas humbjes së zgjedhjeve Lulzim Basha vendosi ta udhëheqë Partinë Demokratike me një ekip të ri në këtë mandat të tretë ne opozite por pyetjes së cilës nuk i ka dhënë ende përgjigje është nëse do e ketë në krah sërish Sali Berishën pas ultimatumit amerikan për ta përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat. Kërkesa tashmë është në tryezën e Lulzim Bashës të cilit i është dhënë një periudhë refleksioni para se të bëjë një zgjedhje finale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Sali Berishës.
LEXO TE NGJASHME