Kapelja kushton 2800 lekë/ Kompania D&E: Po shpifin për uniformat

0.9kapeljaa

Kompania D&E, e vendosur në qendër të diskutimeve së fundmi për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, ka reaguar publikisht. Administratori i kompanisë, Ismail Kadiu thotë se kjo është një fushatë shpifjesh e qëllimshme

Nisur nga deklaratat dhe informacionet e rreme të publikuara në median vizive dhe atë të shkruar, në ngarkim të personit tim Ismail Kadiu dhe D&E Shpk., gjendem i detyruar të shpjegoj faktet dhe rrethanat, si qëndrojnë në të vërtetë, sa i përket tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit në mënyrë të tillë që të kuptohet se asnjë e dhënë e publikuar nuk është e vërtetë.

Deklarata e disa personave të papërgjegjshëm që shpifin se shoqëria fituese e tenderit ushtron aktivitet vetëm në gërmime, dhe nuk ka lidhje me fasonerinë, është totalisht e pavërtetë dhe me një verifikim të thjeshtë në ekstraktin e shoqërisë në Qendren Kombëtare të Regjistrimeve (i aksesueshem për të gjithë), rezulton se ka në objektin e saj të aktivitetit, dizenjimin dhe prodhimin e uniformave civile dhe ushtarake, dhe kjo vërtetohet me dokumente zyrtare dhe publikisht të aksesueshme.

Shoqëria D&E, duke filluar nga viti 2012, ka lidhur kontratën e parë për uniformat e ushtrisë shqiptare. Në atë kontratë, kjo shoqëri ka qenë pjesë e një konsorciumi me 2% të pjesëmarrjes me firmën me prestigjioze të prodhimit të uniformave Alfredo Grassi Spa., e cila kishte 98% të pjesëmarrjes. Kjo kontratë është realizuar me sukses dhe është pranuar nga autoriteti publik.

Në vijim ka ekzekutuar me sukses në bashkëpunim me Summer Conf Srl., kontratën për uniformat e administratës së burgjeve. Më pas, në bashkëpunim me subjektin Gjergjefi sh.p.k., ka realizuar me sukses, me Ministrinë e Brendshme, tenderin për uniformat verore të Policisë së Shtetit, këto për të kundërshtuar pretendimin se D&E sh.p.k, nuk është një kompani që ushtron aktivitet ne fushën e fasonëve.

D&E aktualisht prodhon uniforma civile, ceremoniale dhe ushtarake, për subjekte të huaja dhe shqiptare. Ajo posedon fasonerinë e specializuar me platformën e saj në dizenjimin, printimin, prerjen, rrobaqepësinë dhe hekurosjen automatike.

Kontrata e fundit, e lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka specifikat e një projekti shumë të madh, ku fitues është shpallur konsorciumi ndërkombëtar i përbërë nga 4 shoqëri: YDS me 44.50%, Summer Conf S.r.l. me 20%, Lovers S.r.l. me 11.50% dhe në të cilin D&E Shpk., ka vetëm 24% të pjesëmarrjes.

Zgjedhja fitues është bazuar në dy faza të konkurrimit, e cila bazohet në CV e shoqërive dhe aftësitë teknike dhe prodhuese të shoqërive pjesëmarrëse. Konkretisht:

YDS është lider në prodhimin e uniformave ushtarake dhe policore, duke përfshirë të gjitha pjesët përbërëse, duke nisur nga këpucët e deri te kapelet.

YDS (https://www.yakupoglu.com.tr/) është brand global, krijuar në Turqi në vitin 1927 dhe pjesë e Fortune 500. YDS është prodhuesi më i madh i këpucëve për policinë dhe ushtrinë në Europë, e renditur ndër 4 firmat më të mëdha në botë në këtë sektor; është eksportuesi lider në mbi 35 shtete të botes dhe kryesisht në MB; është e para dhe e vetmja firmë, që posedon të gjitha certifikatat ndërkombëtare EN ISO 20345-47, ISO 9001 dhe OHSAS 18001 për standardet e prodhimit të këpucëve profesionale të sigurisë; është e vetmja firme që ka një laborator të standardit ISO 17025, të akredituar nga SATRA & TURKAK.

Lovers S.r.l. (https://lovers-italy.it/it), krijuar në Itali në vitin 1972, ka që në vitin 1982 që operon në uniformat Military & Tech për ushtrinë italiane, deri në ditët tona. Aktiviteti i stilimit dhe prerjes është i vendosur në Itali dhe qepja realizohet në dy shtete: Rumani dhe Shqipëri, filiale të cilat janë tërësisht në pronësi dhe të kontrolluara nga shoqëria në Itali; të gjithë sektorët operojnë me makineri dhe aplikacione të gjeneratës së fundit.

