Zgjedhje 2021/ Rama mbyll listat, Basha çon kandidatët në votë
Kampet e politikës shqiptare, kanë shfaqur dje dy natyra krejt të ndryshme. Nga ana e PS, shihet një nxitim i tepruar për të dërguar për miratim propozimet e saj në parlament, me qëllim ndalimin e koalicioneve dhe mbylljen e listave. Veprim i pazakontë për një Kryeministër që pretendon të marrë 74 mandate në zgjedhje. Krejt ndryshe shfaqet situata në kampin blu, ku gara për kandidatët me të cilët do përfaqësohet në zgjedhje PD ka hyrë në fazën e tretë, atë të përcaktimit nga baza. Burime nga opozita shprehen se kjo e fundit ka bërë sondazhet e saj që e nxjerrin fituese pavarësisht lojërave politike të Ramës
Kryeministri Edi Rama, shfaqi nxitim të tepruar dje teksa urdhëroi përfaqësuesin e tij në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri të çonte me urgjencë në kuvend propozimet për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, të cilat ndalojnë koalicionet dhe nuk sjellin asgjë të re për listat e kandidatëve. Duket qartë se kryeministri, e sheh si të vetmen mundësi qëndrimin në pushtet duke imponuar me forcën e kartonit të kuvendit, modelin e zgjedhjeve të vitit 2017. Por krejt një panoramë tjetër shfaqet në krahun e djathtë, ku opozita nuk duket e alarmuar nga veprimet arbitrare të kryeministrit.
Zyra e shtypit pranë PD, lajmëroi se ka filluar faza e tretë e përzgjedhjes së kandidatëve nga baza, ku emrat e përzgjedhur nga komisioni i vlerësimit gjithsej 350 nga 960 që kaluan fazën e dytë do i shkojnë sërish bazës për votim. Këtë herë, anëtarët do jenë ata që do eliminojnë 20 për qind të emrave nga qarku i tyre. Madje PD, shpërndau dhe kalendarin e ditës së votimeve për të 12 qarqet.
Gara në PD
Zgjedhjet e kandidatëve nga anëtarësia për PD do fillojnë nesër më datë 25 shtator me anëtarësinë e PD-së, në Kukës, për të vijuar më pas në të gjithë Shqipërinë. Në ditët e përcaktuara në udhëzimin e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi anëtarësia e PD ftohet të shprehet me votë kontestuese për listën e kandidatëve që kanë kaluar filtrin e komisionit.
Degët e Partisë Demokratike do të njihen me emrat që kanë kaluar filtrin e Komisionit vetëm 24 orë përpara se të votohen, teksa lista përfundimtare do të vijë sërish në selinë blu dhe do të merret në shqyrtim nga Kryesia e Partisë Demokratike. Do të jetë kryesia dhe më pas Këshilli Kombëtar ata që do të përcaktojnë listën finale të kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Po nga i vjen e gjithë kjo qetësi opozitës? Edi Paloka, nënkryetar i PD tha dje se ndryshimi i rregullave në një moment kur zgjedhjet janë shpallur tregon panikun që e ka zënë kreun e qeverisë nga humbja.
“Me lista të hapura, pa lista të hapura, me koalicione, pa koalicione, çdo formë që të tentojë të përdori ai është i humbur. E kanë zhytur në gropë dhe nuk del sikur të hidhet përpjetë”, thotë Paloka.
Burime nga opozita i thanë gazetës MAPO, se nuk kanë më ndërmend t’u shkojnë mbrapa lojërave të kryeministrit në një kohë kur ndaj tij ka një izolim ndërkombëtar. Sipas të njëjtit burim, afër vendimmarrjes opozitare, sondazhet tregojnë fitore të forcave opozitare dhe e djathta s’ka pse hyn në qerthullin që tenton ta tërheqë Rama.
“Një njeri që prish marrëveshjen, që pretendon se hap lista dhe i mban më mbyllur se më parë, që nuk ka guxim të dalë në përballje të ndershme zgjedhore, nuk është gjë tjetër vetëm se një njeri në panik. Natyrisht, ne kemi sondazhet tona dhe ai ka të tijat, dhe e di fare mirë se si e nxjerrin. Çfarëdo të bëjë është i humbur. Ne s’kemi më ndërmend të hyjmë në lojërat e një njeriu që tashmë është izoluar nga ndërkombëtarët”, shprehet për MAPO i njëjti burim.
Nervozizmi i PS-së
Kampi tjetër, ai i të majtës, po tregon një nervozizëm dhe padurim të pazakontë për një forcë politike e cila shprehet thuajse çdo ditë se në zgjedhje do marrë 74 mandate në parlament. Presidenti i Republikës, shpalli si datë zgjedhjesh 25 prillin me dekret të posaçëm. Pra praktikisht, prej më shumë se 18 ditësh partitë politike janë përgatitur për lojën, me rregullat që janë në kodin aktual. Por PS ka dërguar në kuvend draftin me propozime për ndryshime të tjera në kuvend, duke i lënë opozitës vetëm një javë kohë që të sjellë propozimet e saj.
Propozimet do merren në shqyrtim nga komisionet më datë 1 tetor, për të hyrë më pas për miratim në seancën e datës 2 tetor. Ndryshimet, prekin dhe marrëveshjen e 5 qershorit. Premtimi për hapjen e listave me draftin e propozuar nga PS, nuk është mbajtur. Formula që ajo ka propozuar nuk i rreshton kandidatët në bazë të votave, por sipas shijeve të kryetarit. Ndërkohë nxitimi i kryeministrit ka të bëjë dhe me letrën që PD i ka dërguar ODIHR. Burime thonë se Rama i druhet një përgjigjeje negative që mund të japë ky institucion, në një kohë që Rama i ka marrëdhëniet mjaft të acaruara me ndërkombëtarët. Kujtojmë që më datë 18 shtator, kryeministri u refuzua në takim nga kancelarja gjermane dhe deputetë të Bundestagut./MAPO
Kalendari i votimeve në zgjedhjet e PD-së
Qarku Kukës – 25 shtator
Qarku Dibër – 26 shtator
Qarku Gjirokastër – 27 shtator
Qarku Berat – 28 shtator
Qarku Shkodër – 30 shtator
Qarku Lezhë – 1 tetor
Qarku Durrës – 3 tetor
Qarku Elbasan – 4 tetor
Qarku Vlorë – 5 tetor
Qarku Korçë – 7 tetor
Qarku Fier – 8 tetor
Qarku Tiranë – 10 tetor
LEXO TE NGJASHME