Sot në Kuvend/ Shtyrja e pagesës së kësteve të tatimit mbi fitimin, heqja e taksës së infrastrukturës për rindërtimin dhe kredia e re nga FMN
Një pjesë e masave të ndërmarra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19, dhe për mbështetjen e bizneseve do të miratohen në seancën plenare. Në rend dite për tu miratuar është akti normativ për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ku është bërë i ditur që tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë përveç farmacive, bankave, kompanive të telekomunikacionit dhe bizneseve ushqimore, të shtyhet pagesa e këstit të tatimit mbi fitimin për tremujorin e dytë dhe të tretë për vitin 2020, dhe pagimi i kësteve do të vazhdojë në muajin tetor 2020, ndërsa të papaguarat paguhen në vitin 2021.
Po ashtu do të përfitojnë edhe tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në fushën e turizmit, të përpunimit aktiv dhe të call center të cilëve do ty shtyhet pagimi i kësteve për periudhën prill-dhjetor 2020, dhe do të paguhen në prill-dhjetor 2021. Në aktin normativ bëhet i ditur edhe fakti që shtyhet afati i dorëzimit deklaratës individuale vjetore të të ardhurave të vitit 2019 për individët që realizuan më shumë se 2 milionë lekë të reja të ardhura gjatë vitit të nga 30 prilli është shtyrë brenda datës 31 korrik. Ndërsa tatimpaguesit me xhiro nën 14 milionë lekë nuk do ti paguajnë këstet e tatim-fitimit të vitit 2020.
Akti tjetër që është në rend dite ka të bëjë me faljen e kësteve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin që paguan biznesi i vogël, për vitin 2020. Ndërkohë në të njëjtin akt normative është përfshirë edhe fakti që të përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit mbi infrastrukturë i të gjitha investimet në kuadër të rindërtimit të vendit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Pra të gjitha kompanitë që do të marrin pjesë në proces nuk do të paguajnë këtë taksë, që është zëri kryesor në të ardhurave e bashkive.
Në seancën plenare do të jetë për diskutim edhe miratimi i aktit normativ për shtyrjen e fazës së parë të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm për shkak të pandemisë COVID-19. Në kushte normale procesi aktualisht duhet të kishte përfunduar, por me ndryshimin e bërë nëpërmjet një akti normative ky dokument do të përfundohet deri në fund të muajit korrik 2020.
Po ashtu parlamenti pritet të miratojë edhe projektligjin për marrjen e hua-së nga FMN në vlerën e 139.3 milionë SDR (monedhë e fortë, e drejta e tërheqjes speciale), ose rreth 174 milionë euro. Kjo hua është marrë për të garantuar sa më shumë likuiditet në ketë kohë pandemie, dhe është marrë nën instrumentin e financimit të shpejtë.
Ndërkohë, në seancën e sotme do të jetë edhe interpelanca e thirrur nga opozita e re për kryeministrin Edi Rama lidhur me shembjen e Teatrit.
LEXO TE NGJASHME