Të dielën e 25 Prillit qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar, në listat e qarqeve, që dëshirojnë që ti përfaqësojnë në Kuvendin e 4 viteve të ardhshme.
Në Shqipëri janë 3,588,869 shtetas me të drejtë vote, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk kanë të drejtën e votës në vendin ku punojnë dhe jetojnë.
Palët politike dështuan që të përmbushnin një nga premtimet e tyre, ndërkohë që vështirësitë shtohen edhe për qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia, të cilët duhet të qendrojnë për 14 ditë në karantinë, sipas një vendimi të marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, i kundërshtuar nga presidenti dhe avokati i popullit.
Për t’u kthyer te dita e zgjedhjeve, dhe fleta e votimit, më poshtë do të gjeni të gjitha rastet kur ajo konsiderohet e vlefshme dhe e pavlefshme. Çdo qytetar ka të drejtë që të votojë për partinë dhe një prej kandidatëve të partisë, vetëm për partinë, apo dhe vetëm për kandidatin, ku në rastin e fundit vota njihet edhe për subjektin që ai përfaqëson.
Ndërkohë qytetarët do ta bënin votën e tyre të pavlefshme në rast se do të votonin për dy subjekte të ndryshme zgjedhore, për dy prej kandidatëve, apo për një subjekt, dhe një kandidat të një subjekti tjetër politik.
Tre mënyrat e votimit që e bëjnë votën të vlefshme:
Qytetari mund të votojë vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votojë për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor.
Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Në këtë rast vota i shkon subjektit zgjedhor. Është gjithashtu votë edhe për kandidatin e atij subjekti.
Qytetari mund të votojë vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.
Kur fleta e votimit shpallet e pavlefshme?
Ndërkohë, KQZ thekson se, votuesit nuk mund të votojnë për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër.
Votuesit nuk mund të votojnë për dy subjekte zgjedhore.
Votuesit nuk mund të votojnë për dy kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor.
Gjithashtu votuesit nuk mund të votojnë dy kandidatë të dy subjekteve të ndryshëm.
Monitorim me kamera i qendrave të votimit
Monitorimi me kamera i 5199 Qendrave të Votimit, sipas KQZ-së do të jetë garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj.
Në total në zgjedhjet e 25 prillit janë të regjistruar 3 588 869 qytetarë shqiptarë që kanë të drejtën e votës.
Të ndarë sipas qarqeve, kryeson Tirana me 910 494 zgjedhës, për të vijuar me Fierin me 403 220 zgjedhës, Durrësin me 358 730 zgjedhës, Elbasanin me 346 948 zgjedhës, Vlorën me 318 428 zgjedhës, Korçën me 284 363 zgjedhës, Shkodrën me 272 078 zgjedhës, Beratin me 183 119 votues, Lezhën me 173 899 votues, Dibrën me 131 225 votues, Gjirokastrën me 123 270 votues dhe Kukësin me 83 027 votues.