“Jam gjyqtarja më e ndershme në Republikë”/ Sot, vendimi për Fatmira Hajdarin
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallë sot vendimin për gjyqtaren Fatmira Hajdari, e cila të hënën në KPK u përball me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me pronat, me ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.
Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane, që përshkroi në detaje kundërshtimet mbi gjetjet në kriterin e pasurisë.
Dhe një të tretë vetë, duke i dhënë nota emocionale historisë së saj dhe duke shpjeguar po emocionalisht se problemet me pasurinë vinin kryesisht nga veprimet e të birit, por që sipas saj nuk kishte bërë shkelje të ligjit.
Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.
LEXO TE NGJASHME