Iniciativa Globale Kundër Krimit: Paratë e drogës në Shqipëri pastrohen në ndërtim

0.5construction money1620711797

Fondet e siguruara kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri, raportohet në një studim të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (Global Initiative against Transnational Organized Crime – GI) për rajonin e Ballkanit “Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”.

Raporti paraqet një tablo të detajuar të çmimeve dhe rrugëve të trafikimit të drogës dhe emigrantëve përgjatë Ballkanit Perëndimor dhe hedh dritë mbi fitimet që burojnë prej tyre, si dhe mbi vendet ku pastrohen paratë.

Sipas raportit, midis 2017 dhe 2020, Tirana përjetoi një bum ndërtimesh dhe rritje të madhe të çmimeve të pronave. Çmimi i një metër katror në një apartament banimi mesatar në Tiranë ishte rreth 861 euro në vitin 2017. Por në vitin 2020, vetëm tre vite me vonë, çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin e 1400 – 2 000 eurove për një metër katror.

Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit , duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro për metër katror në vitin 2017 në bregun e ujit në 1 000 euro në 1 200 euro në fillim të vitit 2021.

Sipas tabelave të raportit, Tirana është kryeqyteti me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në rajon (që arrijnë deri në 4 mijë euro për metër kator për kullat e reja, ndërsa luhaten mes 1400-2000 euro në pjesën qendrore të qytetit).

Pas Tiranës, më të shtrenjta apartamentet janë në Beograd e Sarajevë, me rreth 2,500-2,700 euro për metër katror.

Çmimet në kryeqytetin shqiptar pothuajse janë rritur me mbi 50% në krahasim me vitin 2017. Në Podgoricë, p.sh., për të njëjtën periudhë çmimet ranë me 14%, duke zbritur poshtë 1 mijë euro. Në Beograd, çmimet u rritën me rreth 30%.

Studimi citon se, ekspertët kanë argumentuar se, kjo rritje e lartë në kryeqytetin shqiptar nuk mund të shpjegohet me kërkesën më të lartë nga ekonomia reale ose rritjen e nivelit zyrtar të ardhurat, por përkundrazi drejtohen kryesisht nga paraja nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i cili është investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

Në Tiranë, aktualisht janë planifikuar projekte shtesë luksoze në qendër të qytetit që nuk pasqyrojnë forcat normale të tregut.

Një agjent i pasurive të patundshme në Shqipëri ka shpjeguar se një përqindje e madhe e njerëzve që blejnë apartamente luksoze përdorin para të paligjshme dhe paguajnë me cash. Sidoqoftë, edhe kur pagesat nuk bëhen me para (por përmes sistemit financiar), ekspertët argumentojnë që verifikimi e burimit mbetet mjaft sporadik.

Megjithëse kërkohet që transaksione prej më shumë se 10 000 euro të bëhen përmes transfertave bankare, kompanitë e ndërtimit bëjnë të mundur ndarjen e pagesave në këste të vogla me më pak se 10 000 euro secila dhe të deklarojnë një çmim fiktiv më të ulët se ai real, duke e bërë kështu të mundur që individët të fshehin origjinën e vërtetë të parave të tyre.

Ishte e habitshme se si industria e ndërtimit vazhdoi të rritet në Shqipëri edhe gjatë pandemisë COVID-19, pavarësisht tkurrjes së përgjithshme të ekonomisë së vendit prej kufizimeve pandemike, citon raporti. Në fakt, pavarësisht pandemisë së COVID-19, INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) regjistroi nivel të lartë të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2020. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, aktiviteti i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%.

Një sasi më e vogël të ardhurash të paligjshme kanalizohet në përdorimin e bizneseve nga trafikantët nëpërmjet financimeve cash në restorante, bare, stacione karburanti dhe kompani taksish. Këto biznese janë veçanërisht të përshtatshme për të pastruar shuma më të vogla, të cilat më pas përfshihen gjithashtu në sistemin bankar.

Në të gjithë rajonin, fondet e paligjshme janë të përziera në biznese, duke i bërë ato të padallueshme nga njëri-tjetri. Anëtarët e grupeve të organizuara kriminale aktive në Malin e Zi raportohet të kenë kompani të ndryshme, si klube, restorante, furra buke, kafene, hotele dhe dyqane suveniresh, klube sportive, kompani me qira dhe shitje të automjeteve, stacione benzine dhe të regjistruara në Kotor, Cetinje, Herceg Novi, Pljevlja dhe Podgoricë.

Raporti rajonal analizon sektorët dhe pikat e nxehta ku pastrohen paratë në Ballkanin Perëndimor.

Për shembull, shumat e vogla të parave pastrohen në biznese me nivele të larta të qarkullimit të cash-it, si hotele, restorante, pastiçeri, bare dhe klube, dyqane suveniresh, benzinata, kompani taksish, palestra, pika ku shiten fruta-perimet etj. Të ardhurat e konsiderueshme furnizojnë ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme, lojërat e fatit dhe turizmin. Raporti thekson se të ardhurat e aktiviteteve të paligjshme që kryhen në rajon, pastrohen kryesisht po në rajon, ndërsa grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë duke gjeneruar të ardhura të shumta si pasojë e aktiviteteve të paligjshme (veçanërisht trafikimit të drogës) jashtë rajonit.

“Paratë e pista, të gjeneruara dhe të pastruara në rajon, po mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit”, – thotë Kristina Amerhauser, një nga autoret e raportit./MONITOR

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.