Këshilli Politik mblidhet të premten, ja temat që do të diskutojë
Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka propozuar thirrjen e tryezës së grupit negociator të Këshillit Politik, ditën e premte (12 qershor), ora 11:00.
Ai i ka dërguar një e-mail tre anëtarëve të tjerë të Këshillit politike, Oerd Bylykbashit, Rudina Hajdarit dhe Petrit Vasilit, në të cilën i bën me dije se mbledhja duhet të trajtojë të gjitha temat e mbetura dhe të miratojë gjithë paketën e amendimeve që adresojnë marrëveshjen e arritur.
“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund të korrikut 2020.
Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin. Temat e tjera që kemi vendosur t’i adresojmë të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund t’i trajtojmë në një mbledhje tjetër pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së Sistemit Zgjedhor, Ligjit për Referendumet dhe Ligjit pë Financimin e Partive Politike”, njofton Gjiknuri në e-malin e tij.
LEXO TE NGJASHME