Pritet ardhja e 250 afganëve të parë në Shqipëri: Aktivistë, përkthyes, bashkëpunëtorë të SHBA
Tiranë - Të paktën një grup i parë prej afro 250 afganësh pritet të mbërrijë në Shqipëri në 48 orët e ardhshme, pasi autoritetet ju përgjigjën pozitivisht kërkesës së Qeverisë amerikane për të strehuar përkohësisht personat që kërcënohen nga talebanët.
Precipitimi i zhvillimeve në Afganistan mund të përshpejtojë evakuimin e personave që do të qëndrojnë në Shqipëri, dhe numri i tyre, mund të shkojë në më shumë se 1 mijë persona, të cilët mund të mbërrijnë gjithashtu brenda dy ditëve të ardhshme. Gjithshka do të varet nga ecuria e procesit të evakuimit nga Kabuli.
Për të qenë të gatshëm për të gjithë skenarët e mundshëm, një prej anëtarëve të kabinetit qeveritar, është caktuar të merret me organizimin e të gjithë procesit të pritjes dhe akomodimit të afganëve. Autoritetet mësohet se janë vënë në lëvizje menjëherë, duke identifikuar strukturat pritëse për të paktën 2 mijë persona, në Tiranë, me gjasë në Qytetin Studenti, dhe në disa struktura hoteliere në Durrës.
Burime diplomatike i shpjeguan Zërit të Amerikës se pritet që në grupin i cili do të qëndrojë në Shqipëri, të jenë përfaqësuesë të shoqërisë civile, përkthyesë apo dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan. Por edhe kjo do të jetë në varësi të zhvillimeve. Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.
Shqipëria konfirmoi të dielën zyrtarisht se i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë amerikane. Kryeministri Edi Rama shpjegoi se do të priten disa qindra persona, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët, siç theksoi ai, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit.
Të hënën, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ndërsa ripostonte një Twitter të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, për qytetarët afganë që duan të largohen nga vendi i tyre, theksoi dhe një herë se Shqipëria është gati të presë disa qindra afganë, duke shtuar se “ne jemi krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqënien e tyre”.
Edhe opozita shqiptare u shpreh në favor të pritjes së afganëve. Kjo është ndër herët e pakta që klasa politike në Shqipëri lë mënjanë kundërshtitë, duke u rreshtuar në të njejtën linjë.
Në mbështetje të vendimit të qeverisë shqiptare sot u deklaruan dhe Komuniteti Musliman dhe Kryegjyshata Botërore. “Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta. Mysafiri është amanet i Zotit për mikpritësin. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshtshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për këtë rast. Ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut”, theksohet në deklaratën e Komunitetit Musliman.
Po kështu dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane “mbështet këtij nismë për strehimin e popullit Afgan në shtetin Shqiptarë, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit e të gjithë atyre familjeve që enden rrugëve e kërkojnë një strehë ku të mbështeten , një përkrahje humane, e një sofër të ngrohtë. Hapni zemrat Shqiptarë ashtu siç ju ka hije dhe siç tradita e shqiptarit e ka zakon dhe pranoni këta njerëz të pafajshëm që aq shumë e duan jetën e luftojnë për të!”.
LEXO TE NGJASHME