Fshehje dhe kaos shifrash për testet Covid në laboratorët privatë, shqiptarët paguan mbi 6,6 mln euro
Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë refuzojnë të bëjnë transparencë për numrin e testimeve me pagesë të kryera nga laboratorët privatë, ndërsa shifrat bazike të dy institucioneve për numrin e rasteve pozitive bien ndesh me njëra-tjetrën.
Në fund të marsit, kur vendi sapo ishte përfshirë nga ethet e pandemisë së COVID-19, reklamat për teste në spitalet private ngritën shqetësime etike dhe ligjore.
Ligji shqiptar për “parandalimin e sëmundjeve e epidemike” e ndalon mundësinë e komercializimit për dignostikimin dhe kurimin e sëmundjeve epidemike dhe specifikon se shërbimi duhet të jetë falas.
Por ndërsa pandemia avancoi dhe kërkesa për tamponë u shumëfishua, Ministria e Shëndetësisë vendosi të çelë një derë të pasme për testimet private në fund të korrikut, ndërsa i lejoi laboratorët privatë që të kryenin testime për qëllime administrative.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë megjithatë se laboratët privatë i tejkaluan kufizimet ligjore dhe u kthyen në burim kryesor për testimet PCR në Shqipëri, duke u kushtuar qytetarëve shqiptarë disa milionë euro në muajt e fundit.
Për të matur peshën e testimeve private në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe kostot për qytetarët, BIRN i kërkoi Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë në fillim të nëntorit, numrin total të testimeve të kryera nga ISHP, numrin total të testimeve të kryera nga laboratorët privatë si dhe numrin e personave të izoluar pa bërë një test PCR për COVID-19.
Të dyja institucionet refuzuan të bëjnë transparencë për të dhënat bazike, ndërsa kthyen përgjigje të pjesshme dhe evazive – dhe në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, përtej çdo afati të përcaktuar në ligjin për të drejtën e informimit.
Ndonëse është institucioni përgjegjës koordinues dhe raportues, Instituti i Shëndetit Publik i tha BIRN më 18 nëntor se “nuk kishte informacione për numrin e testeve të kryera në institucionet jo-publike dhe as për numrin e personave të izoluar”.
Ministria e Shëndetësisë u përgjigj në mënyrë të pjesshme më 21 dhjetor, duke deklaruar se testimet e kryera nga laboratorët privatë zinin gati 40 për qind të numrit total të testimeve. Ndryshe nga pretendimi i ISHP se nuk i kishte këto të dhëna, Ministria e Shëndetësisë tha se laboratorët privatë i raportonin testimet e tyre në ISHP.
“Testimet e kryera nga laboratorët jopublikë të raportuara në ISHP që prej fillimit të raportimit prej këtyre subjekteve përbën 39.8 për qind të totalit të testimeve të kryera,” tha Ministria e Shëndetësisë, pa vënë në dispozicion numrat totalë të testimeve të kryera nga ISHP dhe laboratorët privatë.
BIRN gjeti gjithashtu se shifrat e testimeve të raportuara publikisht nga Ministria e Shëndetësisë nuk përputhen me ato të vëna në dispozicion nga ISHP.
Shifra kontradiktore
Shqipëria u përfshi zyrtarisht në listën e vendeve të prekura nga pandemia e COVID-19 në muajin mars dhe prej asaj kohe, janë kryer mbi 251 mijë testime; numri më i ulët i testimeve në Europë për 1 milion banorë.
Deri më 26 dhjetor, pandemia preku mbi 55 mijë shqiptarë dhe u mori jetën 1143 qytetarëve.
Barra kryesore e testimeve është mbajtur nga Instituti i Shëndetit Publik, por kapacitetet e ulëta janë bërë shpesh objekt debati mbi mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga autoritetet shqiptare. Prej gushtit, në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë u përfshinë edhe teste të kryera nga laboratorët privatë –por pa saktësuar asnjëherë numrin e tyre.
