Zgjedhjet e 25 prillit, Ambasadorja e SHBA-së thirrje liderëve politikë: Zgjidhni me kujdes kandidatët, largoni të korruptuarit
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim gjatë konferencës “ Kostot e Demokracisë” që po mbahet ditën e sotme, theksoi se zgjedhjet e 25 prillit duhet të jenë transparente dhe të drejta.
Ajo u bëri thirrje liderëve politikë që të zgjedhin me kujdes kandidatët dhe se duhet të largojnë ata të korruptuar.
“Liderët duhet të largojnë politikanët e tyre të korruptuar nga lista, duhet të zbatohet dekriminalizimi. Liderët duhet të tregojnë transparencë, financime transparente sikurse punojnë me sistemin u bëjmë thirrje të kontrollojnë kandidatët. Populli shqiptar meriton më tepër, nuk duhet të votojë për kriminelë në një demokraci shqiptare. Ata do të jenë ata që do të vendosin pushtetin. Anëtarët e Shoqërisë Civile do të japin mendimet e tyre që Shqipëria të mbajë zgjedhje që njihen , duke bërë rekomandime për përmirësime”, tha Kim.
Në konferencë morën pjesë edhe ish-ambasadori britanik, Duncan Norman dhe kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi
Norman tha se është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të drejtë pasi është një hap më tej për integrimin e vendit drejt BE-së.
Kurse Celibashi, në konferencën e mbajtur u shpreh se vijon të jetë problem financimi i partive nga bota e krimit ose bizneset e paligjshme, duke theksuar se nëse partitë politike do të jenë transparente dhe do të veprojnë në mënyrë të ligjshme, vendi do të ketë progres shoqëror.
Zgjedhjet e 2021-shit janë shumë pak muaj larg, ku 25 prilli është një datë vendimtare për partitë politike në vend, ndërsa këtë vit është një garë më e fortë me krijimin e partive të reja.
LEXO TE NGJASHME