Sot mblidhet kryesia e PD, Basha: Do të marrim një vendim të rëndësishëm për shoqërinë e politikën shqiptare

Lulzim Basha do të mbledhë sot kryesinë e Partisë Demokratike për të diskutuar mbi zgjedhjet. Në një postim në Facebook ai lajmëron se kryesia e PD-së se do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.
"Me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference z. David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe z. Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues", thotë Basha.
Sipas tij, modeli që do të miratohet sot në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.
"Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi, për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete", tha Basha.
Dy ditë më pare dy forcat më të kryesore politike PS dhe PD filluan të organizohen për zgjedhjet e ardhshme politike.
LEXO TE NGJASHME



