BIRN krahasoi numrin e testimeve që vuri në dispozicion Instituti i Shëndetit Publik me të dhënat e raportuara publikisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe konstatoi diferenca të konsiderueshme mes tyre.
Më 17 nëntor, Ministria e Shëndetësisë raportoi në faqen e saj se numri total i rasteve të identifikuara me COVID-19 ishte 29,126. Në përgjigjen që ISHP i dërgoi BIRN, numri total i të infektuarve deri më 17 nëntor rezultonte 31,362 qytetarë, ose 2200 raste pozitive më shumë nga sa ishin raportuar zyrtarisht.
Po më 17 nëntor, Ministria e Shëndetësisë deklaroi publikisht se numri total i testimeve ishte 160, 451. Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik i tha BIRN se kishte kryer 154,736 testime deri në 17 nëntor, ose 5715 teste më pak sesa raportimi publik.
Diferenca prej 5715 testesh mund t’i atribuohet rasteve pozitive të identifikuara nga laboratorët privatë, por nëse do të ishte ky rasti, personat e infektuar që raportohen publikisht nga Ministria e Shëndetësisë do të ishin në çdo kohë më të larta se ato të ISHP-së dhe jo e kundërta.
Rastet pozitive të COVID-19 të identifikuara me tamponë janë e dhëna bazike e kontrollit të shpërndarjes së pandemisë në vend.
Pavarësisht dyshimeve se numri i tamponëve ishte i vogël dhe se dhjetra njerëz po diagnostikoheshin përmes skanerave dhe formave alternative, referimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë janë matësi i vetëm i rëndimit apo lehtësimit të situatës, mbi të cilin qytetarëve u kërkohet të sakrifikojnë qarkullimin apo lëvizjen në orë të caktuara.
Të pyetur për shifrat kontradiktore, Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kthyen përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Miliona euro për teste ‘administrative’
Ndërsa institucionet publike refuzuan të bëjnë transparencë për testet e COVID-19, dy prej laboratorëve privatë të licensuar vendosën në dispozicion të dhënat e tyre.
Doktor Vasil Llajo, drejtues i “Intermedica” i tha BIRN se nga gushti deri më 21 dhjetor kishin kryer 37,167 testime, me një për qindje pozitiviteti rreth 9.3 për qind.
Ndërkohë, Albana Daka, drejtuese në laboratorin ALNET në pronësinë e Spitalit Amerikan tha se vetëm në 20 ditët e para të nëntorit kishin bërë 7215 teste, prej të cilave 1921 kishin rezultuar pozitivë. Norma e pozitivitetit për këtë periudhë, sipas Dakës ishte 26.6 për qind.
Mesatarisht, dy laboratorët privatë rezultojnë se kanë bërë 277 teste në ditë Intermedica dhe rreth 360 teste në ditë në ALNET.
Mbi këtë mesatare, pa llogaritur një numër laboratorësh të tjerë që u licesuan në vijim e ku BIRN nuk mundi të mbledhë të dhëna, numri i testimeve të kryera nga laboratorët privatë deri më 21 dhjetor rezulton të jetë rreth 80 mijë.
Kjo shifër përkon edhe me përqindjen në masën 39.8 për qind, të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë mbi numrin total të testimeve të kryera prej muajit gusht.
Çmimi i një testi PCR në laboratorët privatë ishte 97 euro deri më 17 nëntor, ndërsa pas kësaj date, çmimi u ul në 85 mijë lekë ose rreth 69 euro. BIRN përllogariti me përafërsi se qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi 6.6 milionë euro për t’u diagnostikuar nëse janë infektuar ose jo me COVID-19 në laboratorët privatë gjatë 5 muajve të fundit.
Shpenzimet për këto teste, në bazë të ligjit “Për parandalimin e sëmundjeve epidemike” do duhej të mbuloheshin nga qeveria. Në realitet, këto para kanë dalë nga xhepat e shqiptarëve, mes shumë kostove të tjera në betejën për t’i mbijetuar koronavirusit./Nga Vladimir Karaj, BIRN
LEXO TE NGJASHME