Zgjedhjet/ Basha mbyll listën me kandidatët, pritet prezantimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përmbyllur në fundjavë procesin e nisur që në verë, atë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, shkruan Panorama.
Java që lamë pas ishte më intensivja për kryedemokratin, duke pritur me radhë në zyrë drejtuesit politikë, por edhe drejtuesit e degëve për secilin qark, për të diskutuar mbi emrat përfundimtarë që do të jenë në listën shumemërore që do t’i dorëzohet KQZ-së për t’u regjistruar. Ashtu siç premtoi rreth tri vite më parë dhe e normoi në statutin e PD-së, lista finale që do regjistrohet në institucionin e zgjedhjeve do të marrë edhe bekimin e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
“Kryesia e PDSH-së vendos për: kandidatët për deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. Lista e kandidatëve për deputetë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar”, thuhet në nenin 53 të statutit të Partisë Demokratike.
Sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, kryetari i PD-së do të thërrasë sot rreth pasdites Kryesinë për të diskutuar dhe miratuar listën me kandidatët.
Mbledhja me 28 anëtarët e kryesisë së PD-së, ku përfshihen nënkryetarët dhe sekretarët, do të zhvillohet në prani fizike, ndërsa fill pas tyre, kreu i PD-së do të mbledhë online 343 anëtarët e Këshillit Kombëtar për të miratuar apo rrëzuar listën me kandidatët që do t’i propozojë Kryesia e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit.
Më pas pritet prezantimi i kandidatëve në një ceremoni.
LEXO TE NGJASHME