Debate para Kuvendit, PD me forume të reja drejtuese

0.2pd.mbledhje

Nuk kanë munguar debatet dje në kryesinë e PD-së, pas prezantimit të raportit të performancës nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi për rezultatin e zgjedhjeve dhe drejtuesve politikë në çdo qark. Dy nënkryetarët e Partisë Edmond Spaho dhe Edi Paloka, kanë kundërshtuar përfundimet duke pretenduar se qarqet e tyre kanë dalë brenda pritshmërive. Në Korçë Spaho mori 5 deputetë dhe 10 mijë vota më pak se kundërshtari, ndërsa në Durrës Paloka mori 6 deputetë nga 14 dhe rreth 13 mijë vota më pak se kundërshtari. Kryesia miratoi dhe rendin e ditës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të datës 17 korrik, si dhe 300 emrat e kandidatëve për këshillin kombëtar

Raporti i paraqitur nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, mbi performancën e drejtuesve të qarkut dhe arritjen e objektivave në zgjedhjet e 25 prillit nuk është pritur mirë nga disa prej tyre. Megjithëse në raport evidentohej problematika që ka të bëjë me manipulimin e votave, përfshirjen e grupeve kriminale etj., sërish në të thuhej se në qarqe të rëndësishme si Shkodra, Tirana, apo Durrësi nuk u arritën objektivat e vënë.

“Kanë patur performancë brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Berat, 2. Dibër, 3. Elbasan, 4. Fier, 5. Kukës, 6. Korçë, 7. Lezhë dhe 8. Vlorë. Kanë patur performancë më të ulët dhe jo brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Durrës, 2. Gjirokastër, 3. Shkodër, dhe 4. Tiranë”, thuhet në raport.

Debatet

Por duket se nuk kanë qenë dakord me këto përfundime, Edi Paloka, drejtues qarku për Durrësin dhe Edmond Spaho, drejtues i qarkut në Korçë.

“Aty në raport z. Bardhi thua që Korça nuk ka dalë brenda pritshmërive? Si e shpjegon? Unë kam bërë tjetër analizë. Kam marrë rezultatin më të mirë. Kam pasur objektiv 5 mandate, kam fituar 5 mandate”, mësohet të jetë shprehur Spaho.

Gjithashtu, dakord me këto përfundime s’ka qenë as drejtuesi i qarkut Durrës Edi Paloka. Sipas tij, dokumenti nuk është realist. “Ky dokument është bërë që dikush të dalë mirë dhe dikush keq. A duhet matur me vota rezultati apo me mandate të arritura. A quhet objektiv minimal apo maksimal që për 3900 vota nuk u mor mandati i 7-të?”, ka pyetur Paloka në lidhje me përfundimet e raportit. Por vetë Bardhi u përgjigj se metodologjia e ndjekur për raportin nuk është bërë prej tij.

“Metodologjia e analizës nuk është bërë nga unë, por është bërë sipas një plani të bërë nga konsulentët. Mbi bazën e asaj metodologjie është bërë analiza”, është shprehur sekretari i Përgjithshëm.

Qarqet

Por si kanë performuar, qarqet qoftë Durrësi apo Korça te të cilët dy nënkryetarët e partive kanë qenë drejtues qarku. Në Durrës Edi Paloka arriti të merrte 63393 vota, më shumë se 13 mijë vota më pak se kundërshtari. Nuk arriti të fitojë asnjë nga bashkitë e qarkut. Megjithëse doli mirë në qytetin e Krujës, sërish arriti ta humbiste si bashki me gati 2500 vota diferencë në favor të kundërshtarit.

Të njëjtin fat patën dhe bashkitë e Shijakut, si dhe ajo e Durrësit duke pasur parasysh që këto dy qytete ishin dhe më të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019. Për sa i përket qarkut të Korçës, rezultati mund të quhet i mirë megjithëse diferenca e votave mes PD dhe PS është rreth 10 mijë vota. Në rast se krahasohet me vitin 2017 duket si një farë rritjeje. Por gjithsesi, pesha e Spahos në këtë qark në zgjedhjet e 25 prillit nuk ka qenë ajo e duhura. Peshën më të madhe në zgjedhje duket se e ka mbajtur deputeti Ervin Salianji, i cili ishte mjaft aktiv në media dhe kjo u pa dhe në fushatë. Gjithashtu kanë performuar mirë dhe dy kandidatët e tjerë Bledion Nallbati dhe Selaudin Jakupllari, njëri në Devoll dhe tjetri në Pogradec.

Rendi i ditës

Kryesia e PD-së ndërkohë miratoi 4 vendime; faza e parë e analizës së humbjes në 25 prill, propozimi i Lulzim Bashës për ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike që do t’i propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar, ngritjen e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 Korrik 2021 dhe listën që do të propozojë Lulzim Basha për votim për kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar./MAPO

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.