Shkarkimi i Ilir Metës/ Ja deputetët që do të jenë pjesë e Komisionit Hetimor që pritet të miratohet sot në parlament
Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë dhe miratojë në seancën e sotme parlamentare propozimin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se kryetar i këtij komisioni do të jetë Alket Hyseni, nënkryetar Myslim Murrizi, sekretare Klotilda Bushka ndërsa anëtarët do të jenë: Vasilika Hysi, Elna Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Carcani.
Ndërsa zëvendësues do të jenë Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.
Gjatë seancës së sotme, mazhoranca dhe opozita parlamentare do kenë në rend të ditës kërkesën e Komisionit të Ligjeve, në të vetmen mbledhje që i lejon legjislacioni të ngrejë një komision hetimor.
Miratimi nga Komisioni i Ligjeve me 14 vota pro dhe 1 kundër, i hapi rrugë dërgimit të kërkesës për miratim në Parlament. Deputetët e mazhorancës dhe opozitës parlamentare pritet ta votojnë ngritjen e këtij komisioni për shkarkimin e Metës, për të cilin thonë se ka shkelur Kushtetutën.
Nga ana tjetër, presidenti Ilir Meta refuzoi pjesëmarrjen në Komisionin e Ligjeve për shkak të agjendës ndërsa shtoi se ka kohë më 10 maj. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.
LEXO TE NGJASHME