Summer Conf S.r.l. (http://www.summerconf.com/it/), themeluar në Rumani në vitin 1996, pjesë e Grupit Poletti Shirts S.r.l., grup i cili është prezent edhe ne Shqipëri (nëpërmjet MBA Albania në qytetin e Durrësit), dhe është lider në qepje të cilësisë më të lartë të këmishave, pantallonave dhe kapeleve, duke u bazuar në eksperiencën dhe profesionalizimin italian për prodhimin e veshjeve e uniformave civile e ushtarake. E certifikuar në Humanfabric Iniciative dhe është Green Factory Mark.

Të gjitha shoqëritë e cituara më lart janë shoqëri lider në fushën e aktivitetit që ushtrojnë, dhe absolutisht që plotësonin të gjitha kriteret e kërkuara nga kjo procedure tenderimi. Pavarësisht këtij fakti, me keqardhje vërejmë se është realizuar një fushatë shpifjesh shume e guximshme që kompani ndërkombëtare të këtyre niveleve të etiketohen si “fitues te paracaktuar”. Për këtë qëllim, inkurajojmë organet e drejtësisë të hetojnë më tej në drejtim të faktit se cili ka qenë subjekti i cilësuar si “fitues i paracaktuar” dhe kujt i shërben kjo fushatë shpifjesh.

Ndryshe nga herët e tjera, çmimi i uniformave përfshin disa elemente te reja si: personalizimin, shpërndarjen dhe logjistiken, për secilin punonjës individual të Policisë së Shtetit. Uniformat janë individuale, pra për secilin punonjës të personalizuara sipas përmasave trupore po kaq individuale dhe u jepen në dorëzim secilit prej tyre në gjithë territorin e RSH dhe regjistrohen në një bazë të dhënash. Në këtë forme realizimi shtetit nuk i ngelet asnjë produkt stok, duke u eliminuar çdo dëm që më parë ishte evident. Bazuar në dokumentet e tenderit, rezulton se lista e çmimeve e shpallur fituese bazohet në vlerën me optimale të çmimit për njësi.

Një kapele zyrtarisht kushton vetëm 2.800 lekë, 15 herë më pak ose rreth 23 euro, dhe jo 350 euro sa aludohet në mënyrë të ulet dhe me qëllim dashakeq nga një grup individësh të papërgjegjshem dhe të keqpërdorur.

Të gjitha këto shpifje dhe dizinformime të një personi publik të papërgjegjshëm, janë bërë me qëllim denigrimin e D&E sh.p.k., dhe timin personalisht. Dëmi që i është bërë prej mëse një viti imazhit tim dhe partnerëve ndërkombëtarë me të cilët unë kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj prej shumë vitesh, do të jetë subjekt i një procesi civil e penal, ku do të vihen para përgjegjësisë të gjithë shkaktarët e këtij manipulimi publik, individët e keqpërdorur për të bërë dëme që dalin botërisht në media me deklarata shpifëse si dhe personat e tjerë që qëndrojnë mbrapa tyre.

Nga vitet 2013-2019, në cilësinë e sipërmarrësit kam kontribuar, në afrimin e investitorëve të huaj, (partneret e D&E të sipërpërmendur), kjo ka ndikuar në hapjen e më shumë se 750 vendeve të reja pune, investime në infrastrukturë e teknologji, me pasoja në rritjen e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë. Për të përmendur disa nga partnerët e afruar nga bashkëpunimi i D&E, po citoj Grassi Albania, e cila ka sjellë hapjen e 400 vendeve të reja pune në Librazhd inauguruar ne vitin 2014, Lovers Albania e cila ushtron aktivitet në Durrës dhe ka gjeneruar rreth 290 vende të reja pune, MBA Albania pjesë e grupit Summer Conf me aktivitet në Durres dhe me një kapacitet punësimi prej rreth 60 punonjësish, si dhe nënkontraktimin e disa shoqërive rajonale shqiptare. Të gjitha këto fakte janë bërë publike nëpërmjet kronikave televizive të kohës.

Ky reagim vjen i detyruar nga fushata 1-vjeçare e shpifjeve dhe hedhjes baltë në drejtim të subjektit D&E sh.p.k. dhe 3 subjekteve ndërkombëtare. Sa më lart shpjeguam për qartësimin e opinionit publik, janë të vërteta të pamohueshme. Nuk kam asnjë synim të hyj në debat me shpifësit dhe shtytësit e kësaj fushate denigruese. Në kushtet kur kjo çështje është aktualisht duke u hetuar nga prokuroria, si një nga taksapaguesit më të rregullt të shtetit shqiptar, pres vijimin e hetimeve dhe inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj dhe të identifikimit të cilido personi që ka shkelur ligjin.

Shpresoj që ky reagim të jetë dhe një shembull për Shoqatën e Fasonistëve (PEA Albania) për mbrojtjen në të ardhmen të të gjitha bizneseve shqiptare nga konkurrenca e padrejtë, me të cilën jo rrallë përballen fasonët shqiptarë në proceset e konkurrimit publik.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